Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Kolosianëve 2:6-19

Kolosianëve 2:6-19 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)

Kështu, përderisa e keni pranuar Jezu Krishtin si Zot, jetoni të bashkuar me të. Tek ai t'i keni rrënjët e mbi të ta ndërtoni jetën tuaj. Bëhuni më të qëndrueshëm në besim, ashtu siç ju kanë mësuar, dhe jini plot mirënjohje. Kujdes se mos ju mashtron ndokush me fjalë filozofike, mashtruese e të kota, fjalë që vijnë nga tradita njerëzore, nga fuqitë shpirtërore të kësaj bote e jo nga Krishti. Në të vërtetë, gjithë plotësia e natyrës hyjnore banon trupërisht në Krishtin dhe të bashkuar me Krishtin edhe ju e keni këtë plotësi. Ai është mbi çdo pari e pushtet. Të bashkuar me Krishtin, ju keni rrethprerjen e vërtetë, jo rrethprerjen e bërë nga duar njerëzore, por rrethprerjen që vjen nga Krishti dhe që është zhveshja e trupit të mëkatit. Ju u varrosët me Krishtin gjatë pagëzimit, por edhe u ngjallët bashkë me të nëpërmjet besimit te fuqia e Perëndisë që e ngjalli Krishtin prej të vdekurve. Ju ishit të vdekur për shkak të paudhësive tuaja dhe të parrethprerjes, por Perëndia ju dha jetë e jua fali paudhësitë. Ai e fshiu dhe e zhduku dorëshkrimin që na padiste dhe që ishte kundër nesh për shkak të urdhërimeve të tij, duke e mbërthyer në kryq. Kështu Perëndia i çarmatosi paritë e pushtetet djallëzore dhe i turpëroi botërisht kur ngadhënjeu kryqi. Mos lejoni t'ju gjykojë askush për çështje ushqimesh a pijesh, për çështje festash, hënash të reja a të shtunash. Këto nuk janë veçse hije të gjërave që duhej të vinin, domethënë të pranisë së vërtetë të Krishtit. Mos lejoni t'ju gjykojë ndonjëri që hiqet si më i lartë për shkak të vegimeve që ka parë apo që këmbëngul në përulësi të jashtme e në adhurime engjëjsh, sepse ky njeri krekoset më kot për shkak të mendjes së tij njerëzore. Ai njeri nuk ka lidhje me kreun e trupit, Krishtin, nga i cili ushqehet i gjithë trupi dhe mbahet i lidhur me anë të nyjave dhe të kyçeve, duke u rritur sipas vullnetit të Perëndisë.

Kolosianëve 2:6-19 Bibla Shqip 1994 (ALBB)

Ashtu si e keni marrë Krishtin Jezus, Zotin, ashtu, pra, ecni në të, duke pasur rrënjë dhe duke u ndërtuar në të, dhe duke u forcuar në besim ashtu sikurse ju mësuan, duke mbushulluar në të me falënderim. Tregoni kujdes se mos ndokush ju bën prenë e tij me anë të filozofisë dhe me mashtrime të kota, sipas traditës së njerëzve, sipas elementeve të botës dhe jo sipas Krishtit, sepse tek ai banon trupërisht gjithë plotësia e Hyjnisë. Dhe ju keni marrë plotësinë në të, sepse ai është krye e çdo principate e pushteti, në të cilin ju edhe u rrethpretë me një rrethprerje që nuk u bë me dorë, por me rrethprerjen e Krishtit, me anë të zhveshjes së trupit nga mëkatet e mishit: të varrosur bashkë në të në pagëzim, ju edhe u ringjallët bashkë në të, me anë të besimit në fuqinë e Perëndisë që e ka ringjallur prej së vdekurish. Dhe bashkë me të Perëndia ju dha jetë ju, që kishit vdekur në mëkate dhe në parrethprerjen e mishit, duke jua falur të gjitha mëkatet. Ai e zhvlerësoi dokumentin e urdhërimeve, që ishte kundër nesh dhe ishte kundërshtar, dhe e hoqi nga mesi duke e mbërthyer në kryq; dhe mbasi i zhveshi pushtetet dhe principatat, ua tregoi sheshit njerëzve, duke ngadhënjyer mbi ata në të. Prandaj askush të mos ju gjykojë për ushqime ose pije, për festa o hënë të re, o të shtuna; këto gjëra janë hija e atyre që kanë për të ardhur; por trupi është i Krishtit. Askush të mos përvetësojë prej jush çmimin me pretekst përulësie dhe kulti të engjëjve, duke u përzier në gjëra që nuk i ka parë, i fryrë nga një krenari e kotë për shkak të mendjes së tij mishërore, dhe nuk mbahet te kryet, prej të cilit gjithë trupi, i ushqyer mirë dhe i lidhur i tëri me anë të nyjave dhe të gjymtyrëve rritet me rritjen e Perëndisë.

Kolosianëve 2:6-19

Kolosianëve 2:6-19 ALBBKolosianëve 2:6-19 ALBBKolosianëve 2:6-19 ALBB