Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Romakëve 1:16-32

Romakëve 1:16-32 ALBB

Në fakt unë nuk kam turp për ungjillin e Krishtit, sepse ai është fuqia e Perëndisë për shpëtimin e cilitdo që beson, më parë judeun e pastaj grekun. Sepse drejtësia e Perëndisë është zbuluar në të nga besimi në besim siç është shkruar: ''I drejti do të jetojë me anë të besimit''. Sepse zemërimi i Perëndisë zbulohet nga qielli për çdo pabesi e padrejtësi të njerëzve, që mbysin të vërtetën në padrejtësi, meqenëse ajo që mund të njihet prej Perëndisë është bërë e dukshme në ta, sepse Perëndia ua ka shfaqur atyre. Në fakt cilësitë e tij të padukshme, fuqia e tij e përjetshme dhe hyjnia e tij, duke qenë të dukshme nëpërmjet veprave të tij që nga krijimi i botës, shihen qartë, me qëllim që ata të jenë të pafalshëm. Sepse, megjithëse e njohën Perëndinë, nuk e përlëvduan as e falënderuan si Perëndi, përkundrazi u bënë të pamend në arsyetimet e tyre dhe zemra e tyre pa gjykim u errësua. Duke e deklaruar veten të urtë, u bënë të marrë, dhe e ndërruan lavdinë e Perëndisë së paprishshëm në një shëmbëllim të ngjashëm me atë të një njeriu të prishshëm, të shpendëve, të katërkëmbëshave dhe të rrëshqanorëve. Prandaj Perëndia ia dorëzoi papastërtisë në epshet e zemrave të tyre, për të çnderuar trupat e tyre në mes vetë atyre, që e ndryshuan të vërtetën e Perëndisë në gënjeshtër dhe adhuruan dhe i shërbyen krijesës në vend të Krijuesit, që është i bekuar përjetë. Amen. Prandaj Perëndia i dorëzoi ata në pasioneve të ulëta, sepse edhe gratë e tyre i shndërruan marrëdhëniet natyrore në atë që është kundër natyrës. Në të njëjtën mënyrë burrat, duke lënë marrëdhëniet e natyrshme me gruan, u ndezën në epshin e tyre për njëri-tjetrin, duke kryer akte të pandershme burra me burra, duke marrë në vetvete shpagimin e duhur për gabimin e tyre. Dhe meqenëse nuk e quajtën me vend të njihnin Perëndinë, Perëndia i dorëzoi në një mendje të çoroditur, për të bërë gjëra të pahijshme, duke qenë të mbushur plot me çdo padrejtësi, kurvërim, mbrapshti, lakmi, ligësi; plot smirë, vrasje, grindje, mashtrim, poshtërsi, mashtrues, shpifës, armiq të Perëndisë, fyes, krenarë, mburravecë, trillues ligësish, të pabindur ndaj prindërve, të paarsyeshëm, të pabesë, pa dashuri të natyrshme, të papajtueshëm, të pamëshirshëm. Por ata, ndonëse e kanë njohur dekretin e Perëndisë sipas të cilit ata që bëjnë gjëra të tilla meritojnë vdekjen, jo vetëm i bëjnë, por miratojnë edhe ata që i kryejnë.

Devocione dhe Plane Leximi falas për Romakëve 1:16-32