Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Mateu 10

10
Të dymbëdhjetët
(Mk 3.13-19; Lk 6.12-16)
1Pasi thirri pranë vetes dymbëdhjetë dishepujt, Jezui u dha atyre pushtet për të dëbuar shpirtrat e ndyrë e për të shëruar çdo sëmundje e lëngatë. 2Këta janë emrat e dymbëdhjetë apostujve: i pari Simoni, që quhet Pjetër, dhe Andrea, vëllai i tij; Jakobi i Zebedeut e Gjoni, vëllai i tij; 3Filipi e Bartolomeu; Thomai e Mate Tagrambledhësi; Jakobi, biri i Alfeut, dhe Tadeu#10.3 dorëshk. të tjera edhe: që e thërrisnin Lebe; 4Simon Kananiti e Judë Iskarioti, ai që e tradhtoi.
Porositë për të dymbëdhjetët
(Mk 6.7-13; Lk 9.1-6)
5Jezui i dërgoi këta dymbëdhjetë dishepuj e i porositi kështu: «Mos shkoni udhës së kombeve e mos hyni në asnjë qytet samaritanësh, 6por shkoni te delet e humbura të shtëpisë së Izraelit. 7Ndërsa shkoni, predikoni e thoni: “Mbretëria e qiejve është afër”. 8Shëroni të sëmurët, ngjallni të vdekurit, pastroni të lebrosurit, dëboni djajtë. Falas morët, falas jepni. 9Mos merrni me vete as ar, as argjend, as bakër, 10as torbë për udhëtim, as dy tunika, as sandale, as shkop, sepse punëtori ka të drejtë të ushqehet. 11Në çfarëdo qyteti a fshati që të hyni, kërkoni atë që është i gatshëm t'ju presë në shtëpinë e tij dhe rrini atje derisa të niseni. 12Kur të hyni në një shtëpi, përshëndetini. 13Nëse ajo shtëpi është e denjë, le të vijë mbi të paqja juaj, por nëse nuk ju pret mirë, le të kthehet paqja juaj te ju. 14Dhe nëse ndokush nuk do t'ju pranojë apo nuk do të dëgjojë fjalët tuaja, kur të dilni nga ajo shtëpi, apo nga ai qytet, shkundni pluhurin nga këmbët. 15Me të vërtetë po ju them se në ditën e gjykimit më lehtë do ta ketë Sodoma e Gomorra, sesa ai qytet».
Parashikimi i përndjekjeve
(Mk 13.9-13; Lk 21.12-17)
16«Ja, po ju dërgoj si delet mes ujqve, prandaj jini të zgjuar si gjarpërinjtë e të pastër si pëllumbat. 17Ruhuni nga njerëzit, se do t'ju dorëzojnë nëpër sinedra e do t'ju fshikullojnë në sinagogat e tyre. 18Do t'ju tërheqin zvarrë para qeveritarëve e mbretërve për shkakun tim, që të jepni dëshmi para tyre e para kombeve. 19Kur t'ju dorëzojnë, mos u shqetësoni sesi do të flisni apo se çfarë do të thoni, sepse ajo që do të thoni do t'ju jepet në atë çast. 20Nuk jeni ju ata që do të flisni, por Shpirti i Atit tuaj që do të flasë përmes jush. 21Vëllai do ta dorëzojë vëllanë, që ta dënojnë me vdekje, dhe ati të birin. Bijtë do të ngrihen kundër prindërve e do t'i çojnë drejt vdekjes. 22Të gjithë do t'ju urrejnë për shkak të emrit tim, por ai që do të qëndrojë deri në fund do të shpëtohet. 23Kur t'ju përndjekin në një qytet, shkoni në një tjetër. Me të vërtetë po ju them se nuk do t'i keni përshkuar të gjitha qytetet e Izraelit para se të vijë Biri i njeriut.
24Dishepulli nuk është më i madh se mësuesi dhe shërbëtori nuk është më i madh se i zoti. 25Dishepullit i mjafton të jetë si mësuesi i tij dhe shërbëtorit të jetë si i zoti. Nëse e quajtën Beelzebul të zotin e shtëpisë, aq më shumë do t'i quajnë ashtu ata të shtëpisë së tij».
Kujt t'i trembemi
(Lk 12.2-7)
26«Prandaj mos kini frikë prej tyre, sepse nuk ka asgjë të mbuluar që s'do të zbulohet, apo të fshehtë që s'do të merret vesh. 27Çfarë po ju them në errësirë, thuajeni në dritë dhe çfarë ju pëshpëritet në vesh, shpalleni nga çatitë. 28Mos kini frikë nga ata që vrasin trupin, por nuk mund të vrasin shpirtin. Kini frikë atë që mund të shkatërrojë edhe shpirtin, edhe trupin në Gehenë. 29A nuk shiten dy harabela për një qindarkë? Megjithatë asnjë prej tyre nuk bie në tokë pa vullnetin e Atit tuaj. 30Madje edhe fijet e flokëve tuaj janë të gjitha të numëruara. 31Prandaj, mos kini frikë! Ju vleni më tepër se shumë harabela».
Të dëshmosh për Krishtin
(Lk 12.8-9)
32«Kështu, kushdo që më rrëfen para njerëzve, edhe unë do ta rrëfej para Atit tim që është në qiej, 33por kushdo që më mohon para njerëzve, edhe unë do ta mohoj para Atit tim që është në qiej».
Jo paqen, por shpatën
(Lk 12.51-53; 14.26-27)
34«Mos mendoni se erdha të sjell paqen në tokë. Nuk erdha të sjell paqen, por shpatën. 35Kam ardhur të ndaj
birin nga i ati,
bijën nga e ëma;
nusen nga e vjehrra;
36dhe armiqtë e njeriut
do të jenë ata të shtëpisë së tij.
37Kush e do të atin apo të ëmën më shumë se mua, nuk është i denjë për mua dhe ai që e do të birin ose të bijën më shumë se mua, nuk është i denjë për mua. 38Kush nuk e merr kryqin e vet për të më ndjekur, nuk është i denjë për mua. 39Kush e gjen jetën e vet, do ta humbasë atë dhe ai që e humb jetën e vet për shkakun tim, do ta gjejë atë».
Shpërblimi
(Mk 9.41)
40«Kush ju pranon ju, më pranon mua dhe kush më pranon mua, pranon atë që më ka dërguar. 41Kush pranon një profet se është profet, do të marrë shpërblimin e profetit dhe kush pranon një njeri të drejtë se është i drejtë, do të marrë shpërblimin e njeriut të drejtë. 42Kushdo që i jep njërit prej këtyre të vegjëlve qoftë edhe një gotë ujë të ftohtë, sepse është dishepull, me të vërtetë po ju them se ai nuk do ta humbasë shpërblimin e tij».

Aktualisht i përzgjedhur:

Mateu 10: AL

Thekso

Ndaje

Copy

None

A doni që theksimet tuaja të jenë të ruajtura në të gjitha pajisjet që keni? Regjistrohu ose hyr