Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Marku 2:18-28

Marku 2:18-28 AL1

Dishepujt e Gjonit dhe farisenjtë po agjëronin. Disa prej tyre shkuan e i thanë Jezuit: «Përse dishepujt e Gjonit dhe të farisenjve agjërojnë, ndërsa dishepujt e tu nuk agjërojnë?». Jezui u tha: «A mund të agjërojnë dasmorët kur dhëndri është me ta? Jo, nuk mund të agjërojnë për sa kohë kanë dhëndrin. Por do të vijë dita kur do t'ua rrëmbejnë dhëndrin dhe atëherë, në atë ditë, do të agjërojnë. Askush nuk qep një arnë prej një cope të re në një rrobë të vjetër, se arna prej copës së re e gris rrobën e vjetër dhe grisja bëhet më e madhe. Askush nuk hedh verë të re në kacekë të vjetër, se vera i çan kacekët e kështu humbasin edhe vera, edhe kacekët. Prandaj vera e re hidhet në kacekë të rinj». Një të shtunë po ecnin përmes një fushe me grurë. Tek po kalonin andej, dishepujt e tij filluan të këpusnin kallinj gruri dhe farisenjtë i thanë: «Ja, përse po bëjnë atë që nuk është e lejueshme të bëhet të shtunën?». Por Jezui u tha: «A e keni lexuar ndonjëherë çfarë bëri Davidi kur u gjet ngushtë dhe e kishte marrë uria, atë dhe ata që ishin me të? Sesi hyri në shtëpinë e Perëndisë, kur ishte kryeprift Abiatari dhe hëngri bukët e kushtimit që nuk lejohet t'i hajë askush, përveç priftërinjve dhe sesi ua dha edhe atyre që ishin me të?». Pastaj u tha: «E shtuna është bërë për njeriun e jo njeriu për të shtunën. Kështu Biri i njeriut është Zot edhe i të shtunës».