Të nesërmen, turma e madhe që kishte ardhur në festë, kur dëgjoi se Jezui po vinte në Jerusalem, mori degë palmash e i doli para duke thirrur:
« Hosana!
Bekuar qoftë
ai që vjen në emër të Zotit,
mbreti i Izraelit!».
Jezui gjeti një kërriç e hipi në të, siç është shkruar:
Mos ki frikë,
o bijë e Sionit!
Ja, mbreti yt po vjen
hipur mbi një kërriç!
Në fillim dishepujt nuk i kuptonin këto, por kur Jezui u ngrit në lavdi, u kujtuan se këto gjëra i kishin bërë për të, siç ishin shkruar.
Turma që kishte qenë me Jezuin, kur ai kishte thirrur Lazarin të dilte nga varri dhe e kishte ngjallur prej të vdekurve, dëshmonte për të. Prandaj turma i kishte dalë para, sepse kishin dëgjuar për këtë shenjë që kishte bërë. Atëherë farisenjtë i thanë njëri-tjetrit: «A e shihni se nuk keni ç'bëni? Ja, gjithë bota po shkon pas tij!».
Midis atyre që kishin shkuar në Jerusalem për të adhuruar gjatë festës ishin edhe disa helenë. Ata shkuan te Filipi, që ishte nga Betsaida e Galilesë, e iu lutën: «Zotëri, duam të takojmë Jezuin». Filipi shkoi e i tha Andreas. Pastaj Andrea dhe Filipi shkuan e i thanë Jezuit. Jezui u përgjigj: «Erdhi ora që të përlëvdohet Biri i njeriut! Me të vërtetë po ju them se nëse kokrra e grurit, që ka rënë në tokë, nuk vdes, mbetet e vetme, por nëse vdes, jep shumë fryt. Kush e do jetën e vet, do ta humbasë atë dhe kush e urren jetën e vet në këtë botë, do ta ruajë për jetën e amshuar. Nëse dikush më shërben mua, le të vijë pas meje dhe ku jam unë, atje do të jetë edhe shërbëtori im. Nëse dikush më shërben mua, Ati do ta nderojë».
«Tani shpirti im është i tronditur, por çfarë të them? Të them: “Atë, shpëtomë nga kjo orë”? Por unë erdha pikërisht për këtë orë.
O Atë, përlëvdoje emrin tënd!». Atëherë erdhi një zë nga qielli: «E kam përlëvduar e përsëri do ta përlëvdoj».