Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Marku 2:1-17

Marku 2:1-17 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)

Pas disa ditësh, kur Jezui u kthye në Kafarnaum, u hap fjala se ai ishte në një shtëpi. Atje u mblodhën aq shumë njerëz, saqë nuk kishte më ku të rrinin, as edhe te dera. Ai u predikonte fjalën. Atëherë erdhën e i sollën një të paralizuar, të cilin e mbartnin katër burra. Meqë nuk mund t'i afroheshin për shkak të turmës, hapën çatinë sipër tij dhe ulën poshtë vigun ku gjendej i paralizuari. Kur pa besimin e tyre, Jezui i tha të paralizuarit: «Biri im, të janë falur mëkatet». Disa shkrues që rrinin aty filluan të mendonin në zemrat e tyre: «Përse flet kështu ky njeri? Ai po fyen Perëndinë. E kush tjetër, përveç Perëndisë, mund t'i falë mëkatet?». Jezui e kuptoi menjëherë në shpirtin e tij se ata po mendonin kështu, prandaj u tha: «Përse mendoni kështu në zemrat tuaja? Çfarë është më e lehtë, t'i thuhet të paralizuarit “të janë falur mëkatet” apo t'i thuhet “ngrihu, merre vigun tënd dhe ec”? Mirëpo, që ta dini se Biri i njeriut ka pushtetin të falë mëkatet mbi tokë, “i tha të paralizuarit”, po të them: ngrihu, merre vigun e shko në shtëpi». Ai u ngrit, mori menjëherë vigun e doli para të gjithëve. Të gjithë u mahnitën dhe përlëvduan Perëndinë e thanë: «Nuk kemi parë asnjëherë diçka të tillë». Jezui doli përsëri në breg të liqenit. Gjithë turma u mblodh rreth tij e ai i mësonte. Teksa po ecte më tej, pa Levin e Alfeut, që rrinte ulur në bankën e tagrave e i tha: «Më ndiq!». Ai u ngrit e i shkoi pas. Ndërsa ishte ulur për të ngrënë, në shtëpinë e Levit, shumë tagrambledhës e mëkatarë u ulën me Jezuin e me dishepujt e tij. Ata që e ndiqnin ishin shumë. Kur panë se po hante me mëkatarët dhe tagrambledhësit, shkruesit e farisenjve u thanë dishepujve: «Përse ha ai me tagrambledhësit e mëkatarët?». Jezui e dëgjoi këtë e tha: «Nuk janë të shëndoshët ata që kanë nevojë për mjekun, por të sëmurët. Unë nuk kam ardhur të thërras të drejtët, por mëkatarët».

Marku 2:1-17 Bibla Shqip 1994 (ALBB)

Pas disa ditësh, ai erdhi përsëri në Kapernaum dhe u mor vesh se ai gjendej në shtëpi; dhe menjëherë u mblodhën aq shumë njerëz, sa nuk gjeje më vend as përpara derës; dhe ai u predikonte Fjalën. Atëherë i erdhën disa që i paraqitën një të paralizuar, që po e bartnin katër vetë. Por, duke qenë se nuk mund t'i afroheshin për shkak të turmës, zbuluan çatinë në vendin ku ndodhej Jezusi dhe, mbasi hapën një vrimë, e lëshuan vigun mbi të cilin rrinte shtrirë i paralizuari. Jezusi, kur pa besimin e tyre, i tha të paralizuarit: ''O bir, mëkatet e tua të janë falur!''. Por aty po rrinin ulur disa skribë, të cilët, në zemër të vet, po mendonin: ''Pse vallë ky po flet blasfemi. Kush mund të falë mëkatet, veç Perëndisë vetë?''. Por Jezusi, i cili menjëherë kuptoi në frymën e vet se ata po i mendonin këto gjëra në veten e tyre, u tha atyre: ''Pse i mendoni këto gjëra në zemrat tuaja? Çfarë është më lehtë: t'i thuash të paralizuarit: "Mëkatet e tua të janë falur", apo t'i thuash: "Çohu, merre vigun tënd dhe ec"? Dhe tani, që ta dini se Biri i njeriut ka pushtet të falë mëkatet mbi dhe, unë po të them (i tha të paralizuarit): Çohu, merre vigun tënd dhe shko në shtëpinë tënde!"''. Dhe ai u ngrit menjëherë, mori vigun e vet dhe doli përjashta në praninë e të gjithëve dhe kështu të gjithë u habitën dhe lëvduan Perëndinë duke thënë: ''Një gjë të tillë s'e kemi parë kurrë!''. Jezusi doli përsëri gjatë bregut të detit dhe gjithë turma erdhi tek ai dhe ai e mësonte. Duke kaluar, pa Levin, birin e Alfeut, i cili qe ulur në vendin e tatimeve, dhe i tha: ''Ndiqmë!''. Ai u ngrit dhe e ndoqi. Dhe ndodhi që, kur Jezusi ishte në tryezë në shtëpinë e Levit, shumë tagrambledhës dhe mëkatarë u ulën në tryezë me Jezusin dhe me dishepujt e tij; në fakt ishin shumë ata që e ndiqnin. Atëherë skribët dhe farisenjtë, duke e parë se po hante me tagrambledhës dhe me mëkatarë, u thanë dishepujve të tij: ''Qysh ha dhe pi ai bashkë me tagrambledhës e me mëkatarë?''. Dhe Jezusi, kur e dëgjoi, u tha atyre: ''Nuk janë të shëndoshet që kanë nevojë për mjekun, por të sëmurët; unë nuk erdha për të thirrur të drejtët, por mëkatarët për pendim.

YouVersion përdor cookie për të personalizuar përvojën tuaj. Duke përdorur faqen tonë të internetit, ju pranoni përdorimin tonë të cookies siç përshkruhet në Politikën tonë të Privatësisë