Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Jobi 3

3
Ankimi i Jobit
1Pas këtyre ngjarjeve Jobi hapi gojën dhe mallkoi ditën kur kishte lindur. 2Jobi u përgjigj e tha:
3«U shoftë dita kur u linda
e nata kur u tha: “U ngjiz një djalë”.
4Terr u bëftë ajo ditë!
E harroftë Perëndia, që rri lart,
e drita mos ndrittë mbi të!
5E përlaftë terri e pisa,
e zaptoftë reja,
e tmerroftë muzgu!
6Atë natë e përpiftë errësira,
mos u njehtë ndër ditët e vitit
e mos hyftë në numrin e muajve!
7Shterpë mbettë ajo natë
e mos pastë galdim!
8E nëmtë kush mallkon ditën
e kush guxon të ngucë Leviatanin!
9U terratisshin yjet e agut të saj,
prittë dritën e mos i ardhtë
e as agun mos e paftë,
10se s'm'ia mbylli barkun nënës,
e brengën s'ma hoqi sysh.
11Pse s'vdiqa që në bark
e s'dhashë shpirt sa linda?
12Pse më pritën dy gjunjë
e më mëkuan dy gjinj?
13Tani do të prehesha i qetë,
do të flija e do të pushoja
14me mbretër e këshilltarë të dheut,
që rindërtojnë për vete rrënoja,
15apo me princa që kanë ar,
që i kanë shtëpitë plot me argjend.
16Ose, si i dështuari i zhdukur, s'do të isha më,
si foshnjat që s'e shohin dritën.
17Atje të paudhët i lënë trazirat,
atje të mekurit pushojnë.
18Të burgosurit pushojnë tok,
pa e dëgjuar zërin e ngasësit.
19Atje janë i vogli e i madhi,
skllavi është i lirë nga pronari.
20Pse të dalë në dritë një i ngratë
e të jetojnë shpirtvrarët,
21që vdekjen dëshirojnë, por s'e gjejnë,
edhe pse e kërkojnë më shumë se thesarin,
22dhe fort gëzohen
e galdojnë kur gjejnë varrin?
23Po njeriu, që i ka udhët pa krye,
se ia ka mbyllur Perëndia?
24Ja, për bukë kam psherëtimat
e britmat e mia vërshojnë si ujë.
25Më zuri çfarë më tmerronte,
çfarë më lemeriste më pllakosi.
26As kam qetësi, as prehje, as pushim,
por erdhi pështjellimi».

Aktualisht i përzgjedhur:

Jobi 3: AL1

Thekso

Ndaje

Copy

None

A doni që theksimet tuaja të jenë të ruajtura në të gjitha pajisjet që keni? Regjistrohu ose hyr