Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Romakëve 1:16-32

Romakëve 1:16-32 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)

Unë nuk kam turp për ungjillin, sepse ai është fuqia e Perëndisë për shpëtimin e të gjithë atyre që besojnë, për judeun së pari, si dhe për helenin. Në ungjill zbulohet se Perëndia i bën njerëzit të drejtë përmes besimit të plotë, sikurse është shkruar: i drejti do të jetojë prej besimit. Zemërimi i Perëndisë zbulohet nga qielli kundër çdo mosbesimi e padrejtësie të njerëzve që me padrejtësi i zënë frymën së vërtetës. Perëndia është i zemëruar me ta për shkak se gjithçka që mund të njihet për të është e dukshme, sepse vetë Perëndia ua ka bërë të dukshme atyre. Që nga krijimi i botës cilësitë e padukshme të Perëndisë, fuqia e tij e përjetshme dhe natyra e tij hyjnore kuptohen dhe duken qartë prej gjërave që ka bërë. Prandaj ata nuk mund të kenë asnjë shfajësim. Sepse, ndonëse e njohën Perëndinë, nuk e përlëvduan dhe nuk e falënderuan si Perëndi, por u marrosën në arsyetimet e tyre dhe zemra e tyre e pandjeshme u errësua. Duke e mbajtur veten për të ditur, u bënë të marrë dhe e shndërruan lavdinë e Perëndisë së pavdekshëm në një shëmbëllim të ngjashëm me njeriun e vdekshëm, me shpendët, me katërkëmbëshat e me rrëshqanorët. Prandaj Perëndia i dorëzoi ata në epshet e ndyra të zemrave të tyre, që të çnderojnë trupat e njëri-tjetrit. Ata e shndërruan të vërtetën e Perëndisë në gënjeshtër, adhuruan dhe i shërbyen krijesës në vend të krijuesit që është i bekuar përjetë. Amen! Prandaj Perëndia i dorëzoi ata në epshe të turpshme. Gratë e tyre i shndërruan marrëdhëniet e natyrshme në marrëdhënie kundër natyrës. Po ashtu edhe burrat, duke lënë marrëdhëniet e natyrshme me gratë, u ndezën në epshin e tyre për njëri-tjetrin. Burra kryen vepra të pahijshme me burra, duke marrë mbi vete shpagimin e duhur për fajin e tyre. Meqenëse ata nuk pranuan ta njihnin Perëndinë, ai i dorëzoi në një mendje të çoroditur për të bërë gjëra që nuk duhen bërë. Ata janë plot me padrejtësi, keqdashje, lakmi, ligësi, plot smirë, vrasje, grindje, dredhi dhe poshtërsi. Ata janë përgojues, shpifës, armiq të Perëndisë, të pacipë, fodullë, mburravecë, trillues ligësish, të pabindur ndaj prindërve, të pamend, të pabesë, pa dashuri e të pamëshirshëm. Ata e njohin urdhërimin e Perëndisë që thotë se kush bën gjëra të tilla, meriton të vdesë. Megjithatë, ata jo vetëm i bëjnë këto, por edhe miratojnë të tjerët që i bëjnë.

Romakëve 1:16-32 Bibla Shqip 1994 (ALBB)

Në fakt unë nuk kam turp për ungjillin e Krishtit, sepse ai është fuqia e Perëndisë për shpëtimin e cilitdo që beson, më parë judeun e pastaj grekun. Sepse drejtësia e Perëndisë është zbuluar në të nga besimi në besim siç është shkruar: ''I drejti do të jetojë me anë të besimit''. Sepse zemërimi i Perëndisë zbulohet nga qielli për çdo pabesi e padrejtësi të njerëzve, që mbysin të vërtetën në padrejtësi, meqenëse ajo që mund të njihet prej Perëndisë është bërë e dukshme në ta, sepse Perëndia ua ka shfaqur atyre. Në fakt cilësitë e tij të padukshme, fuqia e tij e përjetshme dhe hyjnia e tij, duke qenë të dukshme nëpërmjet veprave të tij që nga krijimi i botës, shihen qartë, me qëllim që ata të jenë të pafalshëm. Sepse, megjithëse e njohën Perëndinë, nuk e përlëvduan as e falënderuan si Perëndi, përkundrazi u bënë të pamend në arsyetimet e tyre dhe zemra e tyre pa gjykim u errësua. Duke e deklaruar veten të urtë, u bënë të marrë, dhe e ndërruan lavdinë e Perëndisë së paprishshëm në një shëmbëllim të ngjashëm me atë të një njeriu të prishshëm, të shpendëve, të katërkëmbëshave dhe të rrëshqanorëve. Prandaj Perëndia ia dorëzoi papastërtisë në epshet e zemrave të tyre, për të çnderuar trupat e tyre në mes vetë atyre, që e ndryshuan të vërtetën e Perëndisë në gënjeshtër dhe adhuruan dhe i shërbyen krijesës në vend të Krijuesit, që është i bekuar përjetë. Amen. Prandaj Perëndia i dorëzoi ata në pasioneve të ulëta, sepse edhe gratë e tyre i shndërruan marrëdhëniet natyrore në atë që është kundër natyrës. Në të njëjtën mënyrë burrat, duke lënë marrëdhëniet e natyrshme me gruan, u ndezën në epshin e tyre për njëri-tjetrin, duke kryer akte të pandershme burra me burra, duke marrë në vetvete shpagimin e duhur për gabimin e tyre. Dhe meqenëse nuk e quajtën me vend të njihnin Perëndinë, Perëndia i dorëzoi në një mendje të çoroditur, për të bërë gjëra të pahijshme, duke qenë të mbushur plot me çdo padrejtësi, kurvërim, mbrapshti, lakmi, ligësi; plot smirë, vrasje, grindje, mashtrim, poshtërsi, mashtrues, shpifës, armiq të Perëndisë, fyes, krenarë, mburravecë, trillues ligësish, të pabindur ndaj prindërve, të paarsyeshëm, të pabesë, pa dashuri të natyrshme, të papajtueshëm, të pamëshirshëm. Por ata, ndonëse e kanë njohur dekretin e Perëndisë sipas të cilit ata që bëjnë gjëra të tilla meritojnë vdekjen, jo vetëm i bëjnë, por miratojnë edhe ata që i kryejnë.

Romakëve 1:16-32

Romakëve 1:16-32 ALBBRomakëve 1:16-32 ALBBRomakëve 1:16-32 ALBBRomakëve 1:16-32 ALBBRomakëve 1:16-32 ALBBRomakëve 1:16-32 ALBBRomakëve 1:16-32 ALBB