Jobi 30
30
Mjerimi i Jobit
1«Por sot me mua tallen
më të rinjtë se unë,
etërit e tyre s'i vija
as me qentë e grigjës.
2Ç'më duhet fuqia e duarve të tyre?
Vrullin ata e humbën.
3Në skamje e uri,
ndër djerrina dhëmbët kruajnë,
ndër rrënojat e shkretimit.
4Brejnë tagji e gjethe shkurresh,
ngrohen me rrënjë gjineshtre.
5Njerëzit i dëbojnë nga shoqëria
e u bërtasin si të ishin kusarë.
6Ata banojnë ndër shpate luginash,
në shpella dheu e ndër shkëmbinj.
7Ulërijnë nëpër shkurre
e mblidhen nëpër hithra,
8pjellë e marrëzisë e bij të askushit,
nga toka të dëbuar.
9Me këngë tani më tallin
e përrallë për ta u bëra.
10Neveriten prej meje, prej meje largohen
e në fytyrë më pështyjnë pa ngurrim.
11Perëndia ma shkrehu harkun e më këputi
e ata nuk kanë më fre me mua.
12Në të djathtë më ngrihet lukunia,
këmbëve më bëjnë t'ua mbath
e udhën e rrënimit ata më shtrojnë.
13Rrugën ma presin,
rrënimin më kurdisin
e askush s'i ndal.
14Vijnë si nga zgavra të gjera,
prej rrënojash rrëshqanë dalin.
15Tmerri u soll kundër meje,
nderi porsi era më shtillet
e si reja shkoi begatia ime.
16E tani shpirti po më fishket,
ditët e pikëllimit më kapluan.
17Natën dhimbja kockat m'i ther
e brejtja s'më lë të qetë.
18Më kap me forcë për petkash,
qafëzën e tunikës ma shtrëngon.
19Në llucë më plandosi,
pluhur e hi u bëra.
20Unë të thërras ty, por ti nuk përgjigjesh,
qëndroj para teje, por ti s'më përfill.
21U bëre mizor me mua,
me dorë të rreptë më përndjek.
22Më ngre kaluar në erë
e më përplas në stuhi.
23E di se më çon drejt vdekjes,
në shtëpinë që për tërë të gjallët u caktua.
24A nuk shtrihet dora pas rrënimit,
nëse lypet ndihmë në mjerim?
25A nuk qava me ditëzinjtë?
A nuk m'u dhimbs në shpirt skamnori?
26Prisja të mirën e më zuri e liga,
prisja dritën e më zuri terri.
27Më ziejnë zorrët pa pushim
e ditë pikëllimi më mësyjnë.
28Endem i ngrysur e s'ka diell për mua,
ngrihem në kuvend e thërras për ndihmë.
29Vëlla me çakejtë u bëra
e shok me zogat e strucit.
30Zi m'u bë lëkura e po më rripet
edhe vapa kockat po m'i djeg.
31Për vajtim e kam lirën
e fyellin për zë gjëmëtarësh».
Aktualisht i përzgjedhur:
Jobi 30: AL1
Thekso
Ndaje
Copy
A doni që theksimet tuaja të jenë të ruajtura në të gjitha pajisjet që keni? Regjistrohu ose hyr
© Shoqëria Biblike Ndërkonfesionale e Shqipërisë 2020
© Interconfessional Bible Society of Albania 2020