Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Numrat 21:21-35

Numrat 21:21-35 AL1

Izraeli dërgoi disa lajmëtarë te Sihoni, mbreti i amoritëve, e i tha: «Më lër të kaloj përmes tokës tënde. Nuk do të kalojmë as nëpër ara e as nëpër vreshta, as nuk do të pimë ujë nga burimet. Do të ecim rrugës mbretërore derisa të kalojmë përtej kufijve të tu». Por Sihoni nuk e la të kalojë përmes tokës së tij. Ai mblodhi tërë popullin dhe i doli para në shkretëtirë. Mbërriti në Jahac dhe e sulmoi. Por Izraeli e shkoi në teh të shpatës dhe e pushtoi tokën e tij, nga Arnoni deri në Jabok, deri te pasardhësit e Amonit, sepse kufijtë e amonitëve ishin të mbrojtur mirë. Izraeli i pushtoi të gjitha këto qytete amorite e banoi në to, në Heshbon dhe në të gjitha rrethinat. Heshboni ishte qyteti i Sihonit, mbretit të amoritëve, i cili kishte luftuar kundër mbretit të mëparshëm të Moabit dhe ia kishte pushtuar tërë vendin që zotëronte, deri në Arnon. Prandaj dhe rapsodët thoshin: «Ejani në Heshbon! Të ndërtohet e themelohet qyteti i Sihonit. Zjarr shpërtheu prej Heshbonit, flakë prej qytetit të Sihonit. E përpiu Arin e Moabit, i përlau majat e Arnonit. Mjerë ti, o Moab! Kaq e pate, o popull i Kemoshit! Djemtë e tu i bëre ikanakë, vajzat e tua robinja të Sihonit, mbretit të amoritëve. Me shigjeta i qëlluam. Heshboni deri në Dibon u shkatërrua. E rrënuam derisa zjarri u përhap në Medebë». Kështu, Izraeli banoi në tokën e amoritëve. Atëherë Moisiu dërgoi disa njerëz që të përgjojnë Jazerin. Ata i pushtuan rrethinat e Jazerit e i dëbuan amoritët që ishin atje. Izraelitët u kthyen e shkuan rrugës për në Bashan. Ogu, mbreti i Bashanit, bashkë me gjithë popullin, u doli përpara në Edrej, që të ndeshej me ta. ZOTI i tha Moisiut: «Mos e ki frikë, se ta kam dorëzuar atë, gjithë popullin dhe tokën e tij. Vepro me të siç veprove me Sihonin, mbretin e amoritëve, që banonte në Heshbon». Kështu, izraelitët i ranë aq fort Ogut, bijve e gjithë popullit të tij, sa askush nuk shpëtoi. Ata e pushtuan tokën e tij.