Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Gjoni 1:29-51

Gjoni 1:29-51 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)

Të nesërmen Gjoni pa Jezuin që po vinte drejt tij e tha: «Ja Qengji i Perëndisë që merr mbi vete mëkatin e botës! Ky është ai për të cilin ju thashë: “Pas meje vjen dikush që është më i madh se unë, sepse ishte përpara meje”. Unë nuk e njihja atë, prandaj erdha të pagëzoj me ujë që t'ia zbuloj Izraelit». Gjoni dëshmoi: «Pashë Shpirtin tek zbriste prej qiellit si pëllumb e që qëndroi mbi të. Unë nuk e njihja atë, por ai që më dërgoi të pagëzoj me ujë më tha: “Ai mbi të cilin do të shohësh Shpirtin duke zbritur e duke qëndruar mbi të, është ai që do të pagëzojë me Shpirtin e shenjtë”. Unë e kam parë dhe dëshmoj se ky është Biri i Perëndisë». Të nesërmen, Gjoni po qëndronte sërish atje bashkë me dy prej dishepujve të tij dhe kur pa Jezuin që po kalonte, tha: «Ja Qengji i Perëndisë!». Dy dishepujt, kur dëgjuan çfarë tha Gjoni, i shkuan pas Jezuit. Jezui u kthye e kur pa se po i shkonin pas, i pyeti: «Çfarë kërkoni?». Ata i thanë: «Rabbi, “që do të thotë mësues”, ku banon?». Jezui u tha: «Ejani e shihni!». Ata shkuan, panë ku banonte dhe atë ditë qëndruan me të. Ora ishte rreth katër e pasdites. Andrea, vëllai i Simon Pjetrit, ishte njëri prej atyre të dyve që ndoqën Jezuin, pasi dëgjuan çfarë tha Gjoni. Ai takoi të parin vëllanë e vet, Simonin, e i tha: «Gjetëm Mesinë!», domethënë Krishtin. Pastaj e çoi atë te Jezui, i cili sapo e pa, i tha: «Ti je Simoni, biri i Gjonit. Ti do të quhesh Kefa», që do të thotë Pjetër, shkëmb. Të nesërmen, Jezui vendosi të shkojë në Galile. Ai takoi Filipin e i tha: «Më ndiq!». Filipi ishte nga Betsaida, nga qyteti i Andreas e i Pjetrit. Filipi gjeti Natanaelin e i tha: «E gjetëm atë për të cilin kanë shkruar Moisiu në ligj dhe profetët, Jezuin nga Nazareti, birin e Jozefit». Natanaeli e pyeti: «A mund të dalë ndonjë gjë e mirë nga Nazareti?». «Eja e shih!», iu përgjigj Filipi. Jezui pa Natanaelin që po shkonte drejt tij e tha për të: «Ja një izraelit i vërtetë tek i cili nuk ka mashtrim!». Natanaeli e pyeti: «Nga më njeh?». Jezui iu përgjigj: «Të pashë kur ishe nën fik, përpara se të të thërriste Filipi». Natanaeli tha: «Mësues, ti je Biri i Perëndisë! Ti je mbreti i Izraelit!». Jezui i tha: «Ti beson vetëm sepse të thashë se të pashë nën fik? Do të shohësh gjëra edhe më të mëdha!». Pastaj Jezui i tha: «Me të vërtetë po ju them: do të shihni qiellin e hapur dhe engjëjt e Perëndisë duke u ngjitur e duke zbritur mbi Birin e njeriut».

Gjoni 1:29-51 Bibla Shqip 1994 (ALBB)

Të nesërmen, Gjoni e pa Jezusin që po vinte drejt tij dhe tha: ''Ja, Qengji i Perëndisë, që heq mëkatin e botës! Ky është ai për të cilin unë thashë: "Mbas meje vjen një burrë që më ka paraprirë, sepse ishte përpara meje!". Unë nuk e njihja, prandaj erdha të pagëzoj me ujë, që ky t'i zbulohet Izraelit''. Dhe Gjoni dëshmoi duke thënë: ''E pashë Frymën duke zbritur nga qielli si një pëllumb dhe ndenji mbi të. Unë nuk e njihja, por ai që më dërgoi të pagëzoj në ujë, më tha: "Ai, mbi të cilin do të shikosh se zbret Fryma dhe qëndron mbi të, është ai që pagëzon me Frymën e Shenjtë". Dhe unë pashë e dëshmova se ai është Biri i Perëndisë''. Të nesërmen Gjoni rrinte përsëri atje me dy nga dishepujt e vet. Dhe, duke i ngulur sytë mbi Jezusin që po kalonte, tha: ''Ja Qengji i Perëndisë!''. Dhe të dy dishepujt dëgjuan atë duke folur, dhe e ndoqën Jezusin. Por Jezusi u kthye dhe, kur pa se po e ndiqnin, u tha atyre: ''Ç'kërkoni?''. Ata i thanë: ''Rabi (që e përkthyer do të thotë "mësues"), ku banon?''. Ai iu përgjigj atyre: ''Ejani e shikoni''. Ata shkuan dhe e panë ku banonte ai, dhe ndenjën atë ditë bashkë me të. Ishte rreth orës dhjetë. Andrea, vëllai i Simon Pjetrit, ishte një nga ata të dy që e kishin dëgjuar këtë nga Gjoni dhe kishin ndjekur Jezusin. Ky gjeti më të parin vëllanë e vet, Simonin, dhe i tha: ''E gjetëm Mesian që përkthyer do të thotë: "Krishti"''; dhe e çoi te Jezusi. Atëherë Jezusi e shikoi dhe tha: ''Ti je Simoni, bir i Jonas. Ti do të quhesh Kefa, që do të thotë: "gur"''. Të nesërmen, Jezusi donte të dilte në Galile; gjeti Filipin dhe i tha: ''Ndiqmë!''. Dhe Filipi ishte nga Betsaida, nga qyteti i Andreas dhe i Pjetrit. Filipi gjeti Natanaelin dhe i tha: ''E gjetëm atë, për të cilin shkroi Moisiu në ligj dhe profetët: Jezusin nga Nazareti, të birin e Jozefit!''. Dhe Natanaeli i tha: ''A mund të dalë diçka e mirë nga Nazareti?''. Filipi i tha: ''Eja e shih!''. Jezusi pa se Natanaeli po vinte drejt tij dhe tha për të: ''Ja një Izraelit i vërtetë, tek i cili s'ka mashtrim''. Natanaeli i tha: ''Nga më njeh?''. Jezusi u përgjigj dhe i tha: ''Të pashë kur ishe nën fik, para se të të thërriste Filipi''. Natanaeli duke iu përgjigjur tha: ''Mësues, ti je Biri i Perëndisë, ti je mbreti i Izraelit!''. Jezusi u përgjigj dhe i tha: ''Sepse të thashë se të pashë nën fik, ti beson; do të shohësh gjëra më të mëdha se këto!''. Pastaj i tha: ''Në të vërtetë, në të vërtetë po ju them se tash e tutje ju do të shihni qiellin e hapur dhe engjëjt e Perëndisë duke u ngjitur dhe duke zbritur mbi Birin e njeriut''.

Gjoni 1:29-51

Gjoni 1:29-51 ALBB