Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Zbulesa 21

21
Qielli i ri dhe toka e re
1Pastaj pashë një qiell të ri e një tokë të re. Qielli i parë dhe toka e parë ishin zhdukur dhe as deti nuk ishte më. 2#21.2 dorëshk. të tjera edhe: Unë GjoniPashë edhe qytetin e shenjtë, Jerusalemin e ri, që zbriste nga qielli prej Perëndisë, si një nuse e zbukuruar për dhëndrin e saj.
3Atëherë dëgjova një zë të lartë nga froni që tha: «Ja banesa e Perëndisë me njerëzit! Ai do të banojë me ta dhe ata do të jenë populli i tij. Vetë Perëndia do të jetë me ta dhe ai do të jetë Perëndia i tyre. 4Ai do të fshijë çdo lot nga sytë e tyre dhe nuk do të ketë më as vdekje, as zi, as vajtim, as dhimbje, sepse bota e mëparshme mori fund».
5Ai që rrinte ulur në fron tha: «Ja, unë i bëj të reja të gjitha gjërat!». Pastaj më tha: «Shkruaj, sepse këto fjalë janë të besueshme dhe të vërteta!». 6Dhe shtoi: «U kryen! Unë jam Alfa e Omega, fillimi e mbarimi. Atij që ka etje, do t'i jap të pijë falas nga burimi i ujit të jetës. 7Ai që fiton, do t'i trashëgojë këto. Unë do të jem Perëndia i tij dhe ai do të jetë biri im.
8Ndërsa frikacakët, të pafetë, ndyrësirat, vrasësit, kurvarët, magjistarët, idhujtarët dhe të gjithë gënjeshtarët do ta kenë vendin në liqenin që digjet me zjarr e me squfur». Kjo është vdekja e dytë.
Jerusalemi i ri
9Pastaj erdhi një nga shtatë engjëjt, që kishin shtatë kupat e mbushura me shtatë plagët e fundit, e më tha: «Eja të të tregoj nusen, gruan e Qengjit!». 10Atëherë u rrëmbeva nga Shpirti dhe engjëlli më çoi në majën e një mali të madh e të lartë. Atje më tregoi qytetin e shenjtë, Jerusalemin, që zbriste nga qielli prej Perëndisë.
11Qyteti kishte lavdinë e Perëndisë dhe shkëlqente si gur i çmuar, si gur diaspri kristalor. 12Ai kishte një mur të madh e të lartë me dymbëdhjetë porta dhe mbi to qëndronin dymbëdhjetë engjëj. Mbi porta ishin shkruar emrat e dymbëdhjetë fiseve të Izraelit. 13Tri porta ishin nga lindja, tri nga veriu, tri nga jugu e tri nga perëndimi. 14Muri i qytetit kishte dymbëdhjetë themele, mbi të cilat ishin shkruar dymbëdhjetë emrat e dymbëdhjetë apostujve të Qengjit.
15Ai që fliste me mua kishte një shkop të artë matës për të matur qytetin, portat dhe murin e tij. 16Qyteti shtrihej në formë katrore dhe e kishte gjatësinë sa gjerësia. Engjëlli e mati qytetin me matës dhe ishte dy mijë e katërqind kilometra i gjatë. Gjatësia, gjerësia dhe lartësia ishin të barabarta. 17Mati edhe murin që ishte gjashtëdhjetë e gjashtë metra. Engjëlli përdori të njëjtën masë që përdor njeriu.
18Veshja e murit ishte prej diaspri, ndërsa qyteti vetë ishte prej ari të kulluar, të pastër si qelqi. 19Themelet e murit të qytetit ishin zbukuruar me të gjithë gurët e çmuar. Themeli i parë ishte prej diaspri, i dyti prej safiri, i treti prej kalcedoni, i katërti prej smeraldi, 20i pesti prej sardoniku, i gjashti prej sardi, i shtati prej krisoliti, i teti prej berili, i nënti prej topazi, i dhjeti prej krisopazi, i njëmbëdhjeti prej hiacinti dhe i dymbëdhjeti prej ametisti. 21Dymbëdhjetë portat kishin dymbëdhjetë margaritarë. Secila portë ishte bërë nga i njëjti margaritar, ndërsa sheshi i qytetit ishte prej ari të kulluar si qelq i tejdukshëm.
22Tempull nuk pashë në qytet, sepse tempulli i tij është Zoti Perëndi i gjithëpushtetshëm dhe Qengji. 23Qyteti nuk ka nevojë as për diell e as për hënë që të ndriçohet, sepse atë e ndriçon lavdia e Perëndisë dhe pishtari i tij është Qengji.
24Kombet do të ecin me dritën e tij dhe mbretërit e tokës do të sjellin aty lavdinë e tyre. 25Ditën portat nuk do të mbyllen kurrë dhe atje nuk do të ketë natë. 26Atje do të sjellin lavdinë dhe nderin e kombeve. 27Në të nuk do të hyjë asgjë e papastër dhe askush që bën gjëra të pështira a të gënjeshtërta, por vetëm ata që janë shkruar në librin e jetës, libër që i përket Qengjit.

Aktualisht i përzgjedhur:

Zbulesa 21: AL1

Thekso

Ndaje

Copy

None

A doni që theksimet tuaja të jenë të ruajtura në të gjitha pajisjet që keni? Regjistrohu ose hyr

YouVersion përdor cookie për të personalizuar përvojën tuaj. Duke përdorur faqen tonë të internetit, ju pranoni përdorimin tonë të cookies siç përshkruhet në Politikën tonë të Privatësisë