Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Fjalët e urta 7

7
1Biri im, ruaji fjalët e mia
e mbaj me vete urdhërimet e mia.
2Mbaji urdhërimet e mia e do të jetosh,
mësimi im të jetë si ninëza e syrit tënd.
3Lidhi në gishtat e tu,
shkruaji mbi rrasën e zemrës sate.
4Urtisë thuaji: «Ti je motra ime»
e gjykimin quaje sivëlla,
5që të të ruajë nga gruaja e panjohur,
nga e huaja fjalëpërkëdhelur.
6Duke parë përmes flegrash,
prej dritares së shtëpisë sime,
7pashë ndër thjeshtakët,
vërejta mes të rinjve,
një djalosh mendjelehtë.
8Ai kaloi në një rruginë,
pranë qoshes së një të atille,
e u çapit drejt shtëpisë së saj,
9në mbrëmje, kur ngryset dita,
në mug, kur bie nata.
10Ja, takohet me një grua
veshur si lavire, me zemër dredharake;
11e hedhur, kryeneçe,
që s'i zë këmba shtëpi,
12që herë në rrugë e herë në sheshe,
në çdo qoshe në pritë rri.
13Ajo e zuri dhe e puthi,
e i tha me shfytyrësi:
14«Kam kushtuar fli paqtimi,
sot unë kushtet i kam plotësuar,
15prandaj të kam dalë para:
të kërkova e të gjeta.
16Mbi divanin tim kam shtrirë
basma lara-lara, beze nga Egjipti.
17Mbi shtrat hodha pikla mirre,
aloe e kanellë.
18Eja ta pimë me fund kupën e dashnorëve,
të dëfrejmë në dashuri deri në agim.
19Burri nuk është në shtëpi
është nisur për udhë të largët,
20se ka marrë me vete qesen e parave.
Kthehet në shtëpi me hënën e plotë».
21E mikloi me lajka shumë,
e trullosi me joshjen e buzëve të saj.
22Dhe ai befas i shkon pas,
si kau në thertore,
si dreri i zënë në lak#7.22 të tjerë: si një i lidhur në dënimin e budallait,
23derisa një shtizë t'ia shpojë mëlçinë;
si një zog që rend në kurth,
por ai nuk e di se luan me jetë.
24Ndaj, o bijtë e mi, dëgjomëni
e vëruni vesh fjalëve që po them:
25mos të të zvargë zemra udhëve të saj,
mos u sorollat shtigjeve të saj,
26se shumë të lënduar ajo ka gremisur
e janë të panumërt theroret e saj.
27Shtëpia e saj është udhë skëterre,
teposhtë, në qelitë e vdekjes.

Aktualisht i përzgjedhur:

Fjalët e urta 7: AL1

Thekso

Ndaje

Copy

None

A doni që theksimet tuaja të jenë të ruajtura në të gjitha pajisjet që keni? Regjistrohu ose hyr