Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Numrat 21:21-35

Numrat 21:21-35 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)

Izraeli dërgoi disa lajmëtarë te Sihoni, mbreti i amoritëve, e i tha: «Më lër të kaloj përmes tokës tënde. Nuk do të kalojmë as nëpër ara e as nëpër vreshta, as nuk do të pimë ujë nga burimet. Do të ecim rrugës mbretërore derisa të kalojmë përtej kufijve të tu». Por Sihoni nuk e la të kalojë përmes tokës së tij. Ai mblodhi tërë popullin dhe i doli para në shkretëtirë. Mbërriti në Jahac dhe e sulmoi. Por Izraeli e shkoi në teh të shpatës dhe e pushtoi tokën e tij, nga Arnoni deri në Jabok, deri te pasardhësit e Amonit, sepse kufijtë e amonitëve ishin të mbrojtur mirë. Izraeli i pushtoi të gjitha këto qytete amorite e banoi në to, në Heshbon dhe në të gjitha rrethinat. Heshboni ishte qyteti i Sihonit, mbretit të amoritëve, i cili kishte luftuar kundër mbretit të mëparshëm të Moabit dhe ia kishte pushtuar tërë vendin që zotëronte, deri në Arnon. Prandaj dhe rapsodët thoshin: «Ejani në Heshbon! Të ndërtohet e themelohet qyteti i Sihonit. Zjarr shpërtheu prej Heshbonit, flakë prej qytetit të Sihonit. E përpiu Arin e Moabit, i përlau majat e Arnonit. Mjerë ti, o Moab! Kaq e pate, o popull i Kemoshit! Djemtë e tu i bëre ikanakë, vajzat e tua robinja të Sihonit, mbretit të amoritëve. Me shigjeta i qëlluam. Heshboni deri në Dibon u shkatërrua. E rrënuam derisa zjarri u përhap në Medebë». Kështu, Izraeli banoi në tokën e amoritëve. Atëherë Moisiu dërgoi disa njerëz që të përgjojnë Jazerin. Ata i pushtuan rrethinat e Jazerit e i dëbuan amoritët që ishin atje. Izraelitët u kthyen e shkuan rrugës për në Bashan. Ogu, mbreti i Bashanit, bashkë me gjithë popullin, u doli përpara në Edrej, që të ndeshej me ta. ZOTI i tha Moisiut: «Mos e ki frikë, se ta kam dorëzuar atë, gjithë popullin dhe tokën e tij. Vepro me të siç veprove me Sihonin, mbretin e amoritëve, që banonte në Heshbon». Kështu, izraelitët i ranë aq fort Ogut, bijve e gjithë popullit të tij, sa askush nuk shpëtoi. Ata e pushtuan tokën e tij.

Numrat 21:21-35 Bibla Shqip 1994 (ALBB)

Pastaj Izraeli dërgoi lajmëtarë të tij te Sihoni, mbret i amorenjve, për t'i thënë: "Na lejoni të kalojmë nëpër vendin tënd; ne nuk do të hyjmë nëpër arat ose nëpër vreshtat, nuk do pimë ujin e puseve; do të ndjekim rrugën Mbretërore derisa t'i kalojmë kufijtë e tu". Por Sihoni nuk e lejoi Izraelin të kalonte nëpër territorin e tij; për më tepër Sihoni mblodhi njerëzit e tij dhe doli kundër Izraelit në shkretëtirë; arriti në Jahats dhe luftoi kundër Izraelit. Izraeli e mundi, duke e kaluar në majën e shpatës, dhe pushtoi vendin e tij nga Arnoni deri në Jakob, deri në kufijtë e bijve të Amonit, sepse kufiri i bijve të Amonit ishte i fortë. Kështu Izraeli pushtoi tërë ato qytete dhe banoi në të gjitha qytetet e amorenjve, në Heshbon dhe në të gjitha qytetet e territorit të tyre, sepse Heshboni ishte qyteti i Sihonit, mbretit të amorenjve, i cili i kishte bërë luftë mbretit të mëparshëm të Moabit dhe i kishte hequr nga dora tërë vendin e tij deri në Arnon. Prandaj poetët thonë: "Ejani në Heshbon! Qyteti i Sihonit duhet të rindërtohet dhe të fortifikohet! Sepse një zjarr ka dalë nga Heshboni, një flakë nga qyteti i Sihonit; kjo ka përpirë Arin e Moabit, zotërit e lartësive të Arnonit. Mjerë ti, o Moab! Je i humbur, o popull i Kemoshit! Bijtë e tij kanë marrë arratinë dhe bijat e tij i janë dhënë si skllave Sihonit, mbretit të amorenjve. Por ne i qëlluam me shigjeta; Heshboni është shkatërruar deri në Dibon. Kemi shkretuar gjithçka deri në Nofah, që ndodhet pranë Medebas". Kështu Izraeli u vendos në vendin e amorenjve. Pastaj Moisiu dërgoi njerëz për të vëzhguar Jaazerin, dhe kështu izraelitët pushtuan qytetet e territorit të tij dhe përzunë amorenjtë që ndodheshin aty. Pastaj ndryshuan drejtim dhe u ngjitën në rrugën e Bashanit; dhe Ogu, mbreti i Bashanit, doli kundër tyre me gjithë njerëzit e tij për t'u ndeshur në Edrej. Por Zoti i tha Moisiut: "Mos ki frikë nga ai, sepse unë e lë në duart e tua me gjithë njerëzit e tij dhe vendin e tij; trajtoje ashtu siç ke trajtuar Sihonin, mbretin e amorenjve që banonte në Heshbon. Kështu izraelitët e mundën atë, bijtë e tij dhe tërë popullin e tij, derisa nuk mbeti asnjë i gjallë, dhe pushtuan vendin e tij.