Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Jobi 4

4
Qortimi i Elifazit
1Atëherë Elifaz Temaniti u përgjigj e tha:
2«A mund të flitet me ty, apo s'ke durim?
Po kush mund të rrijë pa folur?
3Ja, shumë veta ke mësuar
e duart e mekura ke përtërirë.
4Fjalët e tua kanë ringritur të rrëzuarit
e gjunjëprerët ke mëkëmbur.
5Tani e ke radhën ti e nuk duron,
të ra ty e u trullose.
6A nuk ke besim te droja e Perëndisë
e shpresë te sjellja e përsosur?
7Thirri mendjes, cili i pafajshëm u rrënua?
Ku është ai i drejtë që u shkatërrua?
8Me sa kam parë unë, kush mih ligësi
e mbjell prapësi, ato edhe korr.
9Ata i rrënon puhiza e Perëndisë,
i fundos fryma e zemërimit të tij.
10Ulërin luani, bërtet egërsira
e dhëmbët e këlyshit bëhen copë.
11Luani ngordh se s'ka pre
e shpërndahen këlyshët e tij.
12Tinëz më erdhi fjala,
pëshpërima e saj më ra në vesh.
13Në trazimin e vegimeve të natës
kur njerëzinë e zë gjumë i thellë,
14më zuri tmerri e drithërima,
edhe eshtrat m'u drodhën.
15Një frymë ma përshkoi fytyrën
e m'u ngritën qimet përpjetë.
16U ndal, por s'ia njoha pamjen:
një trajtë para syve të mi.
Heshtje. Pastaj një zë dëgjova:
17“A ka vdekatar të drejtë para Perëndisë?
A ka njeri të pastër para krijuesit të vet?”.
18As shërbëtorëve s'u zë besë,
edhe engjëjve ua gjen një të metë.
19Aq më shumë banorëve të qerpiçëve,
që i kanë themelet në pluhur
e shkelen porsi tenja.
20Shkërmoqen sa gdhin e ngryset.
Papandehur, zhduken përgjithmonë.
21U këputet filli
e vdesin pa urti».

Aktualisht i përzgjedhur:

Jobi 4: AL1

Thekso

Ndaje

Copy

None

A doni që theksimet tuaja të jenë të ruajtura në të gjitha pajisjet që keni? Regjistrohu ose hyr