Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Luka 21:1-36

Luka 21:1-36 AL1

Jezui ngriti sytë dhe pa të pasurit tek hidhnin dhuratat e tyre në thesar. Ai pa edhe një vejushë të varfër që hodhi dy monedha të vogla bakri e tha: «Me të vërtetë po ju them se kjo vejushë e varfër ka hedhur më shumë se ata të gjithë, sepse ata hodhën nga tepricat e tyre te dhuratat e thesarit, ndërsa ajo dha nga varfëria e saj gjithçka që kishte për të jetuar». Kur disa po flisnin për tempullin, sesi ishte i stolisur me gurë të bukur dhe i zbukuruar me dhurata kushtuar Perëndisë, Jezui tha: «Do të vijnë ditë kur, nga këto që po shihni, nuk do të mbesë gur mbi gur pa u rrëzuar». Atëherë e pyetën Jezuin: «Mësues, kur do të ndodhin këto gjëra dhe cila do të jetë shenja se ato po ndodhin?». Ai tha: «Hapni sytë se mos ju mashtrojnë, sepse do të vijnë shumë veta në emrin tim e do të thonë: “Jam unë” ose: “U afrua koha”. Mos shkoni pas tyre. Kur të dëgjoni për luftra e trazira, mos u tmerroni, sepse këto gjëra duhet të ndodhin më parë, por prapë fundi nuk do të vijë menjëherë». Pastaj u tha: «Një komb do të ngrihet kundër një kombi dhe një mbretëri kundër një mbretërie. Do të bien tërmete të mëdha e në disa vende do të ketë zi buke e murtaja. Do të ketë edhe dukuri të frikshme e shenja të mëdha nga qielli, por para se të ndodhin të gjitha këto, do t'ju kapin e do t'ju përndjekin. Do t'ju dorëzojnë nëpër sinagoga e nëpër burgje dhe do t'ju çojnë para mbretërve e qeveritarëve për shkak të emrit tim. Kështu do të mund të dëshmoni. Jini të vendosur e mos u parapërgatitni për vetëmbrojtjen tuaj, sepse unë do t'ju jap zotësinë për të folur dhe një urti të tillë saqë askush nga kundërshtarët tuaj nuk do t'i bëjë ballë e nuk do ta kundërshtojë dot. Deri edhe prindërit e vëllezërit, të afërmit e miqtë do t'ju tradhtojnë e do të vrasin disa prej jush. Të gjithë do t'ju urrejnë për shkak të emrit tim, por asnjë fije floku nuk do t'ju bjerë nga koka. Me qëndresën tuaj do të fitoni shpirtrat tuaj». «Kur ta shihni Jerusalemin të rrethuar nga ushtritë, atëherë dijeni se shkretimi i tij është afër. Kështu, ata që janë në Jude të arratisen maleve, ata që janë në Jerusalem të dalin jashtë tij dhe ata që janë nëpër fshatra të mos hyjnë në Jerusalem, sepse këto janë ditët e shpagimit, në të cilat do të plotësohet çfarë është shkruar. Mjerë gratë shtatzëna dhe ato që mëkojnë fëmijë në ato ditë, se do të bjerë mjerim i madh mbi tokë dhe zemërim kundër këtij populli! Ata do të bien nga tehu i shpatës e do të bëhen robër ndër të gjithë kombet dhe Jerusalemi do të shkelet nga kombet, derisa t'u mbarojë koha kombeve». «Do të ketë shenja në diell, në hënë e në yje. Në tokë kombet do t'i zërë tmerri e ankthi nga buçima e detit dhe e valëve. Njerëzit për pak sa nuk do të vdesin nga frika dhe nga pritja e asaj që është duke rënë mbi botën, sepse pushtetet qiellore do të tranden. Atëherë do të shohin Birin e njeriut duke ardhur mbi re me pushtet e me lavdi të madhe. Kur të fillojnë të ndodhin këto gjëra, ngrihuni e ngrijeni kokën, se shpengimi juaj është afër». Pastaj Jezui u tregoi një shëmbëlltyrë: «Shikoni fikun e të gjitha pemët. Sapo të shihni se kanë nxjerrë sytha, ju e dini se po afrohet vera. Kështu edhe ju, kur të shihni se po ndodhin këto gjëra, ta dini se mbretëria e Perëndisë është afër. Me të vërtetë po ju them se kjo brezni nuk do të kalojë pa ndodhur të gjitha këto gjëra. Qielli e toka do të kalojnë, por fjalët e mia nuk do të kalojnë». «Ruhuni që të mos ju rëndohen zemrat nëpër shfrenitë, dehjet dhe ankthet e kësaj jete e të mos ju kapë në befasi ajo ditë, si të ishte një kurth. Ajo do të bjerë mbi të gjithë ata që jetojnë në mbarë faqen e dheut. Prandaj jini të vëmendshëm gjatë gjithë kohës e lutuni që të mund t'u ikni të gjitha këtyre gjërave që do të ndodhin e që të mund të qëndroni para Birit të njeriut».

Video for Luka 21:1-36