Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Luka 21:1-36

Luka 21:1-36 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)

Jezui ngriti sytë dhe pa të pasurit tek hidhnin dhuratat e tyre në thesar. Ai pa edhe një vejushë të varfër që hodhi dy monedha të vogla bakri e tha: «Me të vërtetë po ju them se kjo vejushë e varfër ka hedhur më shumë se ata të gjithë, sepse ata hodhën nga tepricat e tyre te dhuratat e thesarit, ndërsa ajo dha nga varfëria e saj gjithçka që kishte për të jetuar». Kur disa po flisnin për tempullin, sesi ishte i stolisur me gurë të bukur dhe i zbukuruar me dhurata kushtuar Perëndisë, Jezui tha: «Do të vijnë ditë kur, nga këto që po shihni, nuk do të mbesë gur mbi gur pa u rrëzuar». Atëherë e pyetën Jezuin: «Mësues, kur do të ndodhin këto gjëra dhe cila do të jetë shenja se ato po ndodhin?». Ai tha: «Hapni sytë se mos ju mashtrojnë, sepse do të vijnë shumë veta në emrin tim e do të thonë: “Jam unë” ose: “U afrua koha”. Mos shkoni pas tyre. Kur të dëgjoni për luftra e trazira, mos u tmerroni, sepse këto gjëra duhet të ndodhin më parë, por prapë fundi nuk do të vijë menjëherë». Pastaj u tha: «Një komb do të ngrihet kundër një kombi dhe një mbretëri kundër një mbretërie. Do të bien tërmete të mëdha e në disa vende do të ketë zi buke e murtaja. Do të ketë edhe dukuri të frikshme e shenja të mëdha nga qielli, por para se të ndodhin të gjitha këto, do t'ju kapin e do t'ju përndjekin. Do t'ju dorëzojnë nëpër sinagoga e nëpër burgje dhe do t'ju çojnë para mbretërve e qeveritarëve për shkak të emrit tim. Kështu do të mund të dëshmoni. Jini të vendosur e mos u parapërgatitni për vetëmbrojtjen tuaj, sepse unë do t'ju jap zotësinë për të folur dhe një urti të tillë saqë askush nga kundërshtarët tuaj nuk do t'i bëjë ballë e nuk do ta kundërshtojë dot. Deri edhe prindërit e vëllezërit, të afërmit e miqtë do t'ju tradhtojnë e do të vrasin disa prej jush. Të gjithë do t'ju urrejnë për shkak të emrit tim, por asnjë fije floku nuk do t'ju bjerë nga koka. Me qëndresën tuaj do të fitoni shpirtrat tuaj». «Kur ta shihni Jerusalemin të rrethuar nga ushtritë, atëherë dijeni se shkretimi i tij është afër. Kështu, ata që janë në Jude të arratisen maleve, ata që janë në Jerusalem të dalin jashtë tij dhe ata që janë nëpër fshatra të mos hyjnë në Jerusalem, sepse këto janë ditët e shpagimit, në të cilat do të plotësohet çfarë është shkruar. Mjerë gratë shtatzëna dhe ato që mëkojnë fëmijë në ato ditë, se do të bjerë mjerim i madh mbi tokë dhe zemërim kundër këtij populli! Ata do të bien nga tehu i shpatës e do të bëhen robër ndër të gjithë kombet dhe Jerusalemi do të shkelet nga kombet, derisa t'u mbarojë koha kombeve». «Do të ketë shenja në diell, në hënë e në yje. Në tokë kombet do t'i zërë tmerri e ankthi nga buçima e detit dhe e valëve. Njerëzit për pak sa nuk do të vdesin nga frika dhe nga pritja e asaj që është duke rënë mbi botën, sepse pushtetet qiellore do të tranden. Atëherë do të shohin Birin e njeriut duke ardhur mbi re me pushtet e me lavdi të madhe. Kur të fillojnë të ndodhin këto gjëra, ngrihuni e ngrijeni kokën, se shpengimi juaj është afër». Pastaj Jezui u tregoi një shëmbëlltyrë: «Shikoni fikun e të gjitha pemët. Sapo të shihni se kanë nxjerrë sytha, ju e dini se po afrohet vera. Kështu edhe ju, kur të shihni se po ndodhin këto gjëra, ta dini se mbretëria e Perëndisë është afër. Me të vërtetë po ju them se kjo brezni nuk do të kalojë pa ndodhur të gjitha këto gjëra. Qielli e toka do të kalojnë, por fjalët e mia nuk do të kalojnë». «Ruhuni që të mos ju rëndohen zemrat nëpër shfrenitë, dehjet dhe ankthet e kësaj jete e të mos ju kapë në befasi ajo ditë, si të ishte një kurth. Ajo do të bjerë mbi të gjithë ata që jetojnë në mbarë faqen e dheut. Prandaj jini të vëmendshëm gjatë gjithë kohës e lutuni që të mund t'u ikni të gjitha këtyre gjërave që do të ndodhin e që të mund të qëndroni para Birit të njeriut».

Luka 21:1-36 Bibla Shqip 1994 (ALBB)

Pastaj Jezusi i çoi sytë dhe pa pasanikët që qitnin dhuratat e tyre në arkën e thesarit, dhe pa edhe një të ve të varfër që qiti dy pare të vogla dhe tha: ''Në të vërtetë po ju them se kjo e ve e varfër ka qitur më shumë se gjithë të tjerët. Sepse të gjithë këta dhanë nga tepricat e pasurisë së tyre për shtëpinë e Perëndisë, kurse ajo, në varfërinë e vet, dha gjithçka që kishte për të jetuar''. Pastaj, kur disa po flisnin për tempullin dhe vinin në pah se ishte i stolisur me gurë të bukur dhe me oferta, ai tha: ''Nga të gjitha këto gjëra që ju admironi, do të vijnë ditët kur nuk do të mbetet gur mbi gur pa u rrënuar''. Atëherë ata e pyetën duke thënë: ''Mësues, kur do të ndodhin këto dhe cila do të jetë shenja se këto janë duke u kryer?''. Dhe ai tha: ''Ruhuni se mos ju mashtrojnë, sepse shumë veta do të vijnë në emrin tim duke thënë: "Unë jam", dhe: "Erdhi koha". Mos shkoni, pra, pas tyre. Dhe kur të dëgjoni të flitet për luftëra e për trazira, mos u trembni, sepse të gjitha këto duhet të ndodhin më parë, por mbarimi nuk do të vijë menjëherë''. Atëherë u tha atyre: ''Do të ngrihet kombi kundër kombit; dhe mbretëria kundër mbretërisë; do të ngjajnë tërmete të mëdha, zi buke dhe murtaja në vende të ndryshme; do të ndodhin edhe dukuri të llahtarshme dhe shenja të mëdha nga qielli. Por, para të gjitha këtyre gjërave, do të vënë dorë mbi ju dhe do t'ju përndjekin dhe do t'ju dorëzojnë në sinagoga e do t'ju futin në burg; dhe do t'ju nxjerrin përpara mbretërve dhe guvernatorëve për shkak të emrit tim, por kjo do t'ju japë rastin që të dëshmoni. Ta vini, pra, në zemrën tuaj që të mos mendoni më parë se si do përgjigjeni për t'u mbrojtur, sepse unë do t'ju jap një gojë e një dituri të tillë të cilën të gjithë kundërshtarët tuaj nuk do të jenë në gjendje ta kundërshtojnë ose t'i rezistojnë. Dhe ju madje do t'ju tradhtojnë edhe prindërit, dhe vëllezërit, dhe farefisi dhe miqtë; dhe disa prej jush do t'i vrasin. Dhe të gjithë do t'ju urrejnë për shkak të emrit tim. Por as edhe një fije floku e kokës suaj nuk do t'ju humbasë. Me durimin tuaj ju do t'i fitoni shpirtrat tuaj''. ''Dhe kur do të shikoni Jeruzalemin të rrethuar nga ushtritë, ta dini se shkretimi i saj është afër. Atëherë ata që janë në Jude, të ikin në male; dhe ata që janë në qytet të largohen; dhe ata që janë në fushë të mos hyjnë në të. Sepse ato janë ditë të hakmarrjes, që të përmbushen të gjitha ato gjëra që janë shkruar. Mjerë gratë shtatzëna dhe ato që mëndin në ato ditë, sepse do të ketë mjerim të madh në vend dhe mëri mbi këtë popull. Dhe ata do të bien nga tehu i shpatës, do t'i çojnë robër ndër të gjitha kombet, dhe Jeruzalemin do ta shkelin paganët, derisa të plotësohen kohët e paganëve''. ''Dhe do të ketë shenja në diell, në hënë dhe në yje, dhe mbi tokë ankth popujsh, në përhumbjen prej gjëmës së detit dhe të valëve të tij; njerëzit do të mpaken nga frika dhe nga pritja se çfarë do ta pllakosë botën, sepse fuqitë qiellore do të lëkunden. Atëherë do të shohin Birin e njeriut duke ardhur mbi një re, me fuqi dhe lavdi të madhe. Dhe kur këto të fillojnë të ndodhin, shikoni lart dhe ngrini kokat tuaja, sepse çlirimi juaj është afër''. Pastaj u tha atyre një shëmbëlltyrë: ''Vini re fikun dhe të gjitha pemët. Kur ata nisin e mugullojnë, duke i parë, ju vete e kuptoni se vera është afër; kështu edhe ju, kur do të shikoni se po ndodhin këto, ta dini se mbretëria e Perëndisë është afër. Në të vërtetë unë po ju them se nuk do të kalojë ky brez, derisa të gjitha këto gjëra të kenë ndodhur. Qielli dhe toka do të kalojnë, por fjalët e mia nuk do të kalojnë''. ''Tani kini kujdes që zemrat tuaja të mos rëndohen nga të llupurit, nga të dehurit dhe nga preokupimet e kësaj jete; që ajo ditë të mos ju zërë në befasi. Sepse do të vijë si një lak mbi të gjithë ata që banojnë mbi faqen e mbarë dheut. Prandaj, rrini zgjuar dhe lutuni kurdoherë që të çmoheni të denjë të shpëtoni nga të gjitha ato që do të ngjasin dhe të dilni para Birit të njeriut''.