Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Jobi 12

12
Jobi rrëfen fuqinë e Perëndisë
1Jobi u përgjigj e tha:
2«Vërtet ju jeni njerëzia
e me ju do të vdesë urtia,
3por edhe unë kam mend si ju
e nuk jam më pak se ju.
Kush nuk i ditka këto gjëra?
4U bëra shpotia e shokëve të mi,
unë që i thërras Perëndisë të më përgjigjet.
Shpoti jam unë, i drejti e i përkryeri.
5“Përçmim për të pafatin!”,
mendon kush është mirë
“shtymën këmbëzvarrit!”.
6Banesat e rrënimtarëve janë të qeta,
është i sigurt kush cyt Perëndinë,
kush e ka Perëndinë në dorë.
7Pyeti kafshët e ato të mësojnë,
edhe zogjtë e qiellit e ata të tregojnë.
8Ose ankoju tokës e ajo të mëson,
edhe peshqve të detit e ata të rrëfejnë.
9Kush nga gjithë këta s'e di
se i bëri dora e Zotit?
10Se ai ka në dorë frymën e çdo gjallese
dhe shpirtin e çdo njeriu prej mishi.
11A nuk i dallon veshi fjalët,
siç shijon qiellza gjellën?
12A s'është urtia me pleqtë
e dija me jetëgjatët?
13Me Perëndinë është urtia e fuqia,
atij i takon këshilla e mençuria.
14Ja, ai shemb e askush nuk ndërton dot,
ndryn në burg e askush nuk mund të hapë.
15Ja, ai e ndal ujin e thahen të gjitha,
e lë të vërshojë e toka rroposet.
16Me të është forca e mençuria,
ai ka në dorë të mashtruarin e mashtruesin.
17Zbathur i nis këshilltarët
e tallet me gjykatësit.
18Ua zgjesh brezin mbretërve
e ijët ua lidh me lak.
19I nis priftërinjtë zbathur
e i përmbys sunduesit.
20Ua heq fjalën gojëtarëve
dhe pleqve u heq gjykimin.
21Zbraz përçmim mbi prijësit,
ua liron rripin të fortëve.
22Shpërfaq thellësitë e errësirës
e nxjerr në dritë terrinën.
23Kombet i madhëron e i asgjëson,
i shpërndan kombet e u prin.
24Ua merr mendtë prijësve të dheut,
i end në shkretëtirën pa udhë.
25Kuturisen në terr pa dritë
dhe sillen si të dehur».

Aktualisht i përzgjedhur:

Jobi 12: AL1

Thekso

Ndaje

Copy

None

A doni që theksimet tuaja të jenë të ruajtura në të gjitha pajisjet që keni? Regjistrohu ose hyr