Tobia 11
11
Shërimi i Tobitit
1Kur iu afruan Kaserinit, kundruall Ninivës, Rafaeli tha: 2«Ti e di si e kemi lënë atin tënd. 3Të shkojmë para gruas sate e të përgatitim shtëpinë, para se të vijnë njerëz». 4Ndërsa po ecnin të dy bashkë, Rafaeli i tha: «Mbaje në dorë tëmthin». Edhe qeni ecte me ta, para tij dhe Tobisë. 5Ana ishte ulur dhe po vëzhgonte udhën e birit të vet. 6Kur vërejti se po vinte, i tha atit të tij: «Ja, po vjen yt bir dhe njeriu që kishte shkuar me të».
7Rafaeli i tha Tobisë, para se t'i afrohej të atit: «E di mirë se sytë e tij do të hapen sërish. 8Lyeja sytë me tëmthin e peshkut, se bari do t'ia hollojë e do t'ia heqë cipën e syve dhe yt atë do të shikojë sërish e do të shohë dritën».
9Ana vrapoi, iu hodh në qafë të birit e i tha: «Të pashë, o bir, prandaj mund të vdes që tani». Dhe u shkreh në vaj. 10Edhe Tobiti u çua dhe, duke iu marrë këmbët, doli te dera e tremes. 11Tobia eci drejt tij me tëmthin e peshkut në dorë, i fryu në sy, e mbajti dhe tha: «Guxim, atë!». Dhe i vuri barin në sy. 12Pastaj, me të dyja duart, ia hoqi cipat nga cepat e syve. 13Atëherë ai iu hodh në qafë, shpërtheu në vaj e i tha: «Të shoh, o bir, drita e syve të mi!». 14E tha:
«Qoftë bekuar Perëndia,
bekuar qoftë emri i tij i madh,
bekuar qofshin tërë engjëjt e shenjtë të tij!
U madhëroftë ndër ne emri i tij i madh,
bekuar qofshin engjëjt përgjithmonë»!
15Atëherë Tobia hyri i ngazëlluar dhe bekoi Perëndinë me plot gojën. Tobia i tregoi të atit se udha i kishte shkuar mbarë, se e kishte sjellë argjendin, se ishte martuar me Sarën, të bijën e Raguelit, dhe se ajo ishte udhës, shumë afër portës së Ninivës.
16Tobiti i doli para nuses te porta e Ninivës me hare e duke bekuar Perëndinë. Kur banorët e Ninivës e panë duke ardhur e duke ecur tërë fuqi e pa e marrë për dore askush, mbetën të habitur. 17Tobiti iu afrua Sarës, gruas së Tobisë, birit të vet, e bekoi e i tha: «Qofsh e mirë se ardhur, o bijë! Bekuar qoftë Perëndia yt, që të solli te ne, o bijë! Bekuar qoftë ati yt, bekuar qoftë Tobia, im bir, e bekuar qofsh ti, o bijë! Hyr në shtëpinë tënde e mirë se erdhe, me bekim e hare. Hyr, o bijë!». 18Atë ditë u gëzuan të gjithë judenjtë që gjendeshin në Ninivë. 19Edhe Ahihari e Nadabi, nipërit e tij, erdhën e u gëzuan me të.
Aktualisht i përzgjedhur:
Tobia 11: AL1
Thekso
Ndaje
Copy
A doni që theksimet tuaja të jenë të ruajtura në të gjitha pajisjet që keni? Regjistrohu ose hyr
© Shoqëria Biblike Ndërkonfesionale e Shqipërisë 2020
© Interconfessional Bible Society of Albania 2020