Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Jobi 31

31
Vetëmbrojtja e Jobit
1«Me sytë e mi besë kisha lidhur
asnjë virgjëreshë për të mos e këqyrur.
2Ç'hise më ra së larti prej Perëndisë,
ç'trashëgim nga lart prej të gjithëpushtetshmit?
3A nuk i bie zezona të ligut,
a nuk i godet kobi keqbërësit?
4A nuk e sheh ai sjelljen time?
A s'i numëron tërë hapat e mi?
5Po të kem jetuar me mashtrim
e po të ketë rendur këmba ime drejt dredhisë,
6le të më peshojë me peshoren e drejtësisë
e Perëndia do ta njohë përsosjen time.
7Nëse hapat e mi e lanë rrugën,
nëse zemra ndoqi lakminë e syve,
e nëse duart m'u ndynë,
8unë mbjellsha, një tjetër ngrëntë
e u zhbiftë fara ime!
9Nëse ndonjë grua zemrën ma joshi
e nëse mikut te dera pritë i vura,
10për tjetërkënd bluajtë gruaja ime
e tjetërkush u shtriftë mbi të,
11se diçka e tillë është poshtërsi
e gjyq lyp e tillë ligësi,
12ndaj zjarri përpiftë deri edhe humnerën
dhe e shkretoftë të vjelën time.
13Nëse s'ia dhashë të drejtën skllavit
apo skllaves që tek unë u ankuan,
14ç'të bëj kur Perëndia të ngrihet?
Në më hetoftë, si t'i përgjigjem?
15A s'i krijoi edhe ata, ai që mua më krijoi?
A s'na vendosi ai njësoj në bark të nënës?
16Mos vallë skamnorëve dëshirat s'ua plotësova
e i lashë të lëngojnë sytë e të vejave?
17Apo vetë e hëngra kafshatën
e jetimët prej saj nuk hëngrën?
18Që në rini si atë e rrita,
që prej barkut të nënës unë i priva.
19Mos vallë kur pashë një të gjorë pa petka
e një nevojtar pa mbulojë,
20s'më bekuan ijët e tij?
A s'u ngroh ai me leshin e shqerrës sime?
21Po të kem ngritur dorë ndaj jetimit,
pasi pashë se në gjyq më përkrahin,
22supi nga shpatulla m'u shkultë
e krahu në bërryl m'u këputtë,
23se më tmerron kobi i Perëndisë
e madhështisë së tij nuk i bëj dot ballë.
24A e vara unë shpresën tek ari?
Po arin e kulluar, “besimi im” e quajta?
25A mos u ngazëlleva për begatinë e madhe
apo se dora ime mblodhi shumë?
26Nëse e pashë dritën të ndriçojë
e hënën të ecë feksur
27dhe zemra fshehtas aq m'u gënjye
sa me dorë nga buzët puthje t'u dërgoja,
28faj për t'u gjykuar edhe ky do të ishte,
se Perëndinë e tejlartë do ta mohoja.
29A u gëzova unë për kob të armikut tim?
A u ngazëlleva pse i ra e liga?
30S'e lashë gojën time të mëkatojë,
duke lëshuar nëmë mbi jetën e tij.
31Po a nuk thoshin njerëzit e tendës sime:
“Kush s'u ngop me mishin që ai i dha?”.
32Udhëtari kurrë në rrugë nuk bujti,
se shtegun e derës sime hapur ia lashë.
33Mos vallë si Adami fajin tim e fsheha?
Mos në kraharor e ndryva ligësinë,
34a thua se druaja turmën e madhe
e përbuzja e fisit sikur më trembte
sa gojën të mbyllja e nga dera të mos dilja?
35Ah, sikur dikush të më dëgjonte!
Ja nënshkrimi! Të më përgjigjet i gjithëpushtetshmi!
Se librin që shkroi paditësi im
36e mbaj mbi shpatulla,
e thur kurorë për vete.
37Çdo hap atij do t'ia tregoj,
si princ atij unë do t'i qasem.
38Nëse vikati toka kundër meje
e nëse brazdat qajnë me të,
39nëse frytin pa pagesë ia hëngra
e nëse bujqve të saj ua mora shpirtin,
40në vend të grurit gjemba le të qesë
e në vend të elbit egjër».
Mbarojnë fjalët e Jobit.

Aktualisht i përzgjedhur:

Jobi 31: AL1

Thekso

Ndaje

Copy

None

A doni që theksimet tuaja të jenë të ruajtura në të gjitha pajisjet që keni? Regjistrohu ose hyr