Zbulesa 20
20
Një mijë vjetët
1Pastaj pashë një engjëll që zbriste nga qielli. Ai kishte çelësin e humnerës dhe në dorë mbante një zinxhir të madh. 2Ai e kapi dragoin, gjarprin e lashtë, që është Djalli dhe Satani dhe e lidhi për një mijë vjet. 3E hodhi në humnerë, e mbylli dhe e vulosi, që të mos mashtronte më kombet, derisa të mbusheshin një mijë vjet. Më pas duhej të zgjidhej edhe për pak kohë.
4Pastaj pashë disa frone. Atyre që u ulën mbi to iu dha pushteti të gjykojnë. Pashë edhe shpirtrat e atyre që ishin therur për dëshminë e Jezuit dhe për fjalën e Perëndisë që nuk e kishin adhuruar bishën e as shëmbëlltyrën e saj dhe nuk e kishin marrë damkën në ballë e në dorë. Ata u kthyen në jetë dhe mbretëruan me Krishtin për një mijë vjet.
5Të vdekurit e tjerë nuk u kthyen në jetë, derisa u mbushën një mijë vjet. Kjo është ngjallja e parë. 6I lum dhe i shenjtë është ai që merr pjesë në ngjalljen e parë. Mbi ta nuk do të ketë pushtet vdekja e dytë, por do të jenë priftërinj të Perëndisë e të Krishtit dhe do të mbretërojnë me të për një mijë vjet.
Mposhtja e Satanit
7Kur të mbushen të një mijë vjetët, Satani do të zgjidhet nga burgu 8e do të dalë të mashtrojë kombet në të katër qoshet e tokës, Gogun e Magogun, që t'i mbledhë për luftë. Numri i tyre do të jetë sa rëra e detit. 9Ata u përhapën anekënd tokës dhe rrethuan fushimin e të shenjtëve dhe qytetin e dashur, por nga qielli zbriti flakë e i përpiu. 10Atëherë djallin që i kishte mashtruar, e hodhën në liqenin e zjarrtë të squfurit, ku ishin edhe bisha me profetin e rremë. Atje do të mundohen ditë e natë, në shekuj të shekujve.
Gjykimi para fronit
11Pastaj pashë një fron të madh, të bardhë dhe atë që rrinte ulur në të, para syve të të cilit ishin zhdukur toka dhe qielli e nuk shiheshin më. 12Pashë edhe të vdekurit, të mëdhenj e të vegjël, që qëndronin para fronit. Atëherë u hapën librat. U hap edhe një libër tjetër, libri i jetës. Të vdekurit u gjykuan sipas veprave të tyre që ishin shkruar në libra.
13Deti i ktheu të vdekurit që mbante. Po ashtu edhe vdekja e skëterra i kthyen të vdekurit që kishin. Secili u gjykua sipas veprave. 14Pastaj vdekja e skëterra u hodhën në liqenin e zjarrit. Liqeni i zjarrit është vdekja e dytë. 15Kush nuk u gjet i shkruar në librin e jetës, u hodh në liqenin e zjarrit.
Aktualisht i përzgjedhur:
Zbulesa 20: AL1
Thekso
Ndaje
Copy
A doni që theksimet tuaja të jenë të ruajtura në të gjitha pajisjet që keni? Regjistrohu ose hyr
© Shoqëria Biblike Ndërkonfesionale e Shqipërisë 2020
© Interconfessional Bible Society of Albania 2020