Numrat 20
20
Ujërat e Meribës
1Në muajin e parë, tërë bashkësia izraelite mbërriti në shkretëtirën e Cinit e populli qëndroi në Kadesh. Atje vdiq e u varros Mirjama.
2Atje nuk kishte ujë për bashkësinë, prandaj u mblodhën kundër Moisiut e Aronit. 3Populli u grind me Moisiun e i tha: «Ah, sikur të kishim vdekur edhe ne kur na vdiqën vëllezërit para Zotit. 4Përse e sollët bashkësinë e Zotit në këtë shkretëtirë, që të vdesim këtu ne dhe bagëtitë tona? 5Përse na nxorët nga Egjipti e na sollët në këtë vend të keq? Ky s'është vend ku mund të mbillet. Nuk ka as fiq, as vreshta, as shegë e as ujë për të pirë». 6Atëherë Moisiu e Aroni u larguan nga bashkësia e shkuan në hyrje të tendës së takimit. Ata ranë me fytyrë përdhe e iu shfaq lavdia e Zotit. 7Zoti i tha Moisiut: 8«Merre shkopin e bashkë me Aronin, vëllanë tënd, mblidhe bashkësinë. Flitini shkëmbit në sy të të gjithëve, që të nxjerrë ujë. Kështu do t'u nxjerrësh ujë nga shkëmbi e do t'i japësh për të pirë bashkësisë e bagëtive».
9Moisiu e mori shkopin prej pranisë së Zotit siç e kishte urdhëruar Zoti. 10Ai bashkë me Aronin e mblodhi bashkësinë para shkëmbit e u tha: «Dëgjoni, o kryengritës! Doni t'ju nxjerrim ujë nga ky shkëmb?». 11Atëherë Moisiu e ngriti dorën, i ra shkëmbit dy herë me shkop e prej tij doli shumë ujë. Kështu, pinë bashkësia e bagëtia. 12Por, Zoti i tha Moisiut e Aronit: «Nuk do ta çoni këtë bashkësi në tokën që u kam dhënë, sepse nuk më besuat për të më shenjtëruar para izraelitëve». 13Këto janë ujërat e Meribës, ku izraelitët u grindën me Zotin dhe ku ai u tregua i shenjtë mes tyre.
Kalimi përmes Edomit
14Moisiu dërgoi nga Kadeshi disa lajmëtarë te mbreti i Edomit e i tha: «Kështu thotë Izraeli, vëllai yt: ti i di të gjitha vështirësitë që kemi hasur, 15sesi etërit tanë shkuan në Egjipt, sesi banuam atje për një kohë të gjatë e sesi egjiptianët na keqtrajtuan ne dhe etërit tanë. 16Ne i thirrëm Zotit. Ai na dëgjoi, dërgoi një engjëll e na nxori nga Egjipti. Tani jemi në Kadesh, qytet në kufi me vendin tënd. 17Na lër pra, të kalojmë përmes tokës tënde. Nuk do të kalojmë nëpër ara e nëpër vreshta e nuk do të pimë ujë nga burimet. Do të ecim rrugës mbretërore, nuk do shmangemi as majtas, as djathtas derisa të kalojmë përtej kufijve të tu».
18Por Edomi iu përgjigj: «Nuk do të kaloni. Përndryshe do të dal t'ju pres me shpatë». 19Izraelitët i thanë: «Do të shkojmë rrugës kryesore. Nëse unë e kafshët e mia pimë ujin tënd, do ta paguaj. Nuk po të kërkojmë shumë, na lër vetëm të kalojmë më këmbë». 20Edomi u tha: «Nuk do të kaloni!» dhe u doli përpara me një ushtri të madhe e të fuqishme. 21Kështu Edomi nuk e lejoi Izraelin të kalojë përmes kufijve të tij dhe Izraeli u largua.
Vdekja e Aronit
22Atëherë tërë bashkësia izraelite u nis nga Kadeshi dhe mbërriti në malin Hor. 23Kur ishin në Hor, që është në kufi me tokën e Edomit, Zoti i tha Moisiut e Aronit: 24«Aroni do të bashkohet me të parët. Ai nuk do të hyjë në tokën që u kam dhënë izraelitëve, sepse ngritët krye kundër meje tek ujërat e Meribës. 25Merr me vete Aronin e birin e tij, Eleazarin, dhe ngjiti në malin Hor. 26Zhvishja rrobat Aronit e vishja Eleazarit, birit të tij. Aroni do të bashkohet me të parët. Ai do të vdesë atje». 27Moisiu bëri siç i urdhëroi Zoti. Ata u ngjitën në malin Hor para tërë bashkësisë. 28Moisiu ia zhveshi rrobat Aronit e ia veshi Eleazarit, birit të tij. Aroni vdiq në majë të malit. Pastaj Moisiu dhe Eleazari zbritën nga mali 29dhe mbarë bashkësia e pa që Aroni kishte vdekur. Atëherë tërë shtëpia e Izraelit e vajtoi për tridhjetë ditë.
Aktualisht i përzgjedhur:
Numrat 20: AL1
Thekso
Ndaje
Copy
A doni që theksimet tuaja të jenë të ruajtura në të gjitha pajisjet që keni? Regjistrohu ose hyr
© Shoqëria Biblike Ndërkonfesionale e Shqipërisë 2020
© Interconfessional Bible Society of Albania 2020