Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Marku 8

8
Ushqimi i katër mijë vetave
(Mt 15.32-39)
1Ato ditë u mblodh përsëri një turmë e madhe e meqë nuk kishin ç'të hanin, Jezui i thirri pranë vetes dishepujt e u tha: 2«Më dhimbset turma, se kanë tri ditë që rrinë me mua e nuk kanë asgjë për të ngrënë. 3Nëse i nis në shtëpi të uritur, do të mbeten rrugës dhe disa prej tyre kanë ardhur nga larg». 4Por dishepujt iu përgjigjën: «E si mund t'i ngopim me bukë këta njerëz këtu në shkretëtirë?». 5Jezui i pyeti: «Sa bukë keni?». Ata iu përgjigjën: «Shtatë».
6Ai e urdhëroi turmën të ulej përdhe, mori shtatë bukët, tha lutjen e falënderimit, i theu, ua dha dishepujve t'i shtronin dhe ata ia shtruan turmës. 7Kishin edhe ca peshq të vegjël dhe, pasi i bekoi, u tha dishepujve t'i shtronin edhe këto. 8Ata hëngrën e u ngopën dhe mblodhën copat e mbetura. U mbushën shtatë shporta. 9Aty ishin gjithsej rreth katër mijë veta. Pastaj Jezui i shpërndau.
10Ai hipi menjëherë në varkë bashkë me dishepujt e shkoi në krahinën e Dalmanutës.
Një shenjë
(Mt 16.1-4)
11Atëherë erdhën farisenjtë e filluan të diskutonin me të. Ata i kërkonin një shenjë nga qielli për ta vënë në provë. 12Jezui psherëtiu thellë e tha: «Përse kjo brezni kërkon një shenjë? Me të vërtetë po ju them se kësaj breznie nuk do t'i jepet asnjë shenjë». 13Pastaj u largua prej tyre, hipi në varkë dhe kaloi në bregun tjetër.
Tharmi i farisenjve dhe i Herodit
(Mt 16.5-12)
14Dishepujt kishin harruar të merrnin bukë. Në varkë kishin vetëm një bukë. 15Jezui i porositi: «Kini kujdes e ruhuni nga tharmi i farisenjve e nga tharmi i Herodit». 16Por ata i thanë njëri-tjetrit: «Flet kështu, se nuk kemi bukë me vete». 17Jezui e dinte këtë gjë e u tha: «Çfarë po thoni? Se nuk keni bukë? Nuk kuptoni e nuk merrni vesh? A ju është ngurtësuar zemra? 18Keni sy e nuk shikoni? Keni veshë e nuk dëgjoni? Nuk ju kujtohet vallë 19kur theva pesë bukët për pesë mijë veta? Sa shporta plot me copa mblodhët?». Ata i thanë: «Dymbëdhjetë». 20«Po kur theva shtatë bukët për katër mijë veta? Sa shporta plot me copa mblodhët?». Ata i thanë: «Shtatë». 21Ai u tha: «Ende nuk kuptoni?».
I verbri nga Betsaida
22Pastaj arritën në Betsaidë, ku i sollën një të verbër e iu lutën ta prekte. 23Ai e mori të verbrin për dore, e nxori jashtë fshatit, pështyu në sytë e tij, i vuri duart dhe e pyeti: «A sheh gjë?». 24Ai ngriti sytë e tha: «Shoh njerëzit që duken si pemë që ecin». 25Jezui ia vuri përsëri duart mbi sy. I verbri filloi të shihte, u shërua e shikonte gjithçka qartë. 26Jezui e dërgoi në shtëpi e i tha: «Mos hyr fare në fshat#8.26 dorëshk. të tjera edhe: e as mos thuaj gjë në fshat».
Pohimi i Pjetrit
(Mt 16.13-20; Lk 9.18-21)
27Pastaj Jezui shkoi bashkë me dishepujt e tij në fshatin e Cezaresë së Filipisë dhe, gjatë rrugës, i pyeti dishepujt: «Kush thonë njerëzit se jam unë?». 28Ata iu përgjigjën: «Disa thonë se je Gjon Pagëzori, të tjerë se je Elia e të tjerë se je njëri nga profetët». 29Dhe ai i pyeti: «Po ju, kush thoni se jam unë?».
Pjetri iu përgjigj: «Ti je Krishti». 30Jezui i urdhëroi rreptësisht të mos i tregonin askujt për të.
Paralajmërimi i parë i Pashkës
(Mt 16.21-28; Lk 9.22-27)
31Ai filloi t'i mësonte se Biri i njeriut duhej të vuante shumë dhe se nuk do të pranohej nga pleqtë, kryepriftërinjtë e shkruesit. Pastaj do ta vrisnin, por pas tri ditësh do të ngjallej. 32Ai ua tha haptas këto fjalë. Atëherë Pjetri e mori mënjanë e filloi ta qortojë. 33Por Jezui u kthye, pa nga dishepujt dhe e qortoi Pjetrin e i tha: «Largohu prej meje, Satan, se nuk mendon sipas Perëndisë, por sipas njerëzve».
34Dhe thirri pranë vetes turmën bashkë me dishepujt e u tha: «Kush dëshiron të vijë pas meje, le të mohojë veten, të marrë kryqin e vet e të më ndjekë. 35Sepse kushdo që dëshiron ta shpëtojë jetën e vet, do ta humbasë atë dhe kushdo që e humbet jetën e vet për shkakun tim e të ungjillit, do ta shpëtojë atë. 36Ç'dobi do të kishte njeriu po të fitonte mbarë botën, por të humbte jetën e vet? 37Çfarë do të jepte njeriu në këmbim të jetës së vet? 38Nëse dikush ka turp për mua e për fjalët e mia para kësaj breznie të pafe e mëkatare, po ashtu do të ketë turp për ta edhe Biri i njeriut kur të vijë me engjëjt e shenjtë në lavdinë e Atit të tij».

Aktualisht i përzgjedhur:

Marku 8: AL1

Thekso

Ndaje

Copy

None

A doni që theksimet tuaja të jenë të ruajtura në të gjitha pajisjet që keni? Regjistrohu ose hyr