Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Mateu 4:12-25

Mateu 4:12-25 AL1

Kur Jezui dëgjoi se Gjonin e kishin burgosur, u largua për në Galile. Nuk qëndroi në Nazaret, por shkoi për të jetuar në Kafarnaum, qytet pranë liqenit, në tokën e Zabulonit e të Neftalimit, që të përmbushej çfarë kishte thënë profeti Isai: tokë e Zabulonit dhe tokë e Neftalimit, në rrugën drejt detit, përtej Jordanit, Galile e kombeve! Populli që ishte në errësirë pa një dritë të madhe dhe për ata që ishin në vendin e hijes së vdekjes zbardhi drita. Që atëherë Jezui filloi të predikonte e të thoshte: «Pendohuni, se mbretëria e qiejve është afër». Ndërsa po ecte bregut të liqenit të Galilesë, Jezui pa dy vëllezër, Simonin që quhej Pjetër dhe Andrean, vëllanë e tij, që po hidhnin rrjetat në liqen. Ata ishin peshkatarë. Jezui u tha: «Ejani pas meje dhe unë do t'ju bëj peshkatarë njerëzish». Ata lanë menjëherë rrjetat e shkuan pas tij. Pak më tutje Jezui pa dy vëllezër të tjerë, Jakobin e Zebedeut dhe Gjonin, të vëllanë, që ishin në një varkë bashkë me Zebedeun, atin e tyre, duke arnuar rrjetat dhe i thirri. Ata lanë menjëherë varkën dhe të atin e shkuan pas tij. Jezui shkonte nëpër Galile duke mësuar njerëzit në sinagoga, duke shpallur ungjillin e mbretërisë e duke shëruar çdo sëmundje e lëngatë në popull. Kështu, për të u hap fjala në gjithë Sirinë. Atëherë i sollën të gjithë të sëmurët, njerëz të prekur nga sëmundje e dhimbje të ndryshme, të pushtuar nga djalli, me sëmundjen e tokës e të paralizuar, dhe ai i shëroi. Turma të mëdha njerëzish nga Galilea e Dekapoja, nga Jerusalemi, Judeja e përtej Jordanit, shkonin pas tij.