Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Luka 13:1-21

Luka 13:1-21 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)

Në atë kohë erdhën disa njerëz te Jezui e i treguan për galileasit, gjakun e të cilëve Pilati e kishte përzier me gjakun e flijimeve. Jezui i pyeti: «A mendoni se galileasit që vuajtën këtë gjë ishin më mëkatarë se galileasit e tjerë? Jo, po ju them, por nëse nuk pendoheni, do të përfundoni të gjithë si ata. Po për ata të tetëmbëdhjetët, mbi të cilët ra kulla e Siloamit e i vrau, a mendoni se ishin fajtorë më të mëdhenj se njerëzit e tjerë që banojnë në Jerusalem? Jo, po ju them, por nëse nuk pendoheni, do të përfundoni të gjithë si ata». Pastaj Jezui tregoi këtë shëmbëlltyrë: «Një njeri kishte një fik të mbjellë në vreshtin e tij. Erdhi të kërkonte ndonjë fryt në të, por nuk gjeti. Atëherë i tha vreshtarit: “Ja, erdha tre vjet me radhë të kërkoja ndonjë fryt nga ky fik, por ende nuk kam gjetur asnjë. Prije! Pse ta zërë tokën kot?”. Vreshtari iu përgjigj: “Zotëri, lëre edhe këtë vit, që ta prashis e ta plehëroj, se mos jep fryt vitin e ardhshëm. Nëse jo, prije”». Një të shtunë Jezui po mësonte njerëzit në një sinagogë. Aty gjendej edhe një grua e pushtuar nga një shpirt që e kishte mbajtur të kërrusur për tetëmbëdhjetë vjet. Ajo nuk mund të rrinte drejt. Jezui e pa, e thirri e i tha: «Grua, je e çliruar nga sëmundja jote». Kur e preku gruan me dorën e tij, ajo u drejtua e filloi të përlëvdonte Perëndinë. Por, kryetari i sinagogës u zemërua që Jezui shëroi ditën e shtunë, prandaj i tha turmës: «Ka gjashtë ditë në të cilat mund të punohet. Gjatë këtyre ditëve ejani për t'u shëruar e jo ditën e shtunë». Atëherë Zoti iu përgjigj: «Hipokritë! A nuk e zgjidh secili nga ju kaun apo gomarin nga grazhdi ditën e shtunë dhe e çon për t'i dhënë ujë? Atëherë kjo grua, që është bijë e Abrahamit e që Satani e ka lidhur për tetëmbëdhjetë vjet, nuk u dashka çliruar nga këto pranga ditën e shtunë?». Pasi i tha Jezui këto, të gjithë kundërshtarët e tij u turpëruan dhe mbarë turma gëzohej për gjërat e mrekullueshme që bënte ai. Atëherë Jezui tha: «Me çfarë ngjan mbretëria e Perëndisë? Me çfarë mund ta krahasoj? Ajo ngjan me farën e sinapit që një njeri e mori dhe e mbolli në kopsht. Fara u rrit, u bë pemë dhe zogjtë e qiellit bënë foletë në degët e saj». Jezui tha përsëri: «Me çfarë ta krahasoj mbretërinë e Perëndisë? Ajo ngjan me tharmin që e mori një grua dhe e përzjeu me tri masa miell, derisa u mbrujt i gjithë brumi».

Luka 13:1-21 Bibla Shqip 1994 (ALBB)

Pikërisht në atë kohë ishin aty disa që i treguan për ata galileasve, gjakun e të cilëve Pilati e kishte përzier me flijimet e tyre. Dhe Jezusi, duke u përgjigjur, tha: ''A mendoni ju se ata galileas ishin më shumë mëkatarë nga gjithë galileasit e tjerë, sepse vuajtën të tilla gjëra? Unë po ju them: Jo! Por nëse ju nuk pendoheni, do të vdisni të gjithë me të njëjtën mënyrë. Ose, a mendoni ju që ata të tetëmbëdhjetë, mbi të cilët ra kulla në Siloe dhe i vrau, ishin më shumë fajtorë se gjithë banorët e Jeruzalemit? Unë po ju them: Jo! Por nëse ju nuk pendoheni, do të vdisni të gjithë me të njëjtën mënyrë''. Atëherë ai tha këtë shëmbëlltyrë: ''Një njeri kishte një fik të mbjellë në vreshtin e tij; ai erdhi e kërkoj fryte, por nuk gjeti. Atëherë i tha vreshtarit: "Ja, u bënë tre vjet tashmë që unë vij e kërkoi frytin e këtij fiku dhe s'po gjej; preje; pse të zërë kot tokën?". Por ai u përgjigj dhe tha: "Zot, lëre edhe këtë vit, që ta punoj përreth dhe t'i hedh pleh dhe, po dha fryt, mirë; përndryshe, pastaj do ta presësh"''. Shërimi i një gruaje të paralizuar Një të shtunë Jezusi po mësonte në një sinagogë. Dhe ja, ishte një grua, e cila prej tetëmbëdhjetë vjetësh kishte një frymë lëngate, dhe ajo ishte krejt e kërrusur dhe në asnjë mënyrë nuk drejtohej dot. Dhe kur Jezusi e pa, e thirri pranë vetes dhe i tha: ''O grua, ti je e liruar nga lëngata jote''. Dhe i vuri duart mbi të dhe ajo u drejtua menjëherë, dhe përlëvdonte Perëndinë. Por kryetari i sinagogës, i indinjuar sepse Jezusi kishte shëruar ditën e shtunë, iu drejtua turmës dhe i tha: ''Gjashtë janë ditët kur duhet të punohet; ejani, pra, të shëroheni në ato ditë dhe jo ditën e shtunë''. Atëherë Zoti u përgjigj dhe tha: ''Hipokritë! A nuk e zgjidh secili nga ju të shtunave nga grazhdi kaun e vet, ose gomarin e ta çojë për të pirë? A nuk duhej, pra, të zgjidhej nga këto pranga, ditën e shtunë, kjo që është bijë e Abrahamit dhe që Satani e mbajti lidhur prej tetëmbëdhjetë vjetësh?''. Dhe, kur ai thoshte këto gjëra, të gjithë kundërshtarët e tij mbetën të turpëruar, ndërsa mbarë turma gëzohej për të gjitha veprat madhështore që ai kishte kryer. Atëherë ai tha: ''Kujt i përngjan mbretëria e Perëndisë, me se ta krahasoj? I ngjan kokrrës së sinapit, që një njeri e mori dhe e hodhi në kopshtin e vet; pastaj u rrit dhe u bë një pemë e madhe, dhe zogjtë e qiellit erdhën e kërkuan strehë në degët e saj''. Pastaj tha përsëri: ''Me se ta krahasoj mbretërinë e Perëndisë? Ajo i ngjan majasë që e merr një grua dhe e përzien me tri masa mielli derisa të mbruhet i gjithë''.