Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Zbulesa 13

13
Dy bishat
1Pastaj pashë një bishë që doli nga deti. Bisha kishte dhjetë brirë dhe shtatë kokë. Mbi brirë kishte dhjetë kurora të vogla, ndërsa mbi koka kishte emra fyes. 2Bisha që pashë ngjante me një leopard. Këmbët i kishte si të ariut, ndërsa gojën si të luanit. Dragoi i dha bishës fuqinë, fronin dhe pushtetin e tij të madh. 3Njëra nga kokat e saj dukej si e plagosur për vdekje, por plaga vdekjeprurëse u shërua. Atëherë të gjithë njerëzit e tokës u mrekulluan pas bishës 4dhe adhuruan dragoin që i kishte dhënë pushtetin bishës. Adhuruan edhe bishën e thanë: «Kush i ngjan bishës? Kush mund të luftojë kundër saj?».
5Bishës iu dha një gojë për të thënë fjalë të mëdha fyese dhe ky pushtet iu dha për dyzet e dy muaj. 6Atëherë ajo hapi gojën për të fyer Perëndinë, emrin e tij, banesën e tij, si dhe të gjithë ata që banojnë në qiell. 7Asaj iu dha pushteti të luftojë kundër të shenjtëve dhe t'i mundë ata. Iu dha pushteti edhe mbi çdo fis, popull, gjuhë e komb. 8Bishën do ta adhurojnë të gjithë banorët e tokës, të cilët që nga krijimi i botës nuk e kanë emrin të shkruar në librin e jetës që i përket Qengjit të therur.
9Kush ka veshë le të dëgjojë:
10kush është për t'u zënë rob,
rob do të zihet.
Kush është për t'u vrarë me shpatë,
nga shpata do të vritet.
Këtu do të duket durimi dhe besimi i të shenjtëve.
11Pastaj pashë një bishë tjetër që doli nga toka. Bisha kishte dy brirë si brirë qengji dhe fliste si dragua. 12Ajo ushtronte gjithë pushtetin e bishës së parë para syve të saj dhe detyronte tokën me gjithë banorët e saj të adhuronin bishën e parë, së cilës i qe shëruar plaga vdekjeprurëse. 13Bisha tjetër bënte shenja të mëdha, sa edhe e bënte zjarrin të zbriste nga qielli në tokë para njerëzve.
14Ajo mashtronte banorët e tokës me shenjat për të cilat i ishte dhënë pushteti të bënte para syve të bishës së parë. Ajo u tha banorëve të tokës t'i bënin një shëmbëlltyrë bishës që jetonte ende, megjithëse ishte e plagosur nga shpata. 15Asaj iu dha fuqi për t'i dhënë shpirt shëmbëlltyrës së bishës, që shëmbëlltyra të fliste dhe t'i bënte të vriteshin të gjithë ata që nuk e adhuronin. 16Bisha i detyroi të gjithë, të mëdhenj e të vegjël, të pasur e të varfër, të lirë e skllevër, të merrnin një damkë në dorën e djathtë dhe në ballë. 17Askush nuk mund të blinte apo të shiste pa pasur damkën me emrin e bishës apo me numrin e emrit të saj.
18Këtu duhet urti! Kush ka mend, le ta përllogarisë numrin e bishës, sepse ai është numër njeriu. Numri i saj është gjashtëqind e gjashtëdhjetë e gjashtë.

Aktualisht i përzgjedhur:

Zbulesa 13: AL1

Thekso

Ndaje

Copy

None

A doni që theksimet tuaja të jenë të ruajtura në të gjitha pajisjet që keni? Regjistrohu ose hyr

YouVersion përdor cookie për të personalizuar përvojën tuaj. Duke përdorur faqen tonë të internetit, ju pranoni përdorimin tonë të cookies siç përshkruhet në Politikën tonë të Privatësisë