Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Marku 2:18-28

Marku 2:18-28 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)

Dishepujt e Gjonit dhe farisenjtë po agjëronin. Disa prej tyre shkuan e i thanë Jezuit: «Përse dishepujt e Gjonit dhe të farisenjve agjërojnë, ndërsa dishepujt e tu nuk agjërojnë?». Jezui u tha: «A mund të agjërojnë dasmorët kur dhëndri është me ta? Jo, nuk mund të agjërojnë për sa kohë kanë dhëndrin. Por do të vijë dita kur do t'ua rrëmbejnë dhëndrin dhe atëherë, në atë ditë, do të agjërojnë. Askush nuk qep një arnë prej një cope të re në një rrobë të vjetër, se arna prej copës së re e gris rrobën e vjetër dhe grisja bëhet më e madhe. Askush nuk hedh verë të re në kacekë të vjetër, se vera i çan kacekët e kështu humbasin edhe vera, edhe kacekët. Prandaj vera e re hidhet në kacekë të rinj». Një të shtunë po ecnin përmes një fushe me grurë. Tek po kalonin andej, dishepujt e tij filluan të këpusnin kallinj gruri dhe farisenjtë i thanë: «Ja, përse po bëjnë atë që nuk është e lejueshme të bëhet të shtunën?». Por Jezui u tha: «A e keni lexuar ndonjëherë çfarë bëri Davidi kur u gjet ngushtë dhe e kishte marrë uria, atë dhe ata që ishin me të? Sesi hyri në shtëpinë e Perëndisë, kur ishte kryeprift Abiatari dhe hëngri bukët e kushtimit që nuk lejohet t'i hajë askush, përveç priftërinjve dhe sesi ua dha edhe atyre që ishin me të?». Pastaj u tha: «E shtuna është bërë për njeriun e jo njeriu për të shtunën. Kështu Biri i njeriut është Zot edhe i të shtunës».

Marku 2:18-28 Bibla Shqip 1994 (ALBB)

Atëherë dishepujt e Gjonit dhe ata të farisenjve po agjëronin. Ata erdhën te Jezusi dhe i thanë: ''Përse dishepujt e Gjonit dhe ata të farisenjve agjërojnë, kurse dishepujt e tu nuk agjërojnë?''. Dhe Jezusi u përgjigj atyre: ''Vallë a mund të agjërojnë dasmorët, ndërsa dhëndri është me ta? Për sa kohë kanë më vete dhëndrin, nuk mund të agjërojnë! Por do të vijnë ditët kur do t'u merret dhëndri dhe atëherë, në ato ditë, ata do të agjërojnë. Askush nuk qep një copë stof të ri mbi një rrobë të vjetër, përndryshe copa e re e shkul gjithë arnesën dhe shqyerja bëhet më keq. Po ashtu askush nuk shtie verë të re në kacekë të vjetër, përndryshe vera e re i prish kacekët, vera derdhet dhe kacekët shkojnë dëm; porse vera e re duhet shtënë në kacekë të rinj''. Por ndodhi që një ditë të shtunë ai po kalonte nëpër ara dhe dishepujt e tij, duke kaluar, filluan të këpusin kallinj. Dhe farisenjtë i thanë: ''Shih, përse po bëjnë atë që nuk është e ligjshme ditën e shtunë?''. Por ai u tha atyre: ''A nuk keni lexuar vallë ç'bëri Davidi, kur pati nevojë dhe kishte uri, ai dhe ç'qenë me të?''. Se si hyri ai në shtëpinë e Perëndisë në kohën e kryepriftit Abiathar, dhe hëngri bukët e paraqitjes, të cilat nuk lejohet t'i hajë askush, përveç priftërinjve, dhe u dha edhe atyre që qenë me të?''. Pastaj u tha atyre: ''E shtuna është bërë për njeriun dhe jo njeriu për të shtunën. Prandaj Biri i njeriut është zot edhe i së shtunës''.