Marku 2
2
Shërimi i të paralizuarit
(Mt 9.1-8; Lk 5.17-26)
1Pas disa ditësh, kur Jezui u kthye në Kafarnaum, u hap fjala se ai ishte në një shtëpi. 2Atje u mblodhën aq shumë njerëz, saqë nuk kishte më ku të rrinin, as edhe te dera. Ai u predikonte fjalën.
3Atëherë erdhën e i sollën një të paralizuar, të cilin e mbartnin katër burra. 4Meqë nuk mund t'i afroheshin për shkak të turmës, hapën çatinë sipër tij dhe ulën poshtë vigun ku gjendej i paralizuari. 5Kur pa besimin e tyre, Jezui i tha të paralizuarit: «Biri im, të janë falur mëkatet». 6Disa shkrues që rrinin aty filluan të mendonin në zemrat e tyre: 7«Përse flet kështu ky njeri? Ai po fyen Perëndinë. E kush tjetër, përveç Perëndisë, mund t'i falë mëkatet?». 8Jezui e kuptoi menjëherë në shpirtin e tij se ata po mendonin kështu, prandaj u tha: «Përse mendoni kështu në zemrat tuaja? 9Çfarë është më e lehtë, t'i thuhet të paralizuarit “të janë falur mëkatet” apo t'i thuhet “ngrihu, merre vigun tënd dhe ec”? 10Mirëpo, që ta dini se Biri i njeriut ka pushtetin të falë mëkatet mbi tokë, “i tha të paralizuarit”, 11po të them: ngrihu, merre vigun e shko në shtëpi». 12Ai u ngrit, mori menjëherë vigun e doli para të gjithëve. Të gjithë u mahnitën dhe përlëvduan Perëndinë e thanë: «Nuk kemi parë asnjëherë diçka të tillë».
Thirrja e Levit
(Mt 9.9-13; Lk 5.27-32)
13Jezui doli përsëri në breg të liqenit. Gjithë turma u mblodh rreth tij e ai i mësonte. 14Teksa po ecte më tej, pa Levin e Alfeut, që rrinte ulur në bankën e tagrave e i tha: «Më ndiq!». Ai u ngrit e i shkoi pas.
15Ndërsa ishte ulur për të ngrënë, në shtëpinë e Levit, shumë tagrambledhës e mëkatarë u ulën me Jezuin e me dishepujt e tij. Ata që e ndiqnin ishin shumë. 16Kur panë se po hante me mëkatarët dhe tagrambledhësit, shkruesit e farisenjve u thanë dishepujve: «Përse ha ai me tagrambledhësit e mëkatarët?». 17Jezui e dëgjoi këtë e tha: «Nuk janë të shëndoshët ata që kanë nevojë për mjekun, por të sëmurët. Unë nuk kam ardhur të thërras të drejtët, por mëkatarët#2.17 dorëshk. të tjera edhe: për pendim».
Çështja e agjërimit
(Mt 9.14-17; Lk 5.33-39)
18Dishepujt e Gjonit dhe farisenjtë po agjëronin. Disa prej tyre shkuan e i thanë Jezuit: «Përse dishepujt e Gjonit dhe të farisenjve agjërojnë, ndërsa dishepujt e tu nuk agjërojnë?». 19Jezui u tha: «A mund të agjërojnë dasmorët kur dhëndri është me ta? Jo, nuk mund të agjërojnë për sa kohë kanë dhëndrin. 20Por do të vijë dita kur do t'ua rrëmbejnë dhëndrin dhe atëherë, në atë ditë, do të agjërojnë.
21Askush nuk qep një arnë prej një cope të re në një rrobë të vjetër, se arna prej copës së re e gris rrobën e vjetër dhe grisja bëhet më e madhe.
22Askush nuk hedh verë të re në kacekë të vjetër, se vera i çan kacekët e kështu humbasin edhe vera, edhe kacekët. Prandaj vera e re hidhet në kacekë të rinj».
Jezui dhe e shtuna
(Mt 12.1-8; Lk 6.1-5)
23Një të shtunë po ecnin përmes një fushe me grurë. Tek po kalonin andej, dishepujt e tij filluan të këpusnin kallinj gruri 24dhe farisenjtë i thanë: «Ja, përse po bëjnë atë që nuk është e lejueshme të bëhet të shtunën?». 25Por Jezui u tha: «A e keni lexuar ndonjëherë çfarë bëri Davidi kur u gjet ngushtë dhe e kishte marrë uria, atë dhe ata që ishin me të? 26Sesi hyri në shtëpinë e Perëndisë, kur ishte kryeprift Abiatari dhe hëngri bukët e kushtimit që nuk lejohet t'i hajë askush, përveç priftërinjve dhe sesi ua dha edhe atyre që ishin me të?». 27Pastaj u tha: «E shtuna është bërë për njeriun e jo njeriu për të shtunën. 28Kështu Biri i njeriut është Zot edhe i të shtunës».
Aktualisht i përzgjedhur:
Marku 2: AL1
Thekso
Ndaje
Copy
A doni që theksimet tuaja të jenë të ruajtura në të gjitha pajisjet që keni? Regjistrohu ose hyr
© Shoqëria Biblike Ndërkonfesionale e Shqipërisë 2020
© Interconfessional Bible Society of Albania 2020