Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

1 Kronikave 29

29
Dhuratat
1Mbreti David i tha mbarë bashkësisë: «Solomoni, biri im, i vetmi që zgjodhi Perëndia, është i ri e njomcak, ndërsa puna është e madhe, sepse tempulli nuk është për një njeri, por për Zotin Perëndi. 2Për tempullin e Perëndisë tim bëra gati me tërë fuqinë time arin për pajisjet e arta, argjendin për të argjendtat, bronzin për të bronztat, hekurin për të hekurtat, drurin për të drunjtat, gurë oniksi e gurë zbukurues, gurë të zinj e shumëngjyrësh, çdo gur të çmuar e alabastër me shumicë. 3Për më tepër, nga dashuria që kam për tempullin e Perëndisë tim, po jap për tempullin e Perëndisë tim thesarin e artë e të argjendtë që kam, përveç të gjitha gjërave që kam përgatitur për tempullin e shenjtë: 4njëqind tonë ar Ofiri, e dyqind e dyzet tonë argjend të kulluar për të veshur muret e tempullit, 5arin për pajisjet e arta, argjendin për të argjendtat e për të gjitha punimet e bëra prej zejtarëve. Tani, kush do të dhurojë sot, duarplot, për Zotin?».
6Atëherë krerët e shtëpive, krerët e fiseve të Izraelit, krerët e mijëra e qindra vetëve dhe mbikëqyrësit e punëve të mbretit dhuruan. 7Ata dhuruan për punimet e tempullit të Perëndisë njëqind e shtatëdhjetë tonë ar, dhjetë mijë monedha ari, treqind tonë argjend, gjashtëqind tonë bronz e tre mijë tonë hekur. 8Ata që zotëronin gurë të çmuar, i dhuruan për thesarin e tempullit të Zotit, nëpërmjet Jehiel Gershonitit. 9Populli u gëzua për dhuratat e veta, sepse i kishin dhuruar me gjithë zemër për Zotin. Edhe mbreti David u gëzua shumë.
Lutja e Davidit
10Davidi e bekoi Zotin para mbarë bashkësisë e tha: «I bekuar je ti, o Zot, Perëndia i Izraelit, atit tonë, ngaherë e përgjithmonë. 11Ty, o Zot, të takon madhëria, fuqia, shkëlqimi, lartësimi e madhështia, sepse ty të përket gjithçka në qiell e në tokë. Ty të takon mbretërimi, o Zot, i lartësuar mbi të gjithë. 12Prej teje buron pasuria e lavdia. Ti sundon mbi çdo gjë. Në dorën tënde janë pushteti e fuqia dhe ti e ke në dorë të madhërosh e të mëkëmbësh këdo. 13E tani, o Perëndia ynë, ne të falënderojmë dhe e lavdërojmë emrin tënd të lavdishëm.
14Por kush jam unë e kush është populli im, që të jemi të aftë të bëjmë kushtime të tilla? Sepse gjithçka vjen prej teje dhe përmes teje japim. 15Kalimtarë jemi para teje e të huaj si gjithë etërit tanë. Si hije janë ditët tona mbi dhe e nuk ka shpresë. 16O Zot, Perëndia ynë, gjithçka që kemi përgatitur me begati për t'i ndërtuar një shtëpi emrit tënd të shenjtë vjen prej teje dhe ty të përket gjithçka. 17E di, o Perëndia im, se ti i shqyrton zemrat e të pëlqen e drejta. Unë i kushtova me dëshirë e me zemër të drejtë të gjitha këto dhe tani shoh me gëzim se edhe populli yt i pranishëm këtu të kushton me dëshirë. 18O Zot, Perëndia i Abrahamit, i Isakut dhe i Izraelit, etërve tanë, ruaji gjithmonë këto prirje e mendime në zemrat e popullit tënd dhe drejtoji kah ti zemrat e tyre. 19Solomonit, birit tim, jepi një zemër të përkryer, që t'i mbajë urdhërimet, dëshmitë e rregullat e tua e të zbatojë gjithçka që i parapërgatita për ndërtimin e tempullit».
20Pastaj Davidi i tha mbarë bashkësisë: «Bekojeni, pra, Zotin, Perëndinë tuaj». Atëherë mbarë bashkësia e bekoi Zotin, atin e etërve të tyre, u përkulën e ranë përmbys para Zotit e para mbretit. 21Ata i kushtuan fli Zotit, ndërsa të nesërmen i kushtuan Zotit fli shkrumbimi një mijë mëzetër, një mijë desh e një mijë qengja bashkë me flitë e stërpikjes e shumë fli të tjera për mbarë Izraelin. 22Atë ditë hëngrën e pinë me gëzim të madh në praninë e Zotit. Solomonin, birin e Davidit, e shpallën përsëri mbret dhe e vajosën për Zotin si prijës, ndërsa Cadokun si prift.
Vajosja e Solomonit
23Solomoni u ul në fronin e Zotit si mbret në vend të Davidit, atit të tij. I shkoi mbarë dhe tërë populli e dëgjonte. 24Të gjithë prijësit, trimat dhe të gjithë bijtë e mbretit David iu betuan mbretit Solomon. 25Zoti e lartësoi Solomonin para mbarë Izraelit dhe e bëri madhështore mbretërinë e tij, siç nuk e kishte pasur asnjë mbret para tij në Izrael.
Vdekja e Davidit
26Davidi, biri i Jeseut, mbretëroi mbi tërë trojet e Izraelit. 27Ai mbretëroi dyzet vjet në Izrael, shtatë vjet në Hebron dhe tridhjetë e tre vjet në Jerusalem. 28Davidi vdiq në pleqëri të lume, i nginjur me ditë, me pasuri e me nder. Pas tij mbretëroi biri i tij, Solomoni. 29Bëmat e hershme e të mëvonshme të mbretit David janë të shkruara në librin e Vegimtarit Samuel, në librin e Profetit Natan dhe në Librin e Vegimtarit Gad. 30Aty tregohet për mbretërimin e tij, për fuqinë e tij dhe për kohërat nën sundimin e tij, si në Izrael, ashtu edhe në të gjitha mbretëritë e tokës.

Aktualisht i përzgjedhur:

1 Kronikave 29: AL1

Thekso

Ndaje

Copy

None

A doni që theksimet tuaja të jenë të ruajtura në të gjitha pajisjet që keni? Regjistrohu ose hyr