Mateu 4:12-25
Mateu 4:12-25 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)
Kur Jezui dëgjoi se Gjonin e kishin burgosur, u largua për në Galile. Nuk qëndroi në Nazaret, por shkoi për të jetuar në Kafarnaum, qytet pranë liqenit, në tokën e Zabulonit e të Neftalimit, që të përmbushej çfarë kishte thënë profeti Isai: tokë e Zabulonit dhe tokë e Neftalimit, në rrugën drejt detit, përtej Jordanit, Galile e kombeve! Populli që ishte në errësirë pa një dritë të madhe dhe për ata që ishin në vendin e hijes së vdekjes zbardhi drita. Që atëherë Jezui filloi të predikonte e të thoshte: «Pendohuni, se mbretëria e qiejve është afër». Ndërsa po ecte bregut të liqenit të Galilesë, Jezui pa dy vëllezër, Simonin që quhej Pjetër dhe Andrean, vëllanë e tij, që po hidhnin rrjetat në liqen. Ata ishin peshkatarë. Jezui u tha: «Ejani pas meje dhe unë do t'ju bëj peshkatarë njerëzish». Ata lanë menjëherë rrjetat e shkuan pas tij. Pak më tutje Jezui pa dy vëllezër të tjerë, Jakobin e Zebedeut dhe Gjonin, të vëllanë, që ishin në një varkë bashkë me Zebedeun, atin e tyre, duke arnuar rrjetat dhe i thirri. Ata lanë menjëherë varkën dhe të atin e shkuan pas tij. Jezui shkonte nëpër Galile duke mësuar njerëzit në sinagoga, duke shpallur ungjillin e mbretërisë e duke shëruar çdo sëmundje e lëngatë në popull. Kështu, për të u hap fjala në gjithë Sirinë. Atëherë i sollën të gjithë të sëmurët, njerëz të prekur nga sëmundje e dhimbje të ndryshme, të pushtuar nga djalli, me sëmundjen e tokës e të paralizuar, dhe ai i shëroi. Turma të mëdha njerëzish nga Galilea e Dekapoja, nga Jerusalemi, Judeja e përtej Jordanit, shkonin pas tij.
Mateu 4:12-25 Bibla Shqip 1994 (ALBB)
Jezusi, mbasi dëgjoi se Gjonin e kishin futur në burg, u tërhoq në Galile. Pastaj la Nazaretin dhe shkoi të banojë në Kapernaum, qytet bregdetar, në kufijtë të Zabulonit dhe të Neftalit, që të përmbushej ç'ishte thënë nëpërmjet profetit Isaia kur tha: ''Toka e Zabulonit, toka e Neftalit, mbi bregun e detit, krahina përtej Jordanit, Galileja e paganëve, populli që dergjej në errësirë ka parë një dritë të madhe, dhe përmbi ata që dergjeshin në krahinë dhe në hijen e vdekjes, doli drita''. Që nga ajo kohë Jezusi filloi të predikojë dhe të thotë: ''Pendohuni, sepse mbretëria e qiejve është afër!''. Duke ecur gjatë bregut të detit të Galilesë, Jezusi pa dy vëllezër: Simonin, të quajtur Pjetër, dhe Andrean, të vëllanë, të cilët po hidhnin rrjetën në det, sepse ishin peshkatarë; dhe u tha atyre: ''Ndiqmëni dhe unë do t'ju bëj peshkatarë njerëzish''. Dhe ata i lanë menjëherë rrjetat dhe e ndoqën. Dhe, duke vazhduar rrugën, pa dy vëllezër të tjerë: Jakobin, birin e Zebedeut dhe Gjonin, vëllanë e tij, në barkë bashkë me Zebedeun, atin e tyre, duke ndrequr rrjetat; dhe i thirri. Dhe ata lanë menjëherë barkën dhe atin e tyre dhe i shkuan pas. Jezusi shkonte kudo nëpër Galile, duke mësuar në sinagogat e tyre, duke predikuar ungjillin e mbretërisë dhe duke shëruar çdo sëmundje dhe çdo lëngatë në popull. Dhe fama e tij u përhap në gjithë Sirinë; dhe i sillnin të gjithë të sëmurët që vuanin nga lëngata dhe dhembje të ndryshme, të demonizuar, epileptikë dhe paralitikë; dhe ai i shëronte. Dhe një mori e madhe njerëzish i shkonte pas, nga Galileja, nga Dekapoli, nga Jeruzalemi, nga Judeja dhe nga përtej Jordanit.