Të nesërmen, Gjoni e pa Jezusin që po vinte drejt tij dhe tha: ''Ja, Qengji i Perëndisë, që heq mëkatin e botës!
Ky është ai për të cilin unë thashë: "Mbas meje vjen një burrë që më ka paraprirë, sepse ishte përpara meje!".
Unë nuk e njihja, prandaj erdha të pagëzoj me ujë, që ky t'i zbulohet Izraelit''.
Dhe Gjoni dëshmoi duke thënë: ''E pashë Frymën duke zbritur nga qielli si një pëllumb dhe ndenji mbi të.
Unë nuk e njihja, por ai që më dërgoi të pagëzoj në ujë, më tha: "Ai, mbi të cilin do të shikosh se zbret Fryma dhe qëndron mbi të, është ai që pagëzon me Frymën e Shenjtë".
Dhe unë pashë e dëshmova se ai është Biri i Perëndisë''.
Të nesërmen Gjoni rrinte përsëri atje me dy nga dishepujt e vet.
Dhe, duke i ngulur sytë mbi Jezusin që po kalonte, tha: ''Ja Qengji i Perëndisë!''.
Dhe të dy dishepujt dëgjuan atë duke folur, dhe e ndoqën Jezusin.
Por Jezusi u kthye dhe, kur pa se po e ndiqnin, u tha atyre: ''Ç'kërkoni?''. Ata i thanë: ''Rabi (që e përkthyer do të thotë "mësues"), ku banon?''.
Ai iu përgjigj atyre: ''Ejani e shikoni''. Ata shkuan dhe e panë ku banonte ai, dhe ndenjën atë ditë bashkë me të. Ishte rreth orës dhjetë.
Andrea, vëllai i Simon Pjetrit, ishte një nga ata të dy që e kishin dëgjuar këtë nga Gjoni dhe kishin ndjekur Jezusin.
Ky gjeti më të parin vëllanë e vet, Simonin, dhe i tha: ''E gjetëm Mesian që përkthyer do të thotë: "Krishti"'';
dhe e çoi te Jezusi. Atëherë Jezusi e shikoi dhe tha: ''Ti je Simoni, bir i Jonas. Ti do të quhesh Kefa, që do të thotë: "gur"''.
Të nesërmen, Jezusi donte të dilte në Galile; gjeti Filipin dhe i tha: ''Ndiqmë!''.
Dhe Filipi ishte nga Betsaida, nga qyteti i Andreas dhe i Pjetrit.
Filipi gjeti Natanaelin dhe i tha: ''E gjetëm atë, për të cilin shkroi Moisiu në ligj dhe profetët: Jezusin nga Nazareti, të birin e Jozefit!''.
Dhe Natanaeli i tha: ''A mund të dalë diçka e mirë nga Nazareti?''. Filipi i tha: ''Eja e shih!''.
Jezusi pa se Natanaeli po vinte drejt tij dhe tha për të: ''Ja një Izraelit i vërtetë, tek i cili s'ka mashtrim''.
Natanaeli i tha: ''Nga më njeh?''. Jezusi u përgjigj dhe i tha: ''Të pashë kur ishe nën fik, para se të të thërriste Filipi''.
Natanaeli duke iu përgjigjur tha: ''Mësues, ti je Biri i Perëndisë, ti je mbreti i Izraelit!''.
Jezusi u përgjigj dhe i tha: ''Sepse të thashë se të pashë nën fik, ti beson; do të shohësh gjëra më të mëdha se këto!''.
Pastaj i tha: ''Në të vërtetë, në të vërtetë po ju them se tash e tutje ju do të shihni qiellin e hapur dhe engjëjt e Perëndisë duke u ngjitur dhe duke zbritur mbi Birin e njeriut''.