Mateu 9
9
Shërimi i të paralizuarit
(Mk 2.1-12; Lk 5.17-26)
1Si hipi në varkë, Jezui kaloi në bregun tjetër dhe erdhi në qytetin e vet. 2Atëherë i sollën një të paralizuar, të shtrirë në një vig. Kur pa besimin e tyre, Jezui i tha të paralizuarit: «Merr zemër, biri im, të janë falur mëkatet». 3Disa nga shkruesit thanë me vete: «Ky po fyen Perëndinë». 4Meqenëse Jezui i njihte mendimet e tyre, u tha: «Pse keni këto mendime të këqija në zemrat tuaja? 5Çfarë është më e lehtë, të thuash “të janë falur mëkatet” apo të thuash “ngrihu dhe ec”? 6Mirëpo, që ta dini se Biri i njeriut ka pushtetin të falë mëkatet mbi tokë, “i tha të paralizuarit”, ngrihu, merre vigun e shko në shtëpi!». 7Ai u ngrit e shkoi në shtëpi. 8Kur panë këtë gjë, turmat i zuri frika dhe përlëvduan Perëndinë që u kishte dhënë njerëzve një pushtet kaq të madh.
Thirrja e Mateut
(Mk 2.13-17; Lk 5.27-32)
9Si u largua prej andej, Jezui pa një njeri që rrinte ulur në bankën e tagrave. Ai quhej Mate. Jezui i tha: «Më ndiq!». Ai u ngrit e i shkoi pas. 10Ndërsa ishin ulur për të ngrënë në shtëpinë e Mateut, erdhën shumë tagrambledhës e mëkatarë, që u ulën në tryezë me Jezuin dhe me dishepujt e tij. 11Kur panë këtë gjë, farisenjtë u thanë dishepujve: «Përse mësuesi juaj ha me tagrambledhës e me mëkatarë?». 12Por kur e dëgjoi këtë, Jezui tha: «Nuk janë të shëndoshët ata që kanë nevojë për mjekun, por të sëmurët. 13Shkoni e mësoni çfarë do të thotë: dua mëshirë e jo flijime. Unë nuk kam ardhur të thërras#9.13 dorëshk. të tjera edhe: në pendim të drejtët, por mëkatarët».
Agjërimi
(Mk 2.18-22; Lk 5.33-39)
14Atëherë iu afruan dishepujt e Gjonit e i thanë: «Përse ne dhe farisenjtë agjërojmë shumë, ndërsa dishepujt e tu nuk agjërojnë?». 15Jezui u tha: «A mund të mbajnë zi dasmorët kur dhëndri është me ta? Por do të vijë dita kur do t'ua rrëmbejnë dhëndrin e atëherë do të agjërojnë. 16Askush nuk vë një arnë prej një cope të re në një rrobë të vjetër, sepse arna e gris rrobën e grisja bëhet më e madhe. 17Askush nuk hedh verë të re në kacekë të vjetër, se kacekët çahen, vera derdhet e kështu humbasin edhe kacekët. Prandaj, vera e re hidhet në kacekë të rinj e kështu ruhen që të dyja».
Prekja shëruese
(Mk 5.21-43; Lk 8.40-56)
18Ndërsa Jezui po fliste me ta, iu afrua një kryetar sinagoge, që i ra në gjunjë e i tha: «Sapo më vdiq vajza, por eja vëri duart mbi të dhe ajo do të jetojë». 19Jezui u ngrit e shkoi pas tij bashkë me dishepujt. 20Dhe ja, një grua që vuante nga hemorragjia prej dymbëdhjetë vjetësh iu afrua nga pas dhe i preku cepin e gunës. 21Sepse thoshte me vete: «Sikur t'i prek vetëm gunën, do të shpëtoj». 22Jezui u kthye, e pa e i tha: «Merr zemër, bija ime, besimi yt të shpëtoi». Dhe që nga ai çast ajo grua u shërua. 23Kur arriti te shtëpia e kryetarit të sinagogës dhe pa fyelltarët e turmën e zhurmshme, 24Jezui tha: «Largohuni se vajza nuk ka vdekur, por po fle». Por ata e përqeshën. 25Kur e nxorën turmën përjashta, ai hyri, e mori vajzën për dore dhe ajo u ngrit. 26Lajmi për këtë mrekulli u përhap në mbarë krahinën.
Shërimi i dy të verbërve
27Kur Jezui u largua që andej, i shkuan pas dy të verbër që thërrisnin: «Ki mëshirë për ne, Biri i Davidit!». 28Si arritën në shtëpi, të verbrit iu afruan dhe Jezui u tha: «A besoni se mund ta bëj këtë gjë?». Ata i thanë: «Po, o Zot!». 29Atëherë ai u preku sytë e u tha: «U bëftë sipas besimit tuaj!». 30Dhe atyre iu hapën sytë. Jezui i urdhëroi: «Kini kujdes se mos e merr vesh njeri». 31Por ata, sapo dolën, e përhapën lajmin në mbarë krahinën.
Shërimi i një shurdhmemeci
32Ndërsa po dilnin, i sollën një shurdhmemec që ishte i pushtuar nga djalli. 33Kur u dëbua djalli, shurdhmemeci foli dhe turmat u mrekulluan e thanë: «Nuk është parë asnjëherë një gjë e tillë në Izrael». 34Por farisenjtë thanë: «Ai i dëbon djajtë me fuqinë e kryetarit të djajve».
Dhembshuria e Jezuit
35Jezui i përshkoi të gjitha qytetet dhe fshatrat duke mësuar njerëzit në sinagogat e tyre, duke predikuar ungjillin e mbretërisë e duke shëruar çdo sëmundje e lëngatë. 36Kur pa turmat, iu dhimbsën, sepse ishin të lodhura e të braktisura, si delet pa bari. 37Atëherë u tha dishepujve: «Të korrat janë të mëdha, por punëtorë ka pak. 38Lutjuni të zotit të të korrave të dërgojë punëtorë në të korrat e veta».
Aktualisht i përzgjedhur:
Mateu 9: AL
Thekso
Ndaje
Copy
A doni që theksimet tuaja të jenë të ruajtura në të gjitha pajisjet që keni? Regjistrohu ose hyr
© Shoqëria Biblike Ndërkonfesionale e Shqipërisë 2020
© Interconfessional Bible Society of Albania 2020