Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Kolosianëve 2:6-19

Kolosianëve 2:6-19 ALBB

Ashtu si e keni marrë Krishtin Jezus, Zotin, ashtu, pra, ecni në të, duke pasur rrënjë dhe duke u ndërtuar në të, dhe duke u forcuar në besim ashtu sikurse ju mësuan, duke mbushulluar në të me falënderim. Tregoni kujdes se mos ndokush ju bën prenë e tij me anë të filozofisë dhe me mashtrime të kota, sipas traditës së njerëzve, sipas elementeve të botës dhe jo sipas Krishtit, sepse tek ai banon trupërisht gjithë plotësia e Hyjnisë. Dhe ju keni marrë plotësinë në të, sepse ai është krye e çdo principate e pushteti, në të cilin ju edhe u rrethpretë me një rrethprerje që nuk u bë me dorë, por me rrethprerjen e Krishtit, me anë të zhveshjes së trupit nga mëkatet e mishit: të varrosur bashkë në të në pagëzim, ju edhe u ringjallët bashkë në të, me anë të besimit në fuqinë e Perëndisë që e ka ringjallur prej së vdekurish. Dhe bashkë me të Perëndia ju dha jetë ju, që kishit vdekur në mëkate dhe në parrethprerjen e mishit, duke jua falur të gjitha mëkatet. Ai e zhvlerësoi dokumentin e urdhërimeve, që ishte kundër nesh dhe ishte kundërshtar, dhe e hoqi nga mesi duke e mbërthyer në kryq; dhe mbasi i zhveshi pushtetet dhe principatat, ua tregoi sheshit njerëzve, duke ngadhënjyer mbi ata në të. Prandaj askush të mos ju gjykojë për ushqime ose pije, për festa o hënë të re, o të shtuna; këto gjëra janë hija e atyre që kanë për të ardhur; por trupi është i Krishtit. Askush të mos përvetësojë prej jush çmimin me pretekst përulësie dhe kulti të engjëjve, duke u përzier në gjëra që nuk i ka parë, i fryrë nga një krenari e kotë për shkak të mendjes së tij mishërore, dhe nuk mbahet te kryet, prej të cilit gjithë trupi, i ushqyer mirë dhe i lidhur i tëri me anë të nyjave dhe të gjymtyrëve rritet me rritjen e Perëndisë.