Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Gjoni 12:12-28

Gjoni 12:12-28 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)

Të nesërmen, turma e madhe që kishte ardhur në festë, kur dëgjoi se Jezui po vinte në Jerusalem, mori degë palmash e i doli para duke thirrur: « Hosana! Bekuar qoftë ai që vjen në emër të Zotit, mbreti i Izraelit!». Jezui gjeti një kërriç e hipi në të, siç është shkruar: Mos ki frikë, o bijë e Sionit! Ja, mbreti yt po vjen hipur mbi një kërriç! Në fillim dishepujt nuk i kuptonin këto, por kur Jezui u ngrit në lavdi, u kujtuan se këto gjëra i kishin bërë për të, siç ishin shkruar. Turma që kishte qenë me Jezuin, kur ai kishte thirrur Lazarin të dilte nga varri dhe e kishte ngjallur prej të vdekurve, dëshmonte për të. Prandaj turma i kishte dalë para, sepse kishin dëgjuar për këtë shenjë që kishte bërë. Atëherë farisenjtë i thanë njëri-tjetrit: «A e shihni se nuk keni ç'bëni? Ja, gjithë bota po shkon pas tij!». Midis atyre që kishin shkuar në Jerusalem për të adhuruar gjatë festës ishin edhe disa helenë. Ata shkuan te Filipi, që ishte nga Betsaida e Galilesë, e iu lutën: «Zotëri, duam të takojmë Jezuin». Filipi shkoi e i tha Andreas. Pastaj Andrea dhe Filipi shkuan e i thanë Jezuit. Jezui u përgjigj: «Erdhi ora që të përlëvdohet Biri i njeriut! Me të vërtetë po ju them se nëse kokrra e grurit, që ka rënë në tokë, nuk vdes, mbetet e vetme, por nëse vdes, jep shumë fryt. Kush e do jetën e vet, do ta humbasë atë dhe kush e urren jetën e vet në këtë botë, do ta ruajë për jetën e amshuar. Nëse dikush më shërben mua, le të vijë pas meje dhe ku jam unë, atje do të jetë edhe shërbëtori im. Nëse dikush më shërben mua, Ati do ta nderojë». «Tani shpirti im është i tronditur, por çfarë të them? Të them: “Atë, shpëtomë nga kjo orë”? Por unë erdha pikërisht për këtë orë. O Atë, përlëvdoje emrin tënd!». Atëherë erdhi një zë nga qielli: «E kam përlëvduar e përsëri do ta përlëvdoj».

Gjoni 12:12-28 Bibla Shqip 1994 (ALBB)

Të nesërmen, një turmë e madhe që kishte ardhur në festë, kur dëgjoi se Jezusi po vinte në Jeruzalem, mori degë palmash dhe i doli para, duke thirrur: ''Hosana! Bekuar ai që vjen në emër të Zotit, mbreti i Izraelit!''. Dhe Jezusi gjeti një kërriç dhe hipi në të, siç është shkruar: ''Mos druaj, o bijë e Sionit; ja, mbreti yt po vjen duke kalëruar mbi një kërriç gomareje!''. Dishepujt e tij nuk i kuptuan për momentin këto gjëra, po, kur Jezusi ishte përlëvduar, atëherë u kujtuan se këto gjëra ishin shkruar për të, dhe që i kishin bërë këto gjëra për të. Kështu turma, që ishte me të kur ai e kishte thirrur jashtë Llazarin nga varri dhe e kishte ringjallur prej së vdekuri, jepte dëshmi për të. Prandaj turma i doli përpara, sepse kishte dëgjuar se ai kishte bërë këtë shenjë. Atëherë farisenjtë thanë midis tyre: ''A e shihni se s'po bëni asgjë; ja, bota shkon pas tij''. Dhe midis atyre që ishin ngjitur për të adhuruar gjatë festës ishin edhe disa grekë. Ata, pra, iu afruan Filipit, që ishte nga Betsaida e Galilesë, dhe iu lutën duke thënë: ''Zot, duam të shohim Jezusin''. Filipi shkoi e ia tha Andreas; dhe përsëri Andrea dhe Filipi ia thanë Jezusit. Por Jezusi u përgjigj atyre duke thënë: ''Ora ka ardhur, në të cilën Biri i njeriut duhet të përlëvdohet, Në të vërtetë, në të vërtetë po ju them: Nëse kokrra e grurit e rënë në dhe nuk vdes, ajo mbetet e vetme; por, po të vdesë, jep shumë fryt! Kush e do jetën e vet do ta humbasë; dhe kush e urren jetën e vet në këtë botë, do ta ruajë për jetën e përjetshme. Në qoftë se dikush më shërben, të më ndjekë; dhe ku jam unë, atje do të jetë dhe shërbëtori im; në qoftë se dikush më shërben, Ati im do ta nderojë. Tani shpirti im është i tronditur dhe çfarë të them: O Atë, më shpëto nga kjo orë? Por për këtë unë kam ardhur në këtë orë. O Atë, përlëvdo emrin tënd!'' Atëherë një zë erdhi nga qielli: ''E kam përlëvduar dhe do ta përlëvdoj akoma!''.

Gjoni 12:12-28

Gjoni 12:12-28 ALBBGjoni 12:12-28 ALBB