Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Luka 14

14
Shërimi i të sëmurit me hidropizi
1Një të shtunë Jezui shkoi për të ngrënë në shtëpinë e njërit prej kryetarëve të farisenjve dhe ata po e vëzhgonin me kujdes. 2Përballë Jezuit gjendej një njeri që vuante nga hidropizia. 3Jezui i pyeti mësuesit e ligjit dhe farisenjtë: «A lejohet të shërosh ditën e shtunë, apo jo?». 4Por ata heshtën. Atëherë Jezui e preku të sëmurin, e shëroi dhe e lejoi të shkonte. 5Pastaj u tha atyre: «Kush është ai që, po t'i binte fëmija#14.5 dorëshk. të tjera: gomari; ose: kërriçi apo kau në pus ditën e shtunë, nuk do ta nxirrte menjëherë?». 6Ata nuk mundën t'i përgjigjeshin.
Mësimi për mikpritjen
7Jezui vuri re sesi të ftuarit zgjidhnin vendet e nderit dhe u tregoi një shëmbëlltyrë: 8«Kur të ftojnë në dasmë, mos u ul në vendin e nderit, se ndoshta është i ftuar ndokush më i nderuar se ti 9dhe ai që ju ka ftuar të dyve mund të vijë e të të thotë: “Lërja këtë vend këtij”. Dhe atëherë, i turpëruar, do të zësh vendin e fundit. 10Por kur të të ftojnë, shko e ulu në vendin e fundit, që kur të vijë ai që të ka ftuar, të të thotë: “Mik, eja më lart!”. E kështu do të jesh i nderuar nga të gjithë ata që janë në tryezë me ty. 11Sepse kush e lartëson vetveten, do të përulet, e kush e përul vetveten, do të lartësohet».
12Atij që e kishte ftuar, Jezui i tha: «Kur të shtrosh një drekë a një darkë, mos fto miqtë e tu, vëllezërit, të afërmit e tu apo fqinjët e pasur, duke shpresuar se edhe ata do të të ftojnë e kështu do të shpërblehesh. 13Përkundrazi, kur të shtrosh një gosti, fto njerëz të varfër, të kërrusur, të çalë e të verbër. 14Atëherë do të jesh i lum, se ata nuk do të kenë me çfarë të të shpërblejnë, por ti do ta marrësh shpërblimin në ngjalljen e të drejtëve».
Të ftuarit në gosti
(Mt 22.1-10)
15Njëri nga të ftuarit, pasi kishte dëgjuar gjithçka, i tha Jezuit: «Lum kush ha bukë në mbretërinë e Perëndisë!». 16Por Jezui i tha: «Dikush shtroi një darkë të madhe e thirri shumë veta. 17Kur erdhi koha e darkës, dërgoi shërbëtorin e vet t'u thoshte atyre që kishte ftuar: “Ejani, se çdo gjë është gati”. 18Por të gjithë, njëri pas tjetrit, filluan të gjenin shkaqe për të mos shkuar. I pari i tha: “Kam blerë një copë tokë e më duhet të dal e ta shoh. Të lutem më ndje!”. 19Dikush tjetër tha: “Unë kam blerë pesë pendë qe e po shkoj t'i provoj. Të lutem më ndje!”. 20Dikush tjetër tha: “Sapo jam martuar, prandaj nuk mund të vij”. 21E kështu shërbëtori u kthye dhe e njoftoi të zotin për të gjitha. Atëherë i zoti i shtëpisë u zemërua e i tha shërbëtorit të vet: “Dil menjëherë në sheshet e në rrugët e qytetit e sill këtu të varfrit, të kërrusurit, të verbrit e të çalët”. 22Dhe shërbëtori i tha: “Zotëri, bëmë siç urdhërove dhe ka prapë vend”. 23Atëherë i zoti i tha shërbëtorit: “Dil nëpër rrugë e shtigje dhe detyroji njerëzit të hyjnë brenda, që të mbushet shtëpia ime”. 24Unë po ju them: asnjë nga ata që ishin të ftuar nuk do ta shijojë darkën time».
Të ndjekësh Jezuin
(Mt 10.37-38)
25Jezuin po e ndiqnin turma të mëdha, por ai u kthye e u tha: 26«Kush vjen pas meje dhe nuk e urren të atin e të ëmën, gruan e fëmijët, vëllezërit e motrat, madje edhe vetë jetën e tij, nuk mund të jetë dishepulli im. 27Kush nuk e mbart kryqin e vet për të ardhur pas meje, nuk mund të jetë dishepulli im.
28Kush nga ju, nëse dëshiron të ndërtojë një kullë, nuk ulet më parë të bëjë llogaritë për të parë a ka sa i duhen për ta mbaruar? 29Përndryshe, nëse i ka hedhur themelet e nuk është në gjendje ta përfundojë, ata që e shohin do të fillojnë ta tallin 30e do t'i thonë: “Ky njeri filloi të ndërtonte, por nuk qe i zoti ta mbaronte”.
31Ose, cili mbret, kur del në luftë për t'u ndeshur me një mbret tjetër, nuk ulet më parë të shqyrtojë a është i aftë që me dhjetë mijë veta t'i bëjë ballë atij që vjen me njëzet mijë? 32Atëherë, nëse nuk mundet, i dërgon një përfaqësi për t'i kërkuar kushtet e paqes ndërsa ai është ende larg. 33Prandaj, asnjëri nga ju nuk mund të bëhet dishepulli im nëse nuk heq dorë nga tërë pasuria që zotëron».
Kripa pa shije
(Mt 5.13; Mk 9.50)
34«Kripa është e mirë, por nëse e humbet shijen, si mund ta rifitojë atë? 35Nuk është e përshtatshme më as për tokën, as për plehun, por vetëm për t'u hedhur. Kush ka veshë, le të dëgjojë».

Aktualisht i përzgjedhur:

Luka 14: AL1

Thekso

Ndaje

Copy

None

A doni që theksimet tuaja të jenë të ruajtura në të gjitha pajisjet që keni? Regjistrohu ose hyr