Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Zbulesa 12

12
Gruaja dhe dragoi
1Pastaj në qiell u shfaq një shenjë e madhe. Ishte një grua e veshur me diell, e cila nën këmbë kishte hënën, ndërsa mbi kokë mbante një kurorë me dymbëdhjetë yje. 2Ngaqë ishte shtatzënë, gruaja bërtiste nga dhimbjet e mundimet e lindjes.
3Në qiell u shfaq edhe një shenjë tjetër. Ishte një dragua i madh, i kuq, që kishte shtatë kokë e dhjetë brirë dhe mbi kokë shtatë kurora të vogla. 4Bishti i tij tërhoqi një të tretën e yjeve të qiellit dhe e hodhi mbi tokë. Dragoi qëndroi para gruas që ishte gati për të lindur, që të gëlltiste foshnjën e saj sapo të lindte.
5Gruaja lindi djalë. Ai do të sundonte kombet me skeptër të hekurt. Atëherë foshnja u rrëmbye dhe u dërgua pranë Perëndisë e fronit të tij. 6Pastaj gruaja iku në shkretëtirë. Atje kishte një vend që ia kishte bërë gati Perëndia. Në atë vend do ta ushqenin për një mijë e dyqind e gjashtëdhjetë ditë.
7Atëherë në qiell u bë luftë. Mikaeli dhe engjëjt e tij luftuan kundër dragoit. Dragoi luftoi bashkë me gjithë engjëjt e tij, 8por nuk fitoi dhe për ta nuk kishte më vend në qiell. 9Dragoi i madh, gjarpri i lashtë, që quhet Djall dhe Satan, mashtruesi i gjithë botës, u hodh në tokë e bashkë me të edhe engjëjt e tij. 10Atëherë dëgjova një zë të fortë në qiell që tha:
«Tani erdhi shpëtimi, fuqia
e mbretëria e Perëndisë tonë
dhe pushteti i Krishtit të tij.
Paditësi i vëllezërve tanë,
ai që i padit para Perëndisë tonë, ditë e natë,
u hodh poshtë.
11Ata e mundën me gjakun e Qengjit
e me fjalën e dëshmisë së tyre
dhe ishin gati
të jepnin jetën e të vdisnin#12.11 ose: dhe nuk e deshën shpirtin e tyre deri në vdekje.
12Prandaj, gëzohuni, o qiej
e ju që banoni atje!
Mjerë ju, o tokë e det,
se djalli zbriti te ju
me zemërim të madh,
duke e ditur se i ka mbetur pak kohë».
13Kur dragoi pa se e hodhën në tokë, filloi të ndjekë gruan që kishte lindur foshnjën. 14Gruas iu dhanë dy krahët e një shqiponje të madhe, që të fluturonte për në vendin e saj në shkretëtirë, ku do të ushqehej për tri vjet e gjysmë larg gjarprit.
15Atëherë gjarpri nxori nga goja ujë si një lumë pas gruas, që atë ta rrëmbente rrjedha. 16Por gruan e ndihmoi toka, e cila hapi gojën dhe përpiu lumin që kishte nxjerrë dragoi nga goja. 17Dragoi u zemërua me gruan dhe shkoi për të luftuar me pasardhësit#12.17 ose: farën e tjerë të saj, me ata që zbatojnë urdhërimet e Perëndisë dhe dëshmojnë për Jezuin. 18Ai mbeti mbi rërën e detit.

Aktualisht i përzgjedhur:

Zbulesa 12: AL1

Thekso

Ndaje

Copy

None

A doni që theksimet tuaja të jenë të ruajtura në të gjitha pajisjet që keni? Regjistrohu ose hyr