Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Jobi 14

14
Jobi flet për mjerimin e njeriut
1«Njeriu i lindur prej gruas
e ka jetën të shkurtër e plot trazime.
2Çel si lulja e vyshket,
ikën si hija e nuk zë vend.
3A i hedh ti sytë kah një i tillë?
E mua më thërret në gjyq?
4Kush mund të nxjerrë dëlirësi nga ndotja? Askush!
5Nëse ditët e njeriut janë të numëruara
e ti e di numrin e muajve të tij,
nëse ia ke vënë cakun e ai s'e kalon dot,
6hiqi sytë prej tij e lëre të qetë
ta sosë i gëzuar ditën si mëditës.
7Se edhe pema e ka një shpresë,
nëse e presin, do të bulojë sërish
e filizat e saj nuk do të thahen.
8Edhe pse rrënjët i plaken nën dhe
e trungu i kalbet në pluhur,
9ndien ujin e bulon,
nxjerr filiza si fidan.
10Por njeriu vdes e bie përdhe,
jep shpirt njerëzia e ku është pastaj?
11Uji i detit avullon
e lumi mund të thahet.
12Njeriu që dergjet nuk ringrihet më,
pa kaluar qiejt më nuk do të zgjohet,
as do t'i dalë më gjumi.
13Ah, sikur të më fshihje në skëterrë,
sikur të më ndryje derisa të të ikë zemërimi
e të më caktoje kohën për të më kujtuar!
14Nëse njeriu vdes, a mund të jetojë?
Do të prisja sado të zgjasë mundimi im,
derisa të vijë lirimi.
15Ti do të më thërrisje e unë do të të përgjigjesha,
do të kishe mall për veprën e duarve të tua.
16Ndonëse tani i numëron hapat e mi,
nuk do t'i vëreje mëkatet e mia.
17Mosbindja ime do të ndryhej në thes
e ti do ta mbuloje fajin tim.
18Por, ja, mali shembet e shkërmoqet
e shkëmbi luan vendit,
19uji i rrëmben gurët,
vërshimi e gërryen dheun
e ti i shuan shpresën njeriut.
20Ti e godet e ai ikën përgjithmonë,
e shpërfytyron dhe tej e dëbon.
21Bijtë e tij nderohen, por ai s'e di,
përçmohen, por atij s'ia merr mendja.
22Ai veç vuan në trupin e vet
e rënkon për veten e vet».

Aktualisht i përzgjedhur:

Jobi 14: AL1

Thekso

Ndaje

Copy

None

A doni që theksimet tuaja të jenë të ruajtura në të gjitha pajisjet që keni? Regjistrohu ose hyr