Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Zbulesa 12:7-17

Zbulesa 12:7-17 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)

Atëherë në qiell u bë luftë. Mikaeli dhe engjëjt e tij luftuan kundër dragoit. Dragoi luftoi bashkë me gjithë engjëjt e tij, por nuk fitoi dhe për ta nuk kishte më vend në qiell. Dragoi i madh, gjarpri i lashtë, që quhet Djall dhe Satan, mashtruesi i gjithë botës, u hodh në tokë e bashkë me të edhe engjëjt e tij. Atëherë dëgjova një zë të fortë në qiell që tha: «Tani erdhi shpëtimi, fuqia e mbretëria e Perëndisë tonë dhe pushteti i Krishtit të tij. Paditësi i vëllezërve tanë, ai që i padit para Perëndisë tonë, ditë e natë, u hodh poshtë. Ata e mundën me gjakun e Qengjit e me fjalën e dëshmisë së tyre dhe ishin gati të jepnin jetën e të vdisnin. Prandaj, gëzohuni, o qiej e ju që banoni atje! Mjerë ju, o tokë e det, se djalli zbriti te ju me zemërim të madh, duke e ditur se i ka mbetur pak kohë». Kur dragoi pa se e hodhën në tokë, filloi të ndjekë gruan që kishte lindur foshnjën. Gruas iu dhanë dy krahët e një shqiponje të madhe, që të fluturonte për në vendin e saj në shkretëtirë, ku do të ushqehej për tri vjet e gjysmë larg gjarprit. Atëherë gjarpri nxori nga goja ujë si një lumë pas gruas, që atë ta rrëmbente rrjedha. Por gruan e ndihmoi toka, e cila hapi gojën dhe përpiu lumin që kishte nxjerrë dragoi nga goja. Dragoi u zemërua me gruan dhe shkoi për të luftuar me pasardhësit e tjerë të saj, me ata që zbatojnë urdhërimet e Perëndisë dhe dëshmojnë për Jezuin.

Zbulesa 12:7-17 Bibla Shqip 1994 (ALBB)

Edhe u bë luftë në qiell: Mikaeli dhe engjëjt e tij luftuan kundër dragoit; edhe dragoi dhe engjëjt e tij luftuan, por nuk fituan, e nuk u gjet më për ta vend në qiell. Kështu dragoi i madh, gjarpri i lashtë, që është quajtur djall, edhe Satan, që mashtron gjithë dheun, u hodh mbi tokë; me të u hodhën edhe engjëjt e tij. Atëherë dëgjova një zë të madh në qiell që thoshte: ''Tani arriti shpëtimi, fuqia dhe mbretëria e Perëndisë tonë, dhe pushteti i Krishtit të tij; sepse u hodh poshtë paditësi i vëllezërve tanë, ai që i padiste përpara Perëndisë tonë ditë e natë. Dhe ata e mundën atë me anë të gjakut të Qengjit, dhe me anë të fjalës së dëshmisë së tyre; dhe nuk e deshën jetën e tyre deri në vdekje. Prandaj gëzohuni, o qiej, dhe ju që rrini në ta. Mjerë ju banorë të tokës e të detit, sepse zbriti djalli drejt jush duke pasur zemërim të madh, duke ditur se ka pak kohë''. Dhe, kur dragoi pa se u hodh për tokë, përndoqi gruan që lindi birin mashkull. Dhe iu dhanë gruas dy krahët e shqiponjës së madhe, që të fluturojë në shkretëtirë në vendin e saj, ku të ushqehet një kohë, disa kohë dhe gjysmën e një kohe, larg pranisë së gjarprit. Atëherë gjarpri qiti nga goja e tij ujë si një lumë prapa gruas, që atë ta merrte lumi, dhe toka e ndihmoi gruan, dhe toka hapi gojën e vet dhe përpiu lumin që dragoi kishte nxjerrë nga goja e vet. Dhe dragoi u zemërua kundër gruas dhe shkoi të bëjë luftë me të tjerë të farës së saj, të atyre që i ruajnë urdhërimet e Perëndisë dhe që kanë dëshminë e Jezu Krishtit.