Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Jeremia 50

50
Kundër Babilonisë
1Fjala që Zoti i drejtoi Babilonisë, tokës së kaldenjve, me anë të profetit Jeremi:
2«Njoftojini kombet e shpallni,
mos e mbani të fshehur, por kumtoni:
u mor Babilonia,
u turpërua Beli,
Merodaku u shemb.
U turpëruan shëmbëllimet e saj,
u shembën idhujt e saj.
3Se prej veriut një komb po ngrihet kundër saj që do ta kthejë në tokë të shkretuar, ku nuk do të ketë njeri që të banojë. Njerëz e kafshë do të ikin tutje.
4Në ato ditë e në atë kohë, kumton Zoti, do të vijnë bijtë e Izraelit. Ata bashkë me bijtë e Judës, do të shkojnë duke vajtuar e do të kërkojnë Zotin, Perëndinë e tyre. 5Do të pyesin për Sionin e, me fytyrën kthyer drejt tij, do të thonë: ejani, le të bashkohemi me Zotin me një besëlidhje të përhershme që nuk do të harrohet!
6Grigjë e humbur ishte populli im. Barinjtë i kishin përendur, i kishin humbur maleve. Nga mali në kodër ishin endur, e kishin harruar vathën. 7Kushdo i gjente i përlante dhe armiqtë e tyre thoshin: nuk kemi faj, se kanë mëkatuar kundër Zotit, banesës së drejtësisë, shpresës së etërve tyre, Zotit vetë.
8Ikni nga Babilonia, nga toka e kaldenjve, e bëhuni si cjeptë që i prijnë grigjës. 9Se, ja, unë po ngre e po çoj kundër Babilonisë një mori kombesh të mëdha nga dheu i veriut. Do të rreshtohen kundër saj e prej andej do të pushtohet. Shigjetat e tyre janë porsi luftëtari që nuk kthehet duarzbrazur. 10Kaldeja do të bëhet plaçkë. Të gjithë ata që do ta plaçkitin do të ngopen, kumton Zoti.
11Ndonëse gëzoheni e harboheni,
o plaçkitësit e trashëgimisë sime,
kërceni si mëshqerra në lëndinë,
hingëllini si hamshorë,
12nënën tuaj do ta mbulojë turpi,
do të koritet ajo që ju lindi.
Ja, do të jetë e fundit ndër kombe,
shkretëtirë, shkretim e djerrinë.
13Për shkak të zemërimit të Zotit, nuk do të banohet,
por do të jetë e tëra shkretim.
Kushdo të kalojë pranë Babilonisë do të shtanget
e do të fërshëllejë për shkak të plagëve të saj.
14Rreshtohuni kundër Babilonisë, rreth e rrotull,
të gjithë ju që ndehni harkun,
gjuajeni pa i kursyer shigjetat,
se ka mëkatuar kundër Zotit.
15Lëshoni kushtrimin kundër saj, rreth e rrotull;
hoqi dorë, u shembën kullat e saj,
u rrëzuan muret e saj,
se kjo është hakmarrja e Zotit.
Hakmerruni me të,
siç veproi ajo,
ashtu veproni ndaj saj.
16Zhbijeni mbjellësin prej Babilonisë,
edhe korrtarin në kohën e të korrave.
Përballë shpatës së shtypësit,
secili të kthehet drejt popullit të vet,
secili të ikë në tokën e vet.
17Izraeli është dele e dëbuar që e përndjekin luanët. I pari që e përpiu është mbreti i Asirisë dhe i fundit që ia brejti kockat është Nabukodonosori, mbreti i Babilonisë. 18Prandaj, kështu thotë Zoti i ushtrive, Perëndia i Izraelit: do ta ndëshkoj mbretin e Babilonisë dhe tokën e tij, siç kam ndëshkuar mbretin e Asirisë. 19Do ta kthej Izraelin në kullotat e veta, do të kullotë në Karmel e në Bashan dhe dëshirat e tij do të plotësohen në kodrat e Efraimit dhe në Gilead. 20Në ato ditë e në atë kohë, kumton Zoti, do të kërkohet ligësia e Izraelit, por nuk do të ketë më. Do të kërkohen mëkatet e Judës, por nuk do të gjenden, sepse do t'i fal ata që do të lë si tepricë.
21Ngrihu kundër tokës së Merataimit
e kundër banorëve të Pekodit!
Vriti e shfarosi tërësisht, kumton Zoti,
e bëj gjithçka të urdhërova!
22Ushtimë beteje mbi dhe
e rrënim i madh!
23Si u këput e u thye
çekani i mbarë dheut?
Si u bë e tmerrshme
Babilonia ndër popuj?
24Të ngrita një kurth e u zure, o Babiloni,
pa e marrë vesh.
U gjete e u kape,
se me Zotin u ndeshe.
25 Zoti e hapi qilarin e vet
dhe nxori mjetet e zemërimit të vet,
se vepër e Zotit tim është ajo,
e Zotit të ushtrive në dheun e kaldenjve.
26Ejani kundër saj nga skajet,
hapjani drithnikët,
grumbullojeni si pirgjet e shfaroseni,
të mos i teprojë asgjë.
27Therjani tërë buajt,
le të bien në thertore.
Mjerë ata, se po vjen dita e tyre,
koha e ndëshkimit të tyre.
28Britmë! Ikanakët e të arratisurit nga dheu i Babilonisë, njoftojnë në Sion hakmarrjen e Zotit, Perëndisë tonë, hakmarrjen për tempullin e tij!
29Thirrni harkëtarë kundër Babilonisë, të gjithë ata që ndehin harkun. Vini fushimin rreth saj e të mos ikë askush. Shpërblejeni sipas veprave të veta. Pikërisht siç veproi ajo, veproni ndaj saj, sepse u bë kryeneçe ndaj Zotit, ndaj të shenjtit të Izraelit. 30Prandaj, të rinjtë e saj do të bien ndër sheshe dhe të gjithë luftëtarët e saj do të shuhen atë ditë, kumton Zoti.
31Ja, jam kundër teje, o kryeneçe,
kumton Zoti im, Zoti i ushtrive,
se erdhi dita jote,
koha e ndëshkimit tënd.
32Do të lëkundet kryeneçja e do të rrëzohet
e nuk do të ketë kush ta mëkëmbë.
Do t'u vë flakën qyteteve të saj
e do të përpijë gjithçka përreth saj.
33Kështu thotë Zoti i ushtrive: bijtë e Izraelit janë të shtypur, bashkë me bijtë e Judës. Të gjithë ata që i kanë rrëmbyer, i mbajnë të kapur e nuk duan t'i lëshojnë. 34Shpenguesi i tyre është i fortë, Zot i ushtrive është emri i tij. Ai do të rragatet për çështjen e tyre, që t'i japë prehje tokës e trazim banorëve të Babilonisë.
35Shpata mbi kaldenjtë,
kumton Zoti,
edhe mbi banorët e Babilonisë,
edhe kundër prijësve e dijetarëve të saj!
36Shpata mbi falltarët,
ata u marrosshin!
Shpata kundër luftëtarëve,
ata u rrënofshin!
37Shpata kundër kuajve e karrocave të saj
e kundër të gjithë të huajve midis saj,
ata u bëfshin si gratë!
Shpata kundër të gjitha thesareve të saj,
ato u plaçkitshin!
38Thatësira#50.38 ose: Shpata mbi ujërat e saj,
ato u thafshin!
Se tokë idhujsh është ajo
e prej dordolecëve çarten.
39Prandaj, në të do të banojnë egërsirat me hienat. Edhe strucat do të banojnë në të. Nuk do të banohet kurrë më e nuk do të ketë banorë brez pas brezi. 40Siç i përmbysi Perëndia Sodomën, Gomorrën dhe rrethinat e saj, kumton Zoti, ashtu nuk do të banojë më askush atje e nuk do të zërë vend në të asnjeri.
41Ja, një popull po vjen nga veriu,
një komb i madh e shumë mbretër
po turren nga skajet e dheut.
42Hark e heshtë mbartin,
janë mizorë e s'kanë mëshirë.
Zhurma e tyre është si ushtima e detit,
vijnë kaluar mbi kuaj,
rreshtuar si një trup për betejë,
kundër teje, bijë e Babilonisë.
43Mbreti i Babilonisë e dëgjoi njoftimin e tyre,
duart iu prenë,
brenga e pushtoi dhe ankthi,
si i gruas që lind.
44Ja, porsi luanin, që del nga shkurrnaja e Jordanit drejt kullotave të përhershme, ashtu do ta dëboj njëherësh prej andej e do të vendos në të këdo që të zgjedh. Se, kush është si unë? Kush do të më paditë? Kush është ai bari që mund të qëndrojë para meje? 45Prandaj, dëgjojeni vendimin që mori Zoti kundër Babilonisë dhe shestimet që thuri kundër tokës së kaldenjve: edhe të vegjlit e grigjave do të merren zvarrë, edhe kullotat e tyre do të shkretohen për ta. 46Nga ushtima e pushtimit të Babilonisë do të trandet toka, britma e saj do të dëgjohet ndër kombe».

Aktualisht i përzgjedhur:

Jeremia 50: AL1

Thekso

Ndaje

Copy

None

A doni që theksimet tuaja të jenë të ruajtura në të gjitha pajisjet që keni? Regjistrohu ose hyr

YouVersion përdor cookie për të personalizuar përvojën tuaj. Duke përdorur faqen tonë të internetit, ju pranoni përdorimin tonë të cookies siç përshkruhet në Politikën tonë të Privatësisë