Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Psalmet 68

68
1Mjeshtrit të korit. Psalm i Davidit. Këngë.
2U ngrittë Perëndia e u shpërndafshin armiqtë e tij,
ata që e urrejnë ikshin prej tij.
3I zhduksh ata ashtu siç davaritet tymi,
siç shkrin dylli prej zjarrit,
ashtu u shfarosshin të paudhët para Perëndisë.
4Por të drejtët gëzojnë,
para Perëndisë ngazëllejnë
e plot hare brohorasin.
5Këndojini Perëndisë,
këndojini himne emrit të tij,
hapini udhë atij që kalëron në shkretëtirë#68.5 ose: në re,
Zot është emri i tij,
ngazëlleni para tij.
6Atë i jetimëve dhe mbrojtës i vejushave
është Perëndia në banesën e tij të shenjtë.
7Perëndia strehon të vetmuarit,
çliron të robëruarit,
por kryeneçët banojnë në djerrinë.
8O Perëndi, kur i prive popullit tënd,
kur marshove në shkretëtirë, selah
9toka u drodh e qiejt u zbrazën
para teje, Perëndisë së Sinait,
para Perëndisë së Izraelit.
10Shi të begatshëm dërgove, o Perëndi,
trashëgiminë tënde të drobitur përtërite.
11Aty banoi grigja jote, o Perëndi,
ti u kujdese tërë mirësi për të mjerin.
12Zoti tha një fjalë,
të shumta janë lajmëtaret:
13«Arratinë marrin mbretërit e ushtrive, arratinë marrin,
gratë e shtëpive ndajnë prenë.
14Edhe nëse shtriheni mes tufave për të pushuar,
krahët e pëllumbeshës shkëlqejnë nga argjendi,
pendët e saj praruar janë nga ari.
15Kur i gjithëpushtetshmi shpartalloi mbretërit,
mali i Calmonit zbardhi nga dëbora».
16Mal madhështor#68.16 ose: Perëndie është mali i Bashanit,
mal me thepa mali i Bashanit.
17Përse, o male të thepisura, me smirë e shikoni
malin që Perëndia për banesë zgjodhi?
Atje do të banojë përgjithmonë Zoti.
18Karrocat e Perëndisë janë me mijëra,
me mijëra e dhjetëra mijëra,
mes tyre qëndron Zoti,
ashtu si në Sina, tërë shenjtëri#68.18 të tjerë: Zoti vjen nga Sinai në Shenjtërore.
19U ngjite në lartësi, zure robër,
dhurata prej njerëzve e prej kundërshtarëve more,
që atje të banosh, o Zot Perëndi.
20Bekuar qoftë ditë për ditë Zoti,
Perëndia që kujdeset për ne,
ai që na shpëton. selah
21Perëndia ynë është Perëndi që shpëton,
prej Zotit Perëndi vjen shpëtimi nga vdekja.
22Perëndia do t'ua copëtojë kryet armiqve,
kokat tërë flokë atyre që ecin në udhë ligësie.
23Zoti tha: «Do t'i kthej nga Bashani,
nga thellësia e detit do t'i kthej,
24që këmbët t'i zhytësh në gjakun e armiqve,
që gjuha e qenve të tu të lëpijë pjesën e vet».
25E panë shpurën tënde, o Perëndi,
shpurën e Perëndisë tim, mbretit tim,
tek hynte në shenjtërore.
26Para ecnin këngëtarët,
pas u vinin muzikantët,
mes vashave që u binin dajreve.
27Bekoni Perëndinë nëpër kuvende,
bekoni Zotin, ju prej gurrës së Izraelit.
28Atje u prin Benjamini, më i vogli,
pas vijnë prijësit e Judës me trupën e tyre,
prijësit e Zabulonit, prijësit e Neftaliut.
29Perëndia yt urdhëroi të kesh fuqi,
fuqinë që Perëndia e shfaqi për ne.
30Për hir të tempullit tënd në Jerusalem,
dhurata do të të sjellin mbretërit.
31Kanosi egërsirat e kallamishteve,
tufën e demave bashkë me viçat e popujve,
që të nënshtrohen e pllaka argjendi të sjellin#68.31 ose: që përkulen para shufrave të argjendit.
Shpërndaji popujt që luftës i gëzohen.
32Dërgata do të vijnë nga Egjipti,
Kushi duart do të shtrijë kah Perëndia.
33O mbretëri të tokës, këndojini Perëndisë,
këndojini himne Zotit, selah
34atij që kalëron mbi qiejt e qiejve të lashtë,
atij që ngre zërin, zërin e tij të fuqishëm.
35Shpallni fuqinë e Perëndisë,
madhëria e tij qëndron mbi Izraelin,
fuqia e tij më lart se retë.
36I mrekullueshëm je, o Perëndi,
në shenjtëroren tënde!
Perëndia i Izraelit i jep fuqi
e forcë popullit të vet.
Bekuar qoftë Perëndia!

Aktualisht i përzgjedhur:

Psalmet 68: AL1

Thekso

Ndaje

Copy

None

A doni që theksimet tuaja të jenë të ruajtura në të gjitha pajisjet që keni? Regjistrohu ose hyr

YouVersion përdor cookie për të personalizuar përvojën tuaj. Duke përdorur faqen tonë të internetit, ju pranoni përdorimin tonë të cookies siç përshkruhet në Politikën tonë të Privatësisë