Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Tobia 10

10
Kthimi i Tobisë
1Tobiti i numëronte çdo ditë ditët që i duheshin Tobisë për të shkuar e për t'u kthyer. Pasi u sosën ditët dhe i biri nuk po dukej, 2tha: «Mos e kanë mbajtur atje? Apo mos kishte vdekur Gabaeli dhe nuk kishte kush t'ia jepte argjendin?». 3Dhe filloi të shqetësohej.
4Gruaja e tij, Ana, thoshte: «Më humbi djali e nuk gjendet ndër të gjallë». Pastaj nisi të qante e të mbante zi për djalin, duke thënë: 5«Mjerë unë, o djalë, që të lashë të shkoje, o drita e syve të mi!». 6Por Tobiti i thoshte: «Pusho e mos e hyr në mendime, o motër, se është shëndoshë. Do të kenë hasur në ndonjë befasi atje. Njeriu që shkoi me të është i besueshëm dhe është njëri ndër vëllezërit tanë. Mos mbaj zi për të, o motër, se do të vijë shpejt». 7Ajo iu përgjigj: «Më lër të qetë e mos më gënje. Im bir ka humbur». Ajo dilte çdo ditë dhe shikonte rrugën, që kishte marrë i biri, pa i zënë besë askujt. Pasi perëndonte dielli, hynte brenda, vajtonte e qante tërë natën dhe nuk e zinte gjumi.
8Kur u plotësuan katërmbëdhjetë ditët e dasmës, që Ragueli kishte caktuar të bëhej për bijën e vet, Tobia shkoi tek ai e i tha: «Më lër të nisem. E di se im atë e ime më nuk besojnë se do të më shohin më, prandaj po të lutem, o atë, të më lësh të nisem e të shkoj tek im atë. Të kam treguar tashmë si e kam lënë». 9Atëherë Ragueli i tha Tobisë: «Rri, bir, rri me mua. Do t'i dërgoj lajmëtarë Tobitit, atit tënd, dhe do t'i tregojnë për ty». Por ai iu përgjigj: «Kurrsesi. Të lutem të më lësh të nisem menjëherë për tek im atë».
10Ragueli u ngrit, i dha Tobisë Sarën, gruan e vet, gjysmën e pronave në skllevër, skllave, qe, dele, gomarë, deve, rroba, para e orendi, 11i nisi shëndoshë e mirë, e përqafoi e i tha: «Paç shëndet, bir! Udhë të mbarë! Zoti i qiellit të dhëntë të mbarën ty e gruas sate, Sarës, e ju pafsha fëmijët para se të vdes». 12Sarës, bijës së vet, i tha: «Shko te vjehrri yt, se që tani janë bërë si prindërit e tu. Shko në paqe, bijë, dhe dëgjofsha mirë për ty sa të jem gjallë». I përqafoi dhe i nisi. 13Edhe Edna i tha Tobisë: «Bir e vëlla i dashur, paç Zotin me vete e të pafsha me fëmijë sa të jem gjallë ty dhe Sarën, bijën time, para se të vdes. Para Zotit po ta besoj bijën time. Mos e brengos asnjë ditë të jetës sate. Bir, shko në paqe. Që tani mua më ke nënë e Sarën motër. Paçim mbarësi të gjithë në të gjitha ditët e jetës sonë!». Pastaj i puthi të dy dhe i nisi në paqe. 14Atëherë Tobia u nda nga Ragueli me shëndet e gëzim, duke bekuar Zotin e qiellit e të tokës, mbretin e gjithësisë, se ia kishte bërë udhën të mbarë. Pastaj Ragueli i tha: «Të dhëntë të mbarën, që t'i nderosh të gjitha ditët e jetës sate!».

Aktualisht i përzgjedhur:

Tobia 10: AL1

Thekso

Ndaje

Copy

None

A doni që theksimet tuaja të jenë të ruajtura në të gjitha pajisjet që keni? Regjistrohu ose hyr