Në atë kohë erdhën disa njerëz te Jezui e i treguan për galileasit, gjakun e të cilëve Pilati e kishte përzier me gjakun e flijimeve. Jezui i pyeti: «A mendoni se galileasit që vuajtën këtë gjë ishin më mëkatarë se galileasit e tjerë? Jo, po ju them, por nëse nuk pendoheni, do të përfundoni të gjithë si ata. Po për ata të tetëmbëdhjetët, mbi të cilët ra kulla e Siloamit e i vrau, a mendoni se ishin fajtorë më të mëdhenj se njerëzit e tjerë që banojnë në Jerusalem? Jo, po ju them, por nëse nuk pendoheni, do të përfundoni të gjithë si ata».
Pastaj Jezui tregoi këtë shëmbëlltyrë: «Një njeri kishte një fik të mbjellë në vreshtin e tij. Erdhi të kërkonte ndonjë fryt në të, por nuk gjeti. Atëherë i tha vreshtarit: “Ja, erdha tre vjet me radhë të kërkoja ndonjë fryt nga ky fik, por ende nuk kam gjetur asnjë. Prije! Pse ta zërë tokën kot?”. Vreshtari iu përgjigj: “Zotëri, lëre edhe këtë vit, që ta prashis e ta plehëroj, se mos jep fryt vitin e ardhshëm. Nëse jo, prije”».
Një të shtunë Jezui po mësonte njerëzit në një sinagogë. Aty gjendej edhe një grua e pushtuar nga një shpirt që e kishte mbajtur të kërrusur për tetëmbëdhjetë vjet. Ajo nuk mund të rrinte drejt. Jezui e pa, e thirri e i tha: «Grua, je e çliruar nga sëmundja jote». Kur e preku gruan me dorën e tij, ajo u drejtua e filloi të përlëvdonte Perëndinë. Por, kryetari i sinagogës u zemërua që Jezui shëroi ditën e shtunë, prandaj i tha turmës: «Ka gjashtë ditë në të cilat mund të punohet. Gjatë këtyre ditëve ejani për t'u shëruar e jo ditën e shtunë». Atëherë Zoti iu përgjigj: «Hipokritë! A nuk e zgjidh secili nga ju kaun apo gomarin nga grazhdi ditën e shtunë dhe e çon për t'i dhënë ujë? Atëherë kjo grua, që është bijë e Abrahamit e që Satani e ka lidhur për tetëmbëdhjetë vjet, nuk u dashka çliruar nga këto pranga ditën e shtunë?». Pasi i tha Jezui këto, të gjithë kundërshtarët e tij u turpëruan dhe mbarë turma gëzohej për gjërat e mrekullueshme që bënte ai.
Atëherë Jezui tha: «Me çfarë ngjan mbretëria e Perëndisë? Me çfarë mund ta krahasoj? Ajo ngjan me farën e sinapit që një njeri e mori dhe e mbolli në kopsht. Fara u rrit, u bë pemë dhe zogjtë e qiellit bënë foletë në degët e saj».
Jezui tha përsëri: «Me çfarë ta krahasoj mbretërinë e Perëndisë? Ajo ngjan me tharmin që e mori një grua dhe e përzjeu me tri masa miell, derisa u mbrujt i gjithë brumi».