Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Luka 13

13
Thirrje për pendim
1Në atë kohë erdhën disa njerëz te Jezui e i treguan për galileasit, gjakun e të cilëve Pilati e kishte përzier me gjakun e flijimeve. 2Jezui i pyeti: «A mendoni se galileasit që vuajtën këtë gjë ishin më mëkatarë se galileasit e tjerë? 3Jo, po ju them, por nëse nuk pendoheni, do të përfundoni të gjithë si ata. 4Po për ata të tetëmbëdhjetët, mbi të cilët ra kulla e Siloamit e i vrau, a mendoni se ishin fajtorë më të mëdhenj se njerëzit e tjerë që banojnë në Jerusalem? 5Jo, po ju them, por nëse nuk pendoheni, do të përfundoni të gjithë si ata».
Shëmbëlltyra e fikut
6Pastaj Jezui tregoi këtë shëmbëlltyrë: «Një njeri kishte një fik të mbjellë në vreshtin e tij. Erdhi të kërkonte ndonjë fryt në të, por nuk gjeti. 7Atëherë i tha vreshtarit: “Ja, erdha tre vjet me radhë të kërkoja ndonjë fryt nga ky fik, por ende nuk kam gjetur asnjë. Prije! Pse ta zërë tokën kot?”. 8Vreshtari iu përgjigj: “Zotëri, lëre edhe këtë vit, që ta prashis e ta plehëroj, 9se mos jep fryt vitin e ardhshëm. Nëse jo, prije”».
Shërimi të shtunën
10Një të shtunë Jezui po mësonte njerëzit në një sinagogë. 11Aty gjendej edhe një grua e pushtuar nga një shpirt që e kishte mbajtur të kërrusur për tetëmbëdhjetë vjet. Ajo nuk mund të rrinte drejt. 12Jezui e pa, e thirri e i tha: «Grua, je e çliruar nga sëmundja jote». 13Kur e preku gruan me dorën e tij, ajo u drejtua e filloi të përlëvdonte Perëndinë. 14Por, kryetari i sinagogës u zemërua që Jezui shëroi ditën e shtunë, prandaj i tha turmës: «Ka gjashtë ditë në të cilat mund të punohet. Gjatë këtyre ditëve ejani për t'u shëruar e jo ditën e shtunë». 15Atëherë Zoti iu përgjigj: «Hipokritë! A nuk e zgjidh secili nga ju kaun apo gomarin nga grazhdi ditën e shtunë dhe e çon për t'i dhënë ujë? 16Atëherë kjo grua, që është bijë e Abrahamit e që Satani e ka lidhur për tetëmbëdhjetë vjet, nuk u dashka çliruar nga këto pranga ditën e shtunë?». 17Pasi i tha Jezui këto, të gjithë kundërshtarët e tij u turpëruan dhe mbarë turma gëzohej për gjërat e mrekullueshme që bënte ai.
Fara e sinapit dhe tharmi
(Mt 13.31-33; Mk 4.30-32)
18Atëherë Jezui tha: «Me çfarë ngjan mbretëria e Perëndisë? Me çfarë mund ta krahasoj? 19Ajo ngjan me farën e sinapit që një njeri e mori dhe e mbolli në kopsht. Fara u rrit, u bë pemë dhe zogjtë e qiellit bënë foletë në degët e saj».
20Jezui tha përsëri: «Me çfarë ta krahasoj mbretërinë e Perëndisë? 21Ajo ngjan me tharmin që e mori një grua dhe e përzjeu me tri masa miell, derisa u mbrujt i gjithë brumi».
Dera e ngushtë
(Mt 7.13-14, 21-23)
22Rrugës për në Jerusalem, Jezui përshkonte qytete e fshatra duke mësuar njerëzit. 23Dikush e pyeti: «Zot, a janë pak ata që shpëtohen?».
Atëherë Jezui i tha: 24«Përpiquni të hyni nëpër derën e ngushtë, sepse po ju them se shumë do të mundohen të hyjnë, por nuk do të mundin. 25Nëse i zoti i shtëpisë është ngritur dhe e ka mbyllur derën e ju filloni të rrini përjashta e të trokisni në derë duke thënë: “Zot, na e hap derën!”, ai do të përgjigjet: “Nuk e di nga vini”. 26Atëherë do të filloni të thoni: “Kemi ngrënë e kemi pirë me ty e ti na ke mësuar nëpër sheshe”. 27Por ai do t'ju thotë: “Nuk e di nga vini. Largohuni nga unë të gjithë ju që bëni padrejtësi”. 28Atje do të ketë të qara e kërcëllimë dhëmbësh kur të shihni Abrahamin, Isakun e Jakobin bashkë me të gjithë profetët në mbretërinë e Perëndisë, ndërsa juve do t'ju kenë hedhur përjashta. 29Atëherë do të vijnë nga lindja e nga perëndimi, nga veriu e nga jugu dhe do të hanë në mbretërinë e Perëndisë. 30Dhe ja, të fundit do të jenë të parët e të parët do të jenë të fundit».
Vajtimi për Jerusalemin
(Mt 23.37-39)
31Në atë çast disa farisenj erdhën e i thanë Jezuit: «Largohu që këtej se Herodi kërkon të të vrasë». 32Dhe Jezui u tha: «Shkoni e i thoni asaj dhelpre: “Ja, unë po dëboj djajtë e po shëroj sot e nesër. Ditën e tretë e mbaroj veprën time. 33Megjithatë, sot, nesër e pasnesër unë do të eci udhës sime, sepse nuk është e mundur që një profet të vritet jashtë Jerusalemit”. 34Jerusalem, Jerusalem, ti që vret profetët e që me gurë vret të dërguarit e Perëndisë! Sa herë kam dashur t'i mbledh bijtë e tu, siç mbledh klloçka zogjtë e vet nën krahë, por ju nuk deshët. 35Ja, shtëpia juaj do të mbetet e shkretë. Unë po ju them se nuk do të më shihni më, derisa të thoni:
bekuar qoftë
ai që vjen në emër të Zotit!».

Aktualisht i përzgjedhur:

Luka 13: AL1

Thekso

Ndaje

Copy

None

A doni që theksimet tuaja të jenë të ruajtura në të gjitha pajisjet që keni? Regjistrohu ose hyr

Video for Luka 13