Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Jobi 19

19
Jobi beson se do të shpëtojë
1Jobi u përgjigj e tha:
2«Deri kur do të ma lodhni shpirtin
e do të më shtypni me fjalime?
3U bënë dhjetë herë që po më shani,
a s'ju vjen turp të më poshtëroni?
4Edhe po të kem gabuar vërtet,
mua më mbetet gabimi.
5A vërtet mendoni se do të ngriheni mbi mua
duke më përmendur mjerimin?
6Duhet ta dini, pra, se Perëndia më bëri padrejtësi
e më rrethoi me rrjetën e vet.
7Ja, thërras: “Dhunë!”, por nuk marr përgjigje,
kërkoj ndihmë, por nuk ka drejtësi.
8Ma ka mbyllur rrugën, që të mos kaloj
e m'i ka zhytur shtigjet në terr.
9Ai më zhveshi nga lavdia,
ma hoqi kurorën nga koka.
10Më rrënoi nga çdo anë e mora fund,
e shkuli si bimën shpresën time.
11U ndez kundër meje zemërimi i tij
e u soll me mua si ta kisha armik.
12U mblodhën tok çetat e tij,
çanë udhën drejt meje
e ngritën fushimin rreth tendës sime.
13Vëllezërit e mi i dëboi larg meje
e të njohurit më janë bërë si të huaj.
14Të afërmit ma kthyen shpinën
e shokët më harruan.
15Bujtësit e shtëpisë sime e shërbëtoret e mia
më shohin si të huaj,
i panjohur u bëra në sytë e tyre.
16E thërras shërbëtorin e nuk më përgjigjet,
mua vetë më duhet t'i bëj lutje.
17Fryma ime i pështiroset gruas sime,
u neveritem fëmijëve të mi.
18Edhe çunakët më përçmojnë.
Unë ngrihem e ata më përflasin?
19Të gjithë këshilltarët e mi më përbuzin
e ata që i doja u kthyen kundër meje.
20Lëkura më ngjitet në kockë pa mish,
më ka shpëtuar veç mishi i dhëmbëve.
21Mëshirë, mëshirë për mua, ju miqtë e mi,
se më goditi dora e Perëndisë.
22Pse më përndiqni, si Perëndia?
A nuk u ngopët me mishin tim?
23Ah, sikur të shkruheshin fjalët e mia
e të radhiteshin në një libër,
24sikur të gdhendeshin përgjithmonë në shkëmb
me daltë hekuri e me plumb!
25Unë e di se gjallë është shpëtimtari im,
se, në fund, nga pluhuri do të ngrihet
26e, pasi të ma kenë rrjepur lëkurën e mishin,
unë do të shoh Perëndinë.
27Unë vetë do ta shoh,
sytë e mi do ta kundrojnë e jo një tjetër.
Zemra po më digjet.
28Ju që thoni: “Si ta përndjekim?”,
se në mua u gjet rrënja e të keqes,
29trembjuni shpatës,
se furia goditet me shpatë
e do ta merrni vesh se ka një gjyq».

Aktualisht i përzgjedhur:

Jobi 19: AL1

Thekso

Ndaje

Copy

None

A doni që theksimet tuaja të jenë të ruajtura në të gjitha pajisjet që keni? Regjistrohu ose hyr