Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Fjalët e urta 6

6
Mbi dorëzaninë
1Biri im, nëse ke hyrë dorëzanë për mikun tënd,
nëse ke dhënë dorën për një të huaj,
2fjalët e gojës sate të kanë zënë në grackë
e je i kapur për fjale.
3Atëherë, biri im, ja si do të bësh për t'u çliruar,
pasi ke rënë në dorë të mikut tënd:
shko, përulu para tij e prishja qetësinë.
4Mos vër gjumë në sy,
as mos u jep prehje qepallave të tua.
5Çlirohu porsi sorkadhja nga laku,
si zogu nga dora e gjahtarit.
Përtaci dhe milingona
6Shko, o përtac, e shih milingonën,
shiko si vepron ajo e bëhu i urtë.
7Ajo nuk ka as epror,
as mbikëqyrës, as pronar,
8por verës bën gati ushqimin e vet
e, kur vijnë të korrat, mbledh hajen e vet.
9Deri kur, o përtac, do të rrish shtrirë?
Kur do të çohesh nga gjumi?
10Pak gjumë e pak dremitje,
pak duarkryq për të pushuar,
11e ashtu vjen skamja, si endacak,
e varfëria si një shqytar.
I marri
12Njeriu i pavlerë e burri i prapë
endet gojëçartur,
13picërron sytë, përplas këmbët
e flet me gishta.
14Në zemër mbart ligësi,
sheston përherë të keqen
e mbjell ndasi.
15Ndaj befas do e zërë e zeza,
papandehur do të bjerë pa gjetur shërim.
Shtatë neveritë
16Gjashtë gjëra urren Zoti,
madje shtatë i neveriten:
17sytë mburravecë, gjuha gënjeshtare,
duart që derdhin gjakun e pafaj,
18zemra që sheston synime të liga,
këmbët që turren kah e keqja,
19dëshmitari i rremë që pjell gënjeshtra
e kush mbjell ndasi ndër vëllezër.
Porositë atërore
20Zbatoje, o biri im, urdhërimin e atit tënd,
e mos e shpërfill mësimin e nënës sate,
21ngulite përgjithmonë në zemër
e vare rreth qafës,
22se, kur ecën, të drejton,
kur pushon, të ruan
e kur zgjohesh, të flet.
23Urdhërimi është llambë e udhëzimi dritë.
Parimet qortuese janë udha e jetës,
24se të ruajnë nga gruaja e përdalë,
nga fjalët ëmbëlake të gruas së panjohur.
25Mos të të epet zemra prej bukurisë së saj
e mos bjer pre e qepallave të saj,
26se gruaja lavire lyp veç një copë bukë,
por gruaja e martuar të merr nderin e jetës.
27Po burri, a e mban dot zjarrin në gji,
pa i djegur petkat?
28A ecën njeriu mbi prush
pa iu përcëlluar këmbët?
29As ai që i qaset gruas së huaj,
që e prek atë, nuk do t'i ikë ndëshkimit.
30Vjedhësi nuk poshtërohet
po vodhi prej urisë,
për të mbajtur shpirtin gjallë,
31por po u kap, do të kthejë shtatëfishin
e do të japë krejt pasurinë e shtëpisë.
32Kush shkel kurorën, është i pamend,
kush bën kështu, shkatërron jetën e vet.
33Marre e plagë do të mbledhë
e turpi i tij nuk do të shlyhet,
34se xhelozia e burrit është e tërbuar,
ai s'do të ketë mëshirë në ditën e hakmarrjes.
35Ai s'pajtohet me asnjë dëmshpërblim,
nuk pranon asnjë mitëmarrje.

Aktualisht i përzgjedhur:

Fjalët e urta 6: AL1

Thekso

Ndaje

Copy

None

A doni që theksimet tuaja të jenë të ruajtura në të gjitha pajisjet që keni? Regjistrohu ose hyr