Sa e bukur je, o mikja ime, sa e bukur je!
Si pëllumba sytë e tu
për nën vellon tënde,
flokët e tu si tufë dhish,
shpatit të Gileadit,
dhëmbët e tu si tufë delesh të qethura,
të gjitha dalë nga larja,
mbarsur me binjakë,
se asnjëra s'mbet pa pjellë.
Porsi fije të kuqe janë buzët e tua
e joshëse goja jote.
Porsi thelë shege janë mollëzat e tua
për nën vellon tënde.
Qafa jote, si kulla e Davidit,
ndërtuar me shtresa,
ku varen një mijë shqyte
me tërë mburojat e burrave trimoshë.
Dy gjinjtë e tu si dy kaproj
binjakë të drenushës,
kullotës ndër lilakë.
Pa pushuar era e ditës
e para se të zhduken hijet,
do të shkoj mbi malin e mirrës
e mbi kodrën e temjanit.
Krejt e bukur je, o mikja ime,
e asnjë të metë ti s'ke.
Me mua, o nuse,
me mua nga Libani eja,
zbrit nga maja e Amanasë,
nga majat e Senirit e Hermonit,
nga strofujt e luanëve,
nga malet e leopardëve.
Ti ma vodhe zemrën,
motërza ime, nuse,
ti ma vodhe zemrën
veç me një shikim,
veç me njërin varg
të gushores sate.