Kënga e këngëve 4
4
Ai
1Sa e bukur je, o mikja ime, sa e bukur je!
Si pëllumba sytë e tu
për nën vellon tënde,
flokët e tu si tufë dhish,
shpatit të Gileadit,
2dhëmbët e tu si tufë delesh të qethura,
të gjitha dalë nga larja,
mbarsur me binjakë,
se asnjëra s'mbet pa pjellë.
3Porsi fije të kuqe janë buzët e tua
e joshëse goja jote.
Porsi thelë shege janë mollëzat e tua
për nën vellon tënde.
4Qafa jote, si kulla e Davidit,
ndërtuar me shtresa,
ku varen një mijë shqyte
me tërë mburojat e burrave trimoshë.
5Dy gjinjtë e tu si dy kaproj
binjakë të drenushës,
kullotës ndër lilakë.
6Pa pushuar era e ditës
e para se të zhduken hijet,
do të shkoj mbi malin e mirrës
e mbi kodrën e temjanit.
7Krejt e bukur je, o mikja ime,
e asnjë të metë ti s'ke.
8Me mua, o nuse,
me mua nga Libani eja,
zbrit nga maja e Amanasë,
nga majat e Senirit e Hermonit,
nga strofujt e luanëve,
nga malet e leopardëve.
9Ti ma vodhe zemrën,
motërza ime, nuse,
ti ma vodhe zemrën
veç me një shikim,
veç me njërin varg
të gushores sate.
10Sa të këndshme janë
ato dhelet e tua,
o motërza ime, nuse!
Më dehëse se vera
janë dhelet e tua.
Të mermë vajrat e tu
mbi të gjitha erëzat.
11Buzët e tua si hoje pikojnë, o nuse,
nën gjuhë mjaltë ke e qumësht,
porsi erë Libani era e petkut tënd.
12Kopsht i ndryrë je ti, o motërza ime, nuse,
kopsht i ndryrë je ti e gurrë e vulosur.
13Njomëzat e tua janë kopsht shegësh
me fryte të zgjedhura, me këna e nard,
14me nard e shafran,
shavar e kanellë,
me çdo bimë temjani, mirre, aloeje
e me tëra kryeerëzat.
15Burimi i kopshtit,
gurra e ujit të gjallë
që rrjedh nga Libani!
Ajo
16Ngrihu, o murrlan,
eja ti, o jugë,
fryni në kopshtin tim,
që t'i përhapen erëzat
e brenda kopshtit të vet
të vijë i shtrenjti im
e t'i hajë ai
frytet më të mira.
Aktualisht i përzgjedhur:
Kënga e këngëve 4: AL1
Thekso
Ndaje
Copy
A doni që theksimet tuaja të jenë të ruajtura në të gjitha pajisjet që keni? Regjistrohu ose hyr
© Shoqëria Biblike Ndërkonfesionale e Shqipërisë 2020
© Interconfessional Bible Society of Albania 2020