Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Numrat 21

21
Mbreti i Aradit
1Mbreti kananit i Aradit, që jetonte në Negev, dëgjoi se Izraeli po vinte udhës së Atarimit. Ai i sulmoi e zuri rob disa prej tyre. 2Atëherë Izraeli iu zotua Zotit: «Nëse ma dorëzon me të vërtetë këtë popull, do t'i rrënoj qytetet e tyre». 3Zoti e dëgjoi Izraelin dhe ia dorëzoi kananitët. Izraelitët i rrënuan krejt banorët e qytetet e tyre. Kështu, vendi u quajt Hormah.
Gjarpri prej bronzi
4Izraelitët u nisën nga mali Hor rrugës së detit të Kuq për t'i rënë përqark tokës së Edomit. Por rrugës, populli e humbi durimin 5e foli kundër Perëndisë e Moisiut: «Përse na nxorët nga Egjipti, që të vdesim në shkretëtirë? S'ka bukë, s'ka ujë e kjo bukë e shpifur na u neverit!». 6Atëherë Zoti dërgoi mes popullit gjarpërinj helmues#21.6 he. flakërues dhe ata e kafshuan popullin. Shumë prej izraelitëve vdiqën. 7Populli shkoi te Moisiu e i tha: «Mëkatuam, sepse folëm kundër Zotit e kundër teje. Lutju Zotit që t'i largojë gjarpërinjtë prej nesh». Moisiu u lut për popullin 8dhe Zoti i tha: «Bëj një gjarpër helmues dhe vendose në një shtyllë. Kushdo që është kafshuar, ta shikojë e ka për të jetuar». 9Atëherë Moisiu bëri një gjarpër prej bronzi dhe e vendosi mbi një shtyllë. Nëse gjarpri kafshonte dikë, ai vështronte drejt gjarprit prej bronzi dhe jetonte.
Udhëtimi drejt Moabit
10Izraelitët vijuan udhëtimin e fushuan në Obot. 11Pastaj u nisën nga Oboti e fushuan në Ijim Abarim, në shkretëtirën përballë Moabit, në lindje. 12U nisën prej andej e fushuan në luginën e Zeredit. 13U nisën edhe prej Zeredit e fushuan matanë Arnonit që ndodhet në shkretëtirën përtej kufijve të amoritëve. Arnoni është në kufi me Moabin, mes Moabit e amoritëve, 14prandaj edhe thuhet në librin e «Luftrave të Zotit»:
«Vahebi në Sufa
dhe luginat e Arnonit.
15Rrëpira e luginave
që shtrihet drejt banesave të Arit
e përqafon kufijtë e Moabit».
16Prej këndej shkuan në Beer. Ky është pusi ku Zoti i tha Moisiut: «Mblidhe bashkësinë që t'u jap ujë». 17Dhe Izraeli këndoi këtë këngë:
«Gurro, o pus,
18e ju këndojini pusit
që hapën prijësit,
që fisnikët e popullit gërmuan,
me skeptër e me shkop».
Pastaj prej shkretëtirës shkuan në Matanë, 19prej Matanës në Nahaliel, prej Nahalielit në Bamot, 20prej Bamotit në luginën që është në vendin e Moabit, në majë të Pisgahut prej nga shihet Jishmoni.
Mbreti i Sihonit
21Izraeli dërgoi disa lajmëtarë te Sihoni, mbreti i amoritëve, e i tha: 22«Më lër të kaloj përmes tokës tënde. Nuk do të kalojmë as nëpër ara e as nëpër vreshta, as nuk do të pimë ujë nga burimet. Do të ecim rrugës mbretërore derisa të kalojmë përtej kufijve të tu». 23Por Sihoni nuk e la të kalojë përmes tokës së tij. Ai mblodhi tërë popullin dhe i doli para në shkretëtirë. Mbërriti në Jahac dhe e sulmoi. 24Por Izraeli e shkoi në teh të shpatës dhe e pushtoi tokën e tij, nga Arnoni deri në Jabok, deri te pasardhësit e Amonit, sepse kufijtë e amonitëve ishin të mbrojtur mirë. 25Izraeli i pushtoi të gjitha këto qytete amorite e banoi në to, në Heshbon dhe në të gjitha rrethinat. 26Heshboni ishte qyteti i Sihonit, mbretit të amoritëve, i cili kishte luftuar kundër mbretit të mëparshëm të Moabit dhe ia kishte pushtuar tërë vendin që zotëronte, deri në Arnon. 27Prandaj dhe rapsodët thoshin:
«Ejani në Heshbon!
Të ndërtohet e themelohet qyteti i Sihonit.
28Zjarr shpërtheu prej Heshbonit,
flakë prej qytetit të Sihonit.
E përpiu Arin e Moabit,
i përlau majat#21.28 të tjerë: zotërit e lartësive e Arnonit.
29Mjerë ti, o Moab!
Kaq e pate, o popull i Kemoshit!
Djemtë e tu i bëre ikanakë,
vajzat e tua robinja të Sihonit,
mbretit të amoritëve.
30Me shigjeta i qëlluam.
Heshboni deri në Dibon u shkatërrua.
E rrënuam derisa zjarri#21.30 të tjerë: deri në Nofe u përhap në Medebë».
31Kështu, Izraeli banoi në tokën e amoritëve. 32Atëherë Moisiu dërgoi disa njerëz që të përgjojnë Jazerin. Ata i pushtuan rrethinat e Jazerit e i dëbuan amoritët që ishin atje.
Mbreti i Bashanit
33Izraelitët u kthyen e shkuan rrugës për në Bashan. Ogu, mbreti i Bashanit, bashkë me gjithë popullin, u doli përpara në Edrej, që të ndeshej me ta. 34Zoti i tha Moisiut: «Mos e ki frikë, se ta kam dorëzuar atë, gjithë popullin dhe tokën e tij. Vepro me të siç veprove me Sihonin, mbretin e amoritëve, që banonte në Heshbon». 35Kështu, izraelitët i ranë aq fort Ogut, bijve e gjithë popullit të tij, sa askush nuk shpëtoi. Ata e pushtuan tokën e tij.

Aktualisht i përzgjedhur:

Numrat 21: AL1

Thekso

Ndaje

Copy

None

A doni që theksimet tuaja të jenë të ruajtura në të gjitha pajisjet që keni? Regjistrohu ose hyr