Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Zbulesa 12:7-17

Zbulesa 12:7-17 AL1

Atëherë në qiell u bë luftë. Mikaeli dhe engjëjt e tij luftuan kundër dragoit. Dragoi luftoi bashkë me gjithë engjëjt e tij, por nuk fitoi dhe për ta nuk kishte më vend në qiell. Dragoi i madh, gjarpri i lashtë, që quhet Djall dhe Satan, mashtruesi i gjithë botës, u hodh në tokë e bashkë me të edhe engjëjt e tij. Atëherë dëgjova një zë të fortë në qiell që tha: «Tani erdhi shpëtimi, fuqia e mbretëria e Perëndisë tonë dhe pushteti i Krishtit të tij. Paditësi i vëllezërve tanë, ai që i padit para Perëndisë tonë, ditë e natë, u hodh poshtë. Ata e mundën me gjakun e Qengjit e me fjalën e dëshmisë së tyre dhe ishin gati të jepnin jetën e të vdisnin. Prandaj, gëzohuni, o qiej e ju që banoni atje! Mjerë ju, o tokë e det, se djalli zbriti te ju me zemërim të madh, duke e ditur se i ka mbetur pak kohë». Kur dragoi pa se e hodhën në tokë, filloi të ndjekë gruan që kishte lindur foshnjën. Gruas iu dhanë dy krahët e një shqiponje të madhe, që të fluturonte për në vendin e saj në shkretëtirë, ku do të ushqehej për tri vjet e gjysmë larg gjarprit. Atëherë gjarpri nxori nga goja ujë si një lumë pas gruas, që atë ta rrëmbente rrjedha. Por gruan e ndihmoi toka, e cila hapi gojën dhe përpiu lumin që kishte nxjerrë dragoi nga goja. Dragoi u zemërua me gruan dhe shkoi për të luftuar me pasardhësit e tjerë të saj, me ata që zbatojnë urdhërimet e Perëndisë dhe dëshmojnë për Jezuin.