Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Marku 2:1-17

Marku 2:1-17 AL1

Pas disa ditësh, kur Jezui u kthye në Kafarnaum, u hap fjala se ai ishte në një shtëpi. Atje u mblodhën aq shumë njerëz, saqë nuk kishte më ku të rrinin, as edhe te dera. Ai u predikonte fjalën. Atëherë erdhën e i sollën një të paralizuar, të cilin e mbartnin katër burra. Meqë nuk mund t'i afroheshin për shkak të turmës, hapën çatinë sipër tij dhe ulën poshtë vigun ku gjendej i paralizuari. Kur pa besimin e tyre, Jezui i tha të paralizuarit: «Biri im, të janë falur mëkatet». Disa shkrues që rrinin aty filluan të mendonin në zemrat e tyre: «Përse flet kështu ky njeri? Ai po fyen Perëndinë. E kush tjetër, përveç Perëndisë, mund t'i falë mëkatet?». Jezui e kuptoi menjëherë në shpirtin e tij se ata po mendonin kështu, prandaj u tha: «Përse mendoni kështu në zemrat tuaja? Çfarë është më e lehtë, t'i thuhet të paralizuarit “të janë falur mëkatet” apo t'i thuhet “ngrihu, merre vigun tënd dhe ec”? Mirëpo, që ta dini se Biri i njeriut ka pushtetin të falë mëkatet mbi tokë, “i tha të paralizuarit”, po të them: ngrihu, merre vigun e shko në shtëpi». Ai u ngrit, mori menjëherë vigun e doli para të gjithëve. Të gjithë u mahnitën dhe përlëvduan Perëndinë e thanë: «Nuk kemi parë asnjëherë diçka të tillë». Jezui doli përsëri në breg të liqenit. Gjithë turma u mblodh rreth tij e ai i mësonte. Teksa po ecte më tej, pa Levin e Alfeut, që rrinte ulur në bankën e tagrave e i tha: «Më ndiq!». Ai u ngrit e i shkoi pas. Ndërsa ishte ulur për të ngrënë, në shtëpinë e Levit, shumë tagrambledhës e mëkatarë u ulën me Jezuin e me dishepujt e tij. Ata që e ndiqnin ishin shumë. Kur panë se po hante me mëkatarët dhe tagrambledhësit, shkruesit e farisenjve u thanë dishepujve: «Përse ha ai me tagrambledhësit e mëkatarët?». Jezui e dëgjoi këtë e tha: «Nuk janë të shëndoshët ata që kanë nevojë për mjekun, por të sëmurët. Unë nuk kam ardhur të thërras të drejtët, por mëkatarët».

Devocione dhe Plane Leximi falas për Marku 2:1-17

YouVersion përdor cookie për të personalizuar përvojën tuaj. Duke përdorur faqen tonë të internetit, ju pranoni përdorimin tonë të cookies siç përshkruhet në Politikën tonë të Privatësisë